Mbrëmësorja
Java e tridhjetekatërtë e Kohës së rëndomtë
Jezu Krishti Mbreti i gjithësisë
E kremte
Mbrëmësorja I
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
O Krisht, zotërues hyjnor i të gjitha sendeve,
për ty jehojnë ndër treme turma lutësish,
në kohë vjetore kur prapë kthehen festat
për t’i kremtuar.
Vërtet ky vend ushton nga zërat në tremet
e mbretit të madh e porta e qiellit të ndritshëm
që i pret të gjithë që sulen për t’u futur
n’atdheun e jetës.
Kjo banesë shenjte mbështjell turmën tënde,
që e përshpirtshme është plot me sakramente,
për gjellë qiellore ushqen me dhurata
të jetës s’amshueshme.
Lutemi pra, o Zot, me fytyrë të qetë
të bësh një shenjë duke drejtuar shërbëtorët,
që me dashuri të lartë kremtojnë gëzimet
e tempullit tënd.
Lavd i njëllojtë madhëroftë Prindin e Epërm,
dhe ty, Shëlbues, mbret i drejtë ndër shekuj;
le të jehojë lavdia e Shpirtit Shenjt
nëpër mbarë botën. Amen.
Ose një himn tjetër apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Mbret i paqes është emri i tij, mbretëria e tij do të qëndrojë përgjithmonë.
Psalmi 113 /112/ (1-9)
Lavdërojeni, shërbëtorët e Zotit, *
lavdërojeni, Emrin e Zotit!
Qoftë bekuar Emri i Zotit *
qysh tash e deri në amshim,
Që kur lind dielli e derisa perëndon *
qoftë bekuar Emri i Zotit!
I madhërueshëm është Zoti mbi të gjithë popujt, *
lavdia e tij i tejkalon qiejt.
Kush është si Zoti, Hyji ynë, †
që fronin e ka në Lartësi, *
e nga lart vrojton qiellin e tokën?
Nga pluhuri e ngre skamnorin, *
nga llomi e lartëson të vobektin
për ta vënë të rrijë me princa, *
me princat e popullit të vet.
Ai bën të banojë beronja në shtëpi të vet *
nënë fëmijësh të gëzueshme.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Mbret i paqes është emri i tij, mbretëria e tij do të qëndrojë përgjithmonë.
Ant. 2 E amshuar është mbretëria e tij, mbretërit dhe të mëdhenjtë e tokës do t’i nënshtrohen.
Psalmi 117 /116/ (1-2)
Lavdërojeni Zotin, o kombe të gjitha, *
madhërojeni së bashku, o popuj të gjithë!
Sepse e madhe është dashuria e tij ndaj nesh, *
besnikëria e Zotit qëndron për amshim!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 E amshuar është mbretëria e tij, mbretërit dhe të mëdhenjtë e tokës do t’i nënshtrohen.
Ant. 3 Krishtit iu dha çdo pushtet në qiell dhe mbi tokë; popujt dhe kombet të gjitha do ta adhurojnë në amshim.
Kënga Krh. Zb 4, 11; 5, 9. 10. 12.
I denjë je, o Zot, Hyji ynë, *
të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin,
sepse ti krijove gjithçka, †
dhe me vullnetin tënd *
gjithçka u bë dhe u krijua!
Ti je i denjë, o Zot,
të marrësh librin *
dhe t’ia zgjidhësh vulat,
sepse qe prerë †
dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin *
njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,
dhe i bëre për Hyjin tonë
mbretëri dhe priftërinj *
dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.
I denjë është Qengji i prerë †
të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, *
fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Krishtit iu dha çdo pushtet në qiell dhe mbi tokë; popujt dhe kombet të gjitha do ta adhurojnë në amshim.
Leximi i shkurtër Krh. Ef 1, 20-23
Hyji e ngjalli Krishtin nga të vdekurit dhe e vendosi në të djathtën e vet në qiell, mbi çdo Principatë, Pushtet, Fuqi, Zotërim dhe mbi çdo emër që mund të përmendet jo vetëm në këtë, por edhe në botën e ardhshme. Dhe çdo gjë vuri nën këmbët e tija e Atë e vendosi mbi çdo gjë ‑ për Krye të Kishës, e cila është Trupi i tij, plotësimi i Atij që plotëson gjithçka në të gjithë.
Përgjigjja e shkurtër
C Ty të qoftë lavdia dhe pushteti,
* ty të qoftë mbretëria, o Zot.
Ty të qoftë lavdia dhe pushteti,
ty të qoftë mbretëria, o Zot.
D Ty të qoftë sundimi mbi mbarë gjithësinë,
ty të qoftë mbretëria, o Zot.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Ty të qoftë lavdia dhe pushteti,
ty të qoftë mbretëria, o Zot.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Hyji i dha Krishtit fronin e Davidit; ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi popullin e tij.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Hyji i dha Krishtit fronin e Davidit; ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi popullin e tij.
Lutjet e besimtarëve
T’i brohorasim Krishtit, mbretit të gjithësisë, i cili është para të gjitha gjërave dhe çdo gjë qëndron në të. Plot me fe t’ia drejtojmë lutjen tonë:
Ardhtë mbretëria jote, o Zot.
O Krisht, mbret dhe bari yni, mblidhe grigjën tënde nga të katër anët e botës,
— udhëhiqe në kullotat e së vërtetës dhe të jetës.
O Krisht, udhëheqës dhe shëlbues yni, përtërije dhe shenjtëroje popullin tënd,
— forcoji të dobëtit, mblidhi ata që janë shpërndarë, thirri në njësinë e fesë ata të cilëve u mungon besimi.
O Krisht, gjyqtari i botës, na merr afër vetes në lavdi, kur ta dorëzosh mbretërinë tënde në duart e Atit,
— na e jep trashëgimin e amshuar të përgatitur për ne që prej fillimit të botës.
Mbret i paqes, shkatërroji mekanizmat dhe intrigat e luftës,
— bëj që të gjithë njerëzit ta njohin një periudhë të re drejtësie dhe paqeje.
O Krisht, trashëgimtar i të gjithë njerëzve, bëj që njerëzimi, i shtyrë prej Shpirtit Shenjt, të bashkohet në Kishën tënde,
— dhe mbarë bota le të të pranojë ty si udhëheqës dhe zotëri.
O Krisht, i parëlinduri i atyre që zgjohen nga gjumi i vdekjes,
— pranoji vëllezërit tanë të vdekur në lavdinë e mbretërisë sate.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti deshe të ripërtërish gjithçka nëpër Krishtin, Birin tënd, Mbretin e gjithësisë, bëj që mbarë krijesat, të liruara nga robëria e mëkatit, t’i shërbejnë madhërisë sate e të lëvdojnë pa pushim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.