Mbrëmësorja

Java e tridhjetekatërtë e Kohës së rëndomtë

 

Jezu Krishti Mbreti i gjithësisë

 

Mbrëmësorja II

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Himni

 

   O Krisht, zotërues hyjnor i të gjitha sendeve,

   për ty jehojnë ndër treme turma lutësish,

   në kohë vjetore kur prapë kthehen festat

   për t’i kremtuar.

 

   Vërtet ky vend ushton nga zërat në tremet

   e mbretit të madh e porta e qiellit të ndritshëm

   që i pret të gjithë që sulen për t’u futur

   n’atdheun e jetës.

 

   Kjo banesë shenjte mbështjell turmën tënde,

   që e përshpirtshme është plot me sakramente,

   për gjellë qiellore ushqen me dhurata

   të jetës s’amshueshme.

   Lutemi pra, o Zot, me fytyrë të qetë

   të bësh një shenjë duke drejtuar shërbëtorët,

   që me dashuri të lartë kremtojnë gëzimet

   e tempullit tënd.

 

   Lavd i njëllojtë madhëroftë Prindin e Epërm,

   dhe ty, Shëlbues, mbret i drejtë ndër shekuj;

   le të jehojë lavdia e Shpirtit Shenjt

   nëpër mbarë botën. Amen.

 

   Ose himni i Mbrëmësores I (fq. 455) apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Është i ulur mbi fronin e Davidit, mbretëron në drejtësi e në paqe tash e përgjithmonë.

 

   Psalmi 110 /109/ (1-5. 7)

 

I tha Zoti Zotit tim: *

   “Rri në të djathtën time,

derisa t’i vë armiqtë e tu *

   shtrojë për këmbët e tua!”

 

Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: *

   sundo midis armiqve të tu!

 

Ty të përket më i larti pushtet *

   në ditën e fuqisë sate

në shkëlqime të shenjta *

   nga kraharori para Yllit të Dritës

   unë të linda.

 

Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: *

   Ti je prift për amshim

   në mënyrën e Melkizedekut.”

 

Zoti është në të djathtën tënde, *

   i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet.

 

Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, *

   prandaj lart do ta ngrejë kokën.

 

Ant. 1 Është i ulur mbi fronin e Davidit, mbretëron në drejtësi e në paqe tash e përgjithmonë.

 

Ant. 2 Mbretëria jote qëndron në shekuj të shekujve, pushteti yt në të gjitha breznitë.

 

   Psalmi 145 /144/ I (1-13)

 

Do të të lartësoj, o Mbret, Hyji im, *

   dhe do ta bekoj Emrin tënd përgjithmonë e jetë.

Çdo ditë do të të bekoj *

   dhe do ta lavdëroj Emrin tënd

   përgjithmonë e jetë.

 

Zoti është i madh e i lavdërueshëm, *

   e pashqyertueshme është madhëria e tij!

 

Breznia breznisë do t’ia tregojë veprat e tua *

   dhe do ta shpallin pushtetin tënd.

Do ta shpallin madhërinë e shenjtërisë sate, *

   do t’i tregojnë mrekullitë e tua.

 

Do ta tregojnë fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, *

   do t’i kumtojnë veprat e madhërishme të tuat.

Do ta përhapin kujtimin e hirësisë sate të madhe, *

   do t’i brohorisin drejtësisë sate.

 

Zoti është vetë butësia e mëshira, *

   i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.

Zoti është i mirë për të gjithë, *

   i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.

 

Le të lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat e tua *

   e le të bekojnë shenjtërit e tu.

Le ta tregojnë lavdinë e Mbretërisë sate, *

   le të kuvendin për pushtetin tënd,

 

për t’ua shpallur njerëzve gjithëpushtetësinë tënde *

   dhe lavdinë e madhërisë së mbretërisë sate.

Mbretëria jote është mbretëri e amshueshme, *

   pushteti yt prej breznie në brezni.

 

Ant. 2 Mbretëria jote qëndron në shekuj të shekujve, pushteti yt në të gjitha breznitë.

 

Ant. 3 Mbret i mbretërve është emri i tij, Zotëri i zotërive. Atij i qoftë lavdia e pushteti në shekuj.

 

   Kur këndohet kjo këngë, atëherë Aleluja mund të përsëritet disa herë çdo dy apo katër strofa.

 

   Kënga Krh. Zb 19, 1-7 Dasma e Qengjit

 

Aleluja!

Shëlbim, lavdi dhe pushtet Hyjit tonë, *

(C Aleluja.)

sepse gjyqet e tija janë të vërteta dhe të drejta

C Aleluja (aleluja).

 

Aleluja!

Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij *

(C Aleluja.)

të gjithë ju që e droni - të vegjël e të mëdhenj!

C Aleluja (aleluja).

 

Aleluja!

Mbretëron Zoti, *

(C Aleluja.)

Hyji ynë, i Gjithëpushtetshmi!

C Aleluja (aleluja).

 

Aleluja!

Le të galdojmë e të brohorasim *

(C Aleluja.)

dhe t’i japim lavdi Atij.

C Aleluja (aleluja).

 

Aleluja!

Sepse erdhi Dasma e Qengjit! *

(C Aleluja.)

Gati është Nusja e tij.

C Aleluja (aleluja).

 

Ant. 2 Mbretëria jote qëndron në shekuj të shekujve, pushteti yt në të gjitha breznitë.

 

   Leximi i shkurtër 1 Kor 15, 20-22

 

   Krishtit i takon të mbretërojë derisa t’i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij. Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja. Sepse “gjithçka ka vënë nën këmbët e tija”. E kur thotë Shkrimi shenjt: “Gjithçka i ka vënë nën këmbë” - merret vesh gjithçka, me përjashtim të Atij, që ia nënshtroi të gjitha. E kur t’ia ketë nënshtruar të gjitha, edhe vetë Biri do t’i nënshtrohet Atij që ia nënshtroi të gjitha, që Hyji të jetë gjithçka në të gjithë.

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Froni yt, o Hyj, * në shekuj të shekujve.

   Froni yt, o Hyj, në shekuj të shekujve.

   D Skeptër i drejtësisë skeptri i mbretërisë sate,

   në shekuj të shekujve.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Froni yt, o Hyj, në shekuj të shekujve.

 

Ant. Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Ant. Mua më qe dhënë çdo pushtet mbi qiell dhe mbi tokë, thotë Zoti.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvuajturit.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   e të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Mua më qe dhënë çdo pushtet mbi qiell dhe mbi tokë, thotë Zoti.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

T’i brohorasim Krishtit, mbretit të gjithësisë, i cili është para të gjitha gjërave dhe çdo gjë qëndron në të. Plot me fe t’ia drejtojmë lutjen tonë:

 

   Ardhtë mbretëria jote, o Zot.

 

O Krisht, mbret dhe bari yni, mblidhe grigjën tënde nga të katër anët e botës,

— udhëhiqe në kullotat e së vërtetës dhe të jetës.

O Krisht, udhëheqës dhe shëlbues yni, përtërije dhe shenjtëroje popullin tënd,

— forcoji të dobëtit, mblidhi ata që janë shpërndarë, thirri në njësinë e fesë ata të cilëve u mungon besimi.

O Krisht, gjyqtari i botës, na merr afër vetes në lavdi, kur ta dorëzosh mbretërinë tënde në duart e Atit,

— na e jep trashëgimin e amshuar të përgatitur për ne që prej fillimit të botës.

Mbret i paqes, shkatërroji mekanizmat dhe intrigat e luftës,

— bëj që të gjithë njerëzit ta njohin një periudhë të re drejtësie dhe paqeje.

O Krisht, trashëgimtar i të gjithë njerëzve, bëj që njerëzimi, i shtyrë prej Shpirtit Shenjt, të bashkohet në Kishën tënde,

— dhe mbarë bota le të të pranojë ty si udhëheqës dhe zotëri.

O Krisht, i parëlinduri i atyre që zgjohen nga gjumi i vdekjes,

— pranoji vëllezërit tanë të vdekur në lavdinë e mbretërisë sate.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti deshe të ripërtërish gjithçka nëpër Krishtin, Birin tënd, Mbretin e gjithësisë, bëj që, mbarë krijesat, të liruara nga robëria e mëkatit, t’i shërbejnë madhërisë sate e të lëvdojnë pa pushim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.