Mbrëmësorja
JAVA E PARË E ARDHES
E DIEL
Mbrëmësorja I
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Himni
dritë e amshuar e besimtarëve,
o Krisht, shëlbues i të gjithëve,
uratën tonë dëgjoje.
Duke vuajtur rëndë me dhimbje
për vdekje e shuarje të shekullit,
botën e mjerë shpëtove,
shërim u dhe fajtorëve.
Kur u ngrys nata e botës,
si dhëndri prej nusërores
nga kraharori i bekuar
i Nënës Virgjër dole.
Përpara fuqiplotit,
gjunjëzohen të gjitha qeniet:
qiellore e tokësore,
urdhrit t’atij i binden.
Ty, i shenjtë, me fe të lutemi,
gjykatës i madh i shekullit,
në çdo kohë ti ne na ruaj
prej shigjetave të pabesa.
O Krisht, mbreti i drejtësisë,
me ty lavdi i qoftë Atit
dhe Shpirtit Shenjt jetëdhënës
ndër shekujt e amshueshëm. Amen.
Ant. 1 E diela I Ardhjes
Shpalleni lajmin ndër popuj: Ja, po vjen Hyji, Shëlbuesi ynë.
Psalmi 141 /140/ (1-9) Lutja në rrezik
Nga dora e engjëllit tymi i erëndshëm i kemit u ngrit para Hyjit bashkë me uratat e shenjtërve (Zb 8, 4).
O Zot, klitha drejt teje, eja më të shpejt tek unë! *
Dëgjoje zërin tim kur thërras drejt teje!
U ngrittë lutja ime si tymi i kemit në praninë tënde, *
lartësimi i duarve të mia porsi flija e mbrëmjes.
Vërja rojën, o Zot, gojës sime, *
edhe rojtarët në derë të buzëve të mia.
Mos lejo të priret zemra ime në punë të këqija †
për të sendërtuar punë të liga me njerëz të paudhë *
që të mos i shijoj kënaqësitë e tyre.
Le të më rrahë i drejti: kjo është mëshirë,
le të më qortojë, †
por vaji i mëkatarit mos e leftë kokën time, *
por paça uratën përballë mbrapshtisë së tyre!
Kur nga gremina t’i plandosin gjyqtarët e tyre *
do të shohin sa të ëmbla kanë qenë fjalët e mia.
Porsi ashklat e latuesit e të prerësit nëpër tokë *
shpërndahen eshtrat e tyre grykës së Nëntokës!
Te ti, o Zot, Hyji im, janë sytë e mi, *
ty të rashë ndore, mos lejo të birret shpirti im.
Më ruaj prej grackës që ma kanë ngrehur, *
prej pengesave të atyre që bëjnë të keqen.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 1 E diela I Ardhjes
Shpalleni lajmin ndër popuj: Ja, po vjen Hyji, Shëlbuesi ynë.
Ant. 2 E diela I Ardhjes
Ja, Zoti po vjen e më të të gjithë shenjtërit e tij: atë ditë do të ndriçojë një dritë e madhe, aleluja.
Psalmi 142 /141/ (2-8) Ti je strehimi im
Krishti në mundim thërret Atin: “Abbà, Atë! Largoje prej meje këtë gotë...” (Mk 14, 36) dhe kërkon ringjalljen mbi të cilën Kisha e shenjtërve e rrënjos fenë e saj. (Krh. Cassiodoro)
Me gjithë zë e thërras Zotin në kushtrim, *
me sa zë kam Zotin e përbej,
para tij zhgrehem në vajtimin tim, *
para tij e qes shtrëngimin tim.
Megjithëse shpirti im po meket në mua, *
ti e njeh udhën time.
Udhës nga më duhej të kaloja *
ma ngrehën grackën.
Shikoja djathtas e shihja: *
s’ ishte askush që të më njihte!
Askund shteg shpëtimi *
dhe s’është askush që të kujdeset për jetën time!
Atëherë të thirra në ndihmë, o Zot, †
e thashë: »Ti je strehimi im, *
ti je pjesa ime në tokën e të gjallëve.
Vështroji britmat e mia, *
sepse jam përvujtëruar për së tepërmi.
Më liro prej salvuesve të mi, *
sepse janë më të fortë se unë.
Nxirre shpirtin tim prej rrethimit *
që ta lavdëroj Emrin tënd.
Rreth meje do të bashkohen të drejtët *
nëse mirësisht do të kujdesesh për mua.«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen
Ant. 2 E diela I Ardhjes
Ja, Zoti po vjen e më të të gjithë shenjtërit e tij: atë ditë do të ndriçojë një dritë e madhe, aleluja.
Ant. 3 E diela I Ardhjes
Do të vjen Zoti në të gjithë lavdinë e tij: çdo njeri do ta shohë Shëlbuesin.
Kënga Fil 2, 6-11 Krishti, shërbëtor i Hyjit
Krishti Jezus, edhe pse me natyrë Hyj, *
barazinë e vet me Të
nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të,
por ia mohoi vetvetes *
e mori natyrën e shërbëtorit
dhe u bë i ngjashëm me njerëz
dhe, për kah pamja e jashtme, *
dukej vetëm njeri.
E përuli vetveten
duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje,*
mu deri në vdekje në kryq.
Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve *
dhe i dha Emrin që është mbi çdo emër
që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju *
i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë
dhe çdo gjuhë të dëshmojë: *
‘Jezu Krishti është Zot!’
Në nder të Hyjit Atë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 E diela I Ardhjes
Do të vjen Zoti në të gjithë lavdinë e tij: çdo njeri do ta shohë Shëlbuesin.
Leximi i shkurtër 1 Sel 5, 23-24
Hyji, burimi i paqes, ai ju shenjtëroftë krejtësisht, dhe e tërë qenia juaj ‑ shpirti, jeta dhe trupi ‑ u ruajtë e patëmetë dhe e përsosur për Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit! Besnik është Ai që ju thërret: Ai do të bëjë ashtu!
Përgjigjja e shkurtër
C Na e trego, o Zot, * mëshirën tënde.
Na e trego, o Zot, mëshirën tënde.
D Dhe na e jep shëlbimin tënd,
mëshirën tënde.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Na e trego, o Zot, mëshirën tënde.
Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)
Ant. Ja, Zoti po vjen prej së largu: me shkëlqimin e tij është plot gjithësia.
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *
‑ i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
‑ si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ja, Zoti po vjen prej së largu: me shkëlqimin e tij është plot gjithësia.
Lutjet e besimtarëve
Krishti është burim gëzimi i vërtetë për të gjithë ata që presin ardhjen e tij. T'i drejtohemi, pra, me lutjen tonë:
Eja, o Zot, e mos vono!
Me gëzim e presim ardhjen tënde,
— eja, o Zot Jezus.
Ti je dhe ishe para të gjithë shekujve,
— eja e na shpëto ne që jetojmë në këtë shekull.
Ti krijove botën dhe gjithçka që banon në të,
— eja dhe shëlboje punën e duarve të tua.
Nuk pate frikë të marrësh natyrën tonë të vdekshme,
— eja e na liro nga pushteti i vdekjes.
Erdhe që ta kemi jetën me plotësi,
— eja dhe na dhuro jetën e amshuar.
Ti do që të gjithë njerëzit t'i mbledhësh në mbretërinë tënde,
— eja e bashkoji të gjithë ata që presin ta shohin fytyrën tënde hyjnore.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.
Lutja
Jepu po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, besimtarëve të tu vullnet t’i dalin para Krishtit tënd që po vjen, kështu që, të vënë në të djathtën e tij, të meritojnë ta fitojnë Mbretërinë qiellore. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.