Mbrëmësorja

JAVA E PARË E ARDHJES

 

E DIEL

 

MBRËMËSORJA II

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

 ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Himni

 

   Krijues hyjnor i yjeve,

   dritë e amshuar e besimtarëve,

   o Krisht, shëlbues i të gjithëve,

   uratën tonë dëgjoje.

 

   Duke vuajtur rëndë me dhimbje

   për vdekje e shuarje të shekullit,

   botën e mjerë shpëtove,

   shërim u dhe fajtorëve.

 

   Kur u ngrys nata e botës,

   si dhëndri prej nusërores

   nga kraharori i bekuar

   i Nënës Virgjër dole.

 

   Përpara fuqiplotit,

   gjunjëzohen të gjitha qeniet:

   qiellore e tokësore,

   urdhrit t’atij i binden.

 

   Ty, i shenjtë, me fe të lutemi,

   gjykatës i madh i shekullit,

   në çdo kohë ti ne na ruaj

   prej shigjetave të pabesa.

 

   O Krisht, mbreti i drejtësisë,

   me ty lavdi i qoftë Atit

   dhe Shpirtit Shenjt jetëdhënës

   ndër shekujt e amshueshëm. Amen.

 

Ant. 1 E diela I Ardhjes

 

   Gëzohu, qytet i Hyjit; brohorit me gëzim, Jerusalem, aleluja.

 

   Psalmi 110 /109/ (1-5. 7) Mesia, mbret dhe meshtar

 

   Sepse Atij i takon të mbretërojë derisa t'i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij (1 Kor 15, 25).

 

I tha Zoti Zotit tim: *

   »Rri në të djathtën time,

derisa t’i vë armiqtë e tu *

   shtrojë për këmbët e tua!«

 

Skeptrin e pushtetit tënd Zoti do ta shtrijë nga Sioni: *

   sundo midis armiqve të tu!

 

Ty të përket më i larti pushtet *

   në ditën e fuqisë sate

në shkëlqime të shenjta *

   nga kraharori para Yllit të Dritës

   unë të linda.

 

Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet: *

   Ti je prift për amshim

   në mënyrën e Melkizedekut.«

 

Zoti është në të djathtën tënde, *

   i dërrmon mbretërit ditën e zemërimit të vet.

 

Në udhëtim ujë do të pijë prej përroit, *

   prandaj lart do ta ngrejë kokën.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 E diela I Ardhjes

 

   Gëzohu, qytet i Hyjit; brohorit me gëzim, Jerusalem, aleluja.

 

Ant. 2 E diela I Ardhjes

 

   Ja, po vjen në mes nesh Krishti, Mbreti ynë, Qengji i paralajmëruar nga Gjoni.

 

   Psalmi 114 /113 A/ (1-8) Mrekullitë e daljes prej Egjiptit

 

   Ju të gjithë që e keni mohuar botën e së keqes, e keni bërë edhe ju daljen tuaj (Krh. shën Augustini).

 

Kur Izraeli doli nga Egjipti, *

   Shtëpia e Jakobit nga populli barbar,

Judeja u bë Shenjtërorja e tij, *

   Izraeli zotërimi i tij.

 

Pa deti dhe i bëri rrugë, *

   Jordani u kthye prapazi,

malet kërcyen si desh, *

   kodrat porsi qengja delesh!

 

Ç’ pate, o det, që ike? *

   E ti, o Jordan, që u ktheve prapazi?

Ju, o male, pse kërcyet si desh, *

   e ju, o kodra, porsi qengja delesh?

 

Dridhu, o tokë, para fytyrës së Zotit, *

   para fytyrës së Hyjit të Jakobit,

që e shndërron shkëmbin në liqen ujërash *

   edhe qetën në burim uji të gjallë!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 E diela I Ardhjes

 

   Ja, po vjen në mes nesh Krishti, Mbreti ynë, Qengji i paralajmëruar nga Gjoni.

 

Ant. 3 E diela I Ardhjes

 

   Ja, po vijë shpejt, dhe do të jem shpërblimi juaj, thotë Zoti: do t’i jap çdo njeriu sipas veprave të tija.

 

   Kur këndohet kjo këngë, atëherë Aleluja mund të përsëritet disa herë çdo dy apo katër strofa.

 

   Kënga Krh. Zb 19, 1-7 Dasma e Qengjit

 

Aleluja!

Shëlbim, lavdi dhe pushtet Hyjit tonë, *

sepse gjyqet e tija janë të vërteta dhe të drejta

 

Aleluja!

Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij *

të gjithë ju që e droni - të vegjël e të mëdhenj!

 

Aleluja!

Mbretëron Zoti, *

Hyji ynë, i Gjithëpushtetshmi!

 

Aleluja!

Le të galdojmë e të brohorasim *

dhe t’i japim lavdi Atij.

 

Aleluja!

Sepse erdhi Dasma e Qengjit! *

Gati është Nusja e tij.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 E diela I Ardhjes

 

   Ja, po vijë shpejt, dhe do të jem shpërblimi juaj, thotë Zoti: do t’i jap çdo njeriu sipas veprave të tija.

 

   Leximi i shkurtër Fil 4, 4-5

 

   Gëzohuni gjithmonë në Zotin, rishtas po ju them: gëzohuni! Mirësinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit! Zoti është ngjat!

 

   Përgjigjja e shkurtër

 

   C Na e trego, o Zot, * mëshirën tënde.

   Na e trego, o Zot, mëshirën tënde.

   D Dhe na e jep shëlbimin tënd,

   mëshirën tënde.

   Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

   Na e trego, o Zot, mëshirën tënde.

 

   Kënga ungjillore (Magnificat Lk 1, 46-55)

 

   Ant. Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit: do të mbetesh shtatzënë e do të qitësh në dritë një djalë, aleluja.

 

Shpirti im e madhëron Zotin, *

   shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,

 

sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *

   qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,

 

sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm *

   ‑ i shenjtë është Emri i tij!

 

Mëshira e tij brezni më brezni *

   për ata që e druajnë.

 

E tregoi fuqinë e krahut të vet: *

   hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,

 

i rrëzoi princat prej froneve të tyre *

   i lartësoi të përvujtët.

 

Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë

   të pasurit i nisi duarthatë.

 

I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,

   duke e sjellë në mend mëshirën

 

‑ si ua pati premtuar etërve tanë *

   në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit: do të mbetesh shtatzënë e do të qitësh në dritë një djalë, aleluja.

 

   Lutjet e besimtarëve

 

Përzemërsisht t'i lutemi Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit. Ai është rruga, e vërteta dhe jeta jonë. T'i drejtohemi, pra me lutjet tona:

 

   Eja e rri me ne, o Zot!

 

O Jezus, Biri i Atit të Gjithëpushtetshëm, engjëlli Gabriel ia paralajmëroi lindjen tënde Virgjërës Mari,

— eja e mbretëro përgjithmonë mbi popullin tënd.

Shenjti i Hyjit, për të cilin kërcen prej gëzimit Paraardhësi në kraharorin e Elizabetës,

— eja dhe mbarë botës dhuroji gëzimin e shpëtimit.

O Jezus, Shpëtimtar, emrin e të cilit engjëlli ia tregoi Jozefit, njeriut të drejtë e të ndershëm,

— eja dhe shpëtoje popullin tënd prej mëkateve të tija.

Drita e botës, të cilën e priste Simoni dhe të gjithë të drejtët,

— eja e na ngushëllo.

Ti, Diell i ri e i pamposhtur, për të cilin ka profetizuar Zakaria se do të na vizitosh prej qiellit,

— eja dhe shndriti ata që gjenden në hijen e vdekjes.

 

   Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.

   Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i Keqi. Amen.

 

   Lutja

 

   Jepu po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, besimtarëve të tu vullnet t’i dalin para Krishtit tënd që po vjen, kështu që, të vënë në të djathtën e tij, të meritojnë ta fitojnë Mbretërinë qiellore. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.