Mbretëria e qiellit është afër!

8 KORRIK 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Mbretëria e qiellit është afër!

 

PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MATEUT -Mk 10, 1-7

 

Në atë kohë, Jezusi i mblodhi rreth vetes dymbëdhjetë nxënësit e vet e u dha pushtetin të mund të dëbonin shpirtrat e ndytë dhe të mund të shëronin çdo sëmundje e lëngatë.  Emrat e Dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari Simoni, që quhet Pjetër e vëllai i tij Andreu; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, i vëllai;  Filipi dhe Bartolomeu; Toma e Mateu ‑ tagrambledhësi; Jakobi i Alfeut dhe Tadeu;  Simon Kananeu dhe Judë Iskarioti ‑ ai që e tradhtoi.  Pikërisht këta të Dymbëdhjetët Jezusi i dërgoi dhe i urdhëroi: “Mos shkoni ndër paganë as mos hyni në asnjë qytet të samaritanëve!  Por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.  Gjatë udhëtimit predikoni: ‘Mbretëria e qiellit është afër!’

 

Siç e dëgjuam sot, Ungjilli na tregon se: “Jezusi i mblodhi rreth vetes dymbëdhjetë nxënësit e vet...” Para se t'i dërgojë, Jezusi i thërret afër vetes, i thërret të qëndrojnë me Të. Vazhdon Ungjilli duke thënë se Ai nxënësve të vet u dha pushtet të dëbojnë shpirtrat e ndytë dhe të shërojnë çdo sëmundje e lëngatë. Jezusi është Mesia që ndan autoritetin e vet me nxënësit. Edhe në Besëlidhjen e Vjetër flitet se ardhja e Mesisë shoqërohet me shërimin e të sëmurëve dhe fitoren mbi forcat e së keqes. Pikërisht aty ku dëbohen shpirtrat e këqij dhe shërohen sëmundjet, aty shfaqet fitorja e Zotit mbi mëkatin, mbi të keqen dhe mbi vdekjen.

Po, një zemër që jeton në bashkim të vërtetë me Krishtin mund të bëhet mjet shërimi, paqeje dhe çlirimi për të tjerët. Sa më afër të jemi me Krishtin, aq më shumë Ai mund të veprojë përmes nesh në botë. Sa herë që luftojmë të keqen në zemrën tonë, sa herë që sjellim paqe aty ku ka përçarje, sa herë që ngushëllojmë një njeri të trishtuar apo ndihmojmë një njeri në nevojë, bëhemi bashkëpunëtorë të veprës shëruese të Krishtit. E të gjithë jemi të thirrur të marrim pjesë në misionin e Krishtit.

Dëgjuam, të dashur dëgjues, edhe se Ungjilltari përmend “Emrat e Dymbëdhjetë apostujve”. Në lidhje me këtë, së pari dua të them se numri dymbëdhjetë na kujton dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Me këtë kuptohet se Jezusi po themelon Popullin e ri të Hyjit. Dhe e dimë prej Ungjillit se Jezusi nuk thërret njerëz të përsosur, por thërret njerëz të gatshëm të ecin me Të. Në këtë listë gjejmë Pjetrin që do ta mohojë, Tomën që do të dyshojë, Mateun, mëkatarin e penduar, dhe Judën që do ta tradhtojë. E megjithatë, Krishti i thërret. Kjo do të thotë se Zoti sheh jo vetëm atë që jemi sot, por edhe atë që mund të bëhemi me hirin e Tij.

Ashtu siç i thirri apostujt me emër, Jezusi vazhdon të trokasë edhe në zemrën e secilit prej nesh. Ai na fton në një marrëdhënie personale me Të dhe në një mision të veçantë në Kishën e Tij. Gjithashtu, një tjetër detaj domethënës është se disa prej apostujve janë shumë të njohur, ndërsa për disa të tjerë dimë pak; e megjithatë, emrat e tyre janë shkruar në Ungjill. Kjo na bën të kuptojmë se në Mbretërinë e Hyjit nuk ka njerëz të parëndësishëm. Edhe ata që qëndrojnë në heshtje dhe nuk bien në sy janë të çmuar në sytë e Zotit dhe kanë vend të veçantë në zemrën e Tij.

Në vazhdim, Ungjilli na thotë se: “Të Dymbëdhjetët Jezusi i dërgoi dhe i urdhëroi: ‘Mos shkoni ndër paganë as mos hyni në asnjë qytet të samaritanëve! Por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.’” Në pamje të parë, mund të duket sikur Ai përjashton popujt e tjerë, por këtu bëhet fjalë për një rend të shpëtimit e jo për një përjashtim të kombeve. Populli i Izraelit kishte marrë profetët, Ligjin dhe premtimet mesianike; prandaj ishte e drejtë që lajmi i shpëtimit t'u shpallej atyre të parëve. Por e dimë se Jezusi synon tërë njerëzimin, sepse pas Ringjalljes Ai do t'i dërgojë nxënësit e Tij tek të gjitha kombet.

Fjalët e Jezusit: “delet e humbura të shtëpisë së Izraelit” mbartin një domethënie të thellë biblike dhe shpirtërore. Profetët e Besëlidhjes së Vjetër kishin paralajmëruar se Izraeli ishte shpërndarë si një grigjë pa bari dhe se Mesia do të vinte për ta mbledhur përsëri. Prandaj, kur Jezusi përdor këtë shprehje, Ai po shpall se është Bariu i premtuar nga Hyji, Ai që ka ardhur për të mbledhur popullin e Tij.

Por e dimë se termi “dele të humbura” nuk i referohet vetëm gjendjes së Izraelit, por edhe gjendjes shpirtërore të çdo njeriu që jeton larg Hyjit. Dhe edhe sot, Jezusi na dërgon te “delet e humbura”: në familjet që janë larguar nga feja, tek ata që vuajnë në vetmi, tek ata që kanë humbur shpresën dhe jetojnë pa e njohur dashurinë e Hyjit.

Por, para se të dërgohemi te të tjerët, jemi të thirrur të gjejmë “delet e humbura” brenda vetes sonë: ato pjesë të zemrës që janë larguar nga Hyji, dëshirat e çrregullta, plagët e pashëruara, mëkatet që na largojnë nga dashuria e Tij. Sepse misioni i vërtetë nuk fillon me ndryshimin e të tjerëve, por me kthimin e zemrës sonë tek Zoti.

Përfundon Ungjilli me porosinë e Jezusit: “Gjatë udhëtimit predikoni: ‘Mbretëria e qiellit është afër!’” Kjo është zemra e predikimit të Jezusit dhe e misionit të apostujve. Jezusi nuk thotë: “Mbretëria do të vijë pas shumë kohësh”, por “është afër”. Me ardhjen e Krishtit, koha e pritjes merr fund. Premtimet e profetëve përmbushen. Mbretëria e qiellit nuk është vetëm një shpresë për të ardhmen; ajo fillon që tani, sa herë që Krishti mbretëron në mendimet tona, në zgjedhjet tona dhe në dashurinë tonë.

 

O Zot Jezus, të falënderojmë që na thërret për emër, ashtu siç thirre apostujt e Tu. Na jep hirin të qëndrojmë pranë Teje, të dëgjojmë zërin Tënd dhe të jemi dëshmitarë të dashurisë Sate në botë. Shëro plagët e zemrës sonë, forco besimin tonë dhe bëj që Mbretëria Jote të mbretërojë gjithnjë në jetën tonë. Amen.