Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj!
22 GUSHT 2026
UNGJILLI I DITES
“Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT - (Mt 23, 1-12)
Në atë kohë , Jezusi i tha turmës dhe nxënësve të vet: “Në katedrën e Moisiut ndenjën skribët e farisenjtë. Pra, ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë. Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të barten dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë. Pastaj të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit. Këndej i zgjerojnë filakteritë e veta dhe i zgjasin thekët. Në gosti dëshirojnë kryet e vendit, në sinagoga vendet e para, përshëndetjet në sheshe dhe të quhen prej njerëzve ‘rabbi’. Ju mos lejoni t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm njëri është Mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd Atë, sepse keni vetëm një Atë ‑ atë që është në qiell! Gjithashtu mos lejoni t’ju quajnë udhëheqës ‑ sepse keni vetëm një Udhëheqës ‑ Krishtin! Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj. Sepse, kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet do të lartësohet.
Të dashur dëgjues, Ungjilli i sotëm na paraqet një mësim shumë të rëndësishëm të Jezusit mbi rrezikun e hipokrizisë dhe mbi bukurinë e përvujtërisë. Jezusi u drejtohet turmave dhe dishepujve duke folur për skribët dhe farisenjtë: “Ata flasin, por nuk veprojnë.” (Mt 23,3). Këto fjalë janë një thirrje për secilin prej nesh që të jetojmë një jetë të bashkuar ndërmjet fjalëve dhe veprave. Jezusi nuk dënon mësimin e Ligjit, por dënon mospërputhjen ndërmjet asaj që predikohet dhe asaj që jetohet. Sa herë edhe ne mund të biem në të njëjtin rrezik! Është e lehtë të japim këshilla, të flasim për dashurinë, faljen dhe besimin, por është më e vështirë t'i jetojmë ato në jetën e përditshme.
Rreziku i hipokrizisë- Jezusi thotë: “Ata lidhin barra të rënda e të padurueshme dhe ua vënë njerëzve mbi supe, por vetë nuk duan t'i lëvizin as me gisht.” (Mt 23,4) Hipokrizia lind kur kërkojmë shumë nga të tjerët dhe pak nga vetja. Kur gjykojmë gabimet e të tjerëve, por nuk shohim dobësitë tona. Shën Gjon Gojarti shkruan: “Nuk ka asgjë më të ftohtë se një mësues që mëson me fjalë, por nuk dëshmon me jetën e vet.” Kjo fjalë vlen për të gjithë: prindërit, edukatorët, meshtarët, personat e kushtuar dhe çdo të krishterë. Njerëzit besojnë më shumë në shembullin tonë sesa në fjalët tona. Prandaj Jezusi na fton të jemi të vërtetë, të thjeshtë dhe të sinqertë.
Kërkimi i lavdisë njerëzore- Ungjilli vazhdon: “Të gjitha veprat e tyre i bëjnë që të shihen nga njerëzit.” (Mt 23,5) Këtu Jezusi prek një tundim shumë të thellë të zemrës njerëzore: dëshirën për t'u vlerësuar, për t'u lavdëruar dhe për të qenë në qendër të vëmendjes. Edhe veprat e mira mund të humbasin vlerën e tyre kur bëhen vetëm për t'u dukur. Sa herë mund të kërkojmë miratimin e njerëzve më shumë sesa atë të Hyjit! Sa herë mund të ndihemi të lënduar kur nuk vlerësohemi apo nuk na falënderojnë! Shën Augustini thotë: “Krenaria kërkon lavdinë e vet; përvujtëria kërkon lavdinë e Hyjit.” Jezusi na fton të jetojmë në të vërtetën, duke bërë të mirën jo për t'u parë, por sepse e duam Zotin.
Pastaj Jezusi thotë: “Ju të gjithë jeni vëllezër.” (Mt 23,8). Kjo është një nga fjalët më të bukura të Ungjillit. Para Hyjit, askush nuk është më i madh apo më i rëndësishëm se tjetri. Të gjithë jemi bij të të njëjtit Atë qiellor. Kjo na fton të jetojmë marrëdhënie të mbushura me respekt, përvujtëri dhe dashuri. Në një botë ku shumë njerëz kërkojnë pushtet, prestigj dhe vendet e para, Jezusi na kujton se madhështia e vërtetë nuk qëndron në dominimin mbi të tjerët, por në shërbimin ndaj tyre.
Kulmi i këtij Ungjilli gjendet në këto fjalë: “Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj.” (Mt 23,11). Kjo është logjika e Mbretërisë së Hyjit. Jezusi vetë e jetoi këtë rrugë. Ai, Biri i Hyjit, u bë shërbëtor i të gjithëve, lau këmbët e dishepujve dhe dha jetën e Tij në kryq. Prandaj: “Ai që është vendosur mbi të tjerët, duhet të jetë i pari në përvujtëri dhe në shërbim.” Por kjo fjalë nuk vlen vetëm për barinjtë. Çdo i krishterë është i thirrur të bëhet shërbëtor: në familje, në bashkësi, në punë dhe në shoqëri. Shenjtëria nuk matet me tituj apo nderime, por me aftësinë për të dashur dhe për të shërbyer.
Jezusi e përfundon mësimin e Tij me një mësim shpirtëror shumë të thellë: “Kush e lartëson veten, do të përulet; dhe kush e përul veten, do të lartësohet.” (Mt 23,12) Përvujtëria nuk do të thotë të nënvlerësosh veten, por të pranosh me të vërtetë se gjithçka është dhuratë nga Hyji. Përvujtëria nuk kërkon lavdinë e vet; por lejon që Hyjin të veprojë në jetën e njerëzve. “Përvujtëria është themeli i të gjitha virtyteve; pa të, edhe virtytet më të mëdha humbasin.” Prandaj, nëse dëshirojmë të rritemi në jetën shpirtërore, duhet të ecim në rrugën e përvujtërisë.
Të dashur dëgjues, ky Ungjill na fton të shqyrtojmë zemrën tonë. A jetojmë atë që besojmë? A kërkojmë lavdinë e Hyjit apo lavdinë tonë? A jemi të gatshëm të shërbejmë në heshtje, pa kërkuar shpërblime dhe duartrokitje? Jezusi na tregon se madhështia e vërtetë nuk është të jesh mbi të tjerët, por të jesh pranë tyre, duke i ndihmuar dhe duke i dashur ata.
O Jezus i përvuajtur dhe i butë, na mëso të jetojmë në të vërtetën dhe në thjeshtësinë e zemrës. Largo prej nesh çdo krenari, hipokrizi dhe dëshirë për lavdi njerëzore. Na jep hirin të jemi shërbëtorë të njëri-tjetrit, duke ndjekur shembullin Tënd. Bëj që jeta jonë të jetë një dëshmi e dashurisë dhe e përvujtërisë sate, që një ditë të mund të marrim pjesë në lavdinë e Mbretërisë sate. Amen.