MEDITIM MBI TE SHTUNEN E MADHE

04 Prill 2026

 

MEDITIM MBI TE SHTUNEN E MADHE

 

Në këtë ditë të madhe të dashur dëgjues, do të reflektojmë mbi një nga momentet më prekëse të Mundimit të Krishtit: Mbi momentin kur Jezusit i shporojnë Kraharorin në Kryq, dhe pasi e ulin nga Kryqi e vendosin në krahët e Marisë. Në të vërtetë kjo nuk është vetëm një dramë dhimbjeje, por një “liturgji e heshtjes” dhe e dashurisë që shkon deri në fund. Pas vdekjes së Jezusit në kryq, një ushtar i afrohet dhe me heshtë i shporon kraharorin. Nga ajo plagë e shenjtë, rrjedhë gjak dhe ujë për shpëtimin e njerëzimit.

O plagë e kraharorit të shenjtë, e shkaktuar më shumë nga dashuria për njerëzit sesa nga goditja e heshtës! O plagë e kraharorit të Jezusit, që plagos zemrat e devotshme dhe shpirtrat e të drejtëve! O dere e qiellit, vend strehimi, kullë e pamposhtur.

O derë e zemrës së Krishtit, dëshmi e dashurisë që shkon “deri në fund”, dhe peng i jetës së përjetshme! O “dritare e hapur” në zemrën e Hyjit nga ku Hyji del për ta ftuar çdo njeri që të hyjë në këtë mister dashurie dhe faljeje.

Atëherë, pasi Virgjëra e Shenjtë shikoi se kishte përfunduar stuhia e mundimeve dhe se trupin e shenjtë po e ulnin nga Kryqi, u përgatit ta priste: nga krahët e kryqit në krahët e saj. Po cila gjuhë mund të shprehte atë që Maria përjetoi kur e mori në krahët e vet Birin e saj të vdekur? Nëna përqafon trupin e copëtuar të Jezusit. E shtrëngon fort në kraharorin e vet; në fakt, vetëm për këtë i kishin mbetur forcat. E vendos fytyrën e saj mbi fytyrën e Jezusit. Fytyra e Nënës së Shenjtë lyhet me gjakun e Birit dhe ajo e Birit laget me lotët e Nënës. Maria nuk e “zgjidhë” dhimbjen — ajo e mban atë, dhe pikërisht aty lind një formë më e thellë shprese.

 

Kur pastaj erdhi ora e varrimit, Trupi i Jezusit trajtohet me dashuri të thellë dhe respekt të shenjtë. Shën Bernardi e përfytyron Marinë duke e mbështjellë Jezusin me duar që dridhen nga dhimbja, por që janë të buta dhe plot kujdes. Çdo plagë, preket me dashuri dhe laget me lot. Trupin e Jezusit e vendosin në varr si një thesar të çmuar. Ndërsa Shën Bonaventura thotë: Maria e mbështjell Birin e saj për varr, ashtu siç e kishte mbështjellë kur Jezusi lindi dhe e vendosi në grazhd. Por tani copat janë të lagura me gjak dhe lot. Varri u mbyll me një gur dhe zemra e Nënës me një mjegull të errët dhimbje. Aty mbetet e varrosur zemra e saj bashke me thesarin e Vet.

Edhe pse dhimbja ishte shumë e fortë, momenti i varrimit të Jezusit nuk është mbyllja e një historie tragjike, por një “pritje e madhe” e mbushur me shpresë të fshehur. Maria është “gruaja e së shtunës së madhe”, gruaja që di të qëndrojë në kohën ndërmjet: ndërmjet vdekjes dhe ringjalljes, ndërmjet errësirës dhe dritës.

Për ne të gjithë të dashur dëgjues, ky moment është një thirrje për të qëndruar pranë kryqit, si Maria, me besim edhe në kohen e dhimbjes. Është një thirrje për të kuptuar se dashuria e vërtetë nuk shmang vuajtjen, por e shndërron atë në dhuratë.

Po, kjo skenë është një thirrje për besim në errësirë: të kuptojë se edhe kur gjithçka duket e mbyllur si një varr, Hyji është duke përgatitur një fillim të ri. Varrimi nuk është fundi, por është prag i ringjalljes. Pikërisht aty, lind shpresa: sepse dashuria që u varros nuk do të mbetet në varr, por do të ringjallet.

 

O Virgjëreshë e Shenjtë e Zoja Mari, Nënë e dhimbshme, ti që qëndrove tek këmbët e Kryqit pa u larguar, kur bota po errësohej dhe zemra jote po shporohej nga dhimbja, më mëso të qëndroj edhe unë me besim kur vuajtja më troket në zemër.

O Nënë e heshtjes së shenjtë, më jep një zemër që nuk rebelohet në errësirë, por që beson edhe kur nuk kupton, që shpreson edhe kur gjithçka duket e humbur.

O Nënë e dhimbjes, Qëndro pranë meje siç qëndrove pranë Jezusit në orën e tij të fundit, dhe më shoqëro në çdo vuajtje timen, që të mos bie në dëshpërim, por të qëndroj afër Kryqit të Birit tënd, ku lind shpresa dhe shpëtimi. Amen.