Merre kryqin tënd çdo ditë, e eja pas meje!

19 Shkurt 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Merre kryqin tënd çdo ditë, e eja pas meje!”

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS LUKES- Lk 9, 22 – 25

 

E vazhdoi: “Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë, ta përbuzin pleqtë, kryepriftërinjtë dhe skribët, ta vrasin dhe të tretën ditë të ngjallet.”  Pastaj iu drejtua të gjithëve: “Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet çdo ditë dhe të më ndjekë.  Sepse, kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbë, ndërsa kush ta humbë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë.  E njëmend, ç ‘dobi do të kishte njeriu, nëse fiton mbarë botën, por humb vetveten ose e rrënon?

 

Dëgjuam se në Ungjillin e sotëm Jezusi flet për vuajtjen, përbuzjen, vdekjes dhe ngjalljen. Ai nuk flet për një dështim, por për domosdoshmërinë e dashurisë. “Biri i njeriut” pranon të ecë nëpër rrugën e dhimbjes, duke na treguar se dashuria e vërtetë shkon deri në dhurimin e plotë të vetvetes. Jezusi e pranon vuajtjen jo si viktimë, por si Shpëtimtar që dhuron jetën e Tij për ne. “Ai pranoi vdekjen për të shkatërruar vdekjen dhe u ngjall që të na jap jetën e pavdekshme.”

Pastaj menjëherë, Jezusi u drejtohet të gjithëve, jo vetëm dishepujve: Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet çdo ditë dhe të më ndjekë. Ai flet pra për dëshirë, jo për detyrim. Por kush dëshiron të shkoj pas Tij, i duhet ta dijë çmimin: mohimin e vetvetes dhe kryqin e përditshëm. Mohim i vetvetes nuk do të thotë shkatërrim i personit, por heqje dorë nga egoizmi që e pengon marrëdhënien tonë me Zotin e me tjetrin dhe na mban të mbyllur në vetvete.

Të gjithëve të dashur dëgjues, Jezusi na bën një thirrje personale: të pranojmë kryqet tona të përditshme duke e ditur se çdo kryq mban brenda premtimin e ngjalljes. Po, aty ku ka kryq të jetuar me dashuri, ka edhe jetë të re.” Rruga e ndjekjes së Jezusit kalon përmes vuajtjes e përmes kryqit, por përfundon gjithmonë në ngjallje.” Në këtë mënyrë ndjekja e Krishtit nuk është thjesht një mësim moral, por bashkim me Krishtin dhe bashkim me fatin e Tij. Zoti ynë nuk arriti në lavdi duke shmangur vuajtjen, por duke e përqafuar atë. Kështu edhe ne: nëse refuzojmë kryqin, refuzojmë edhe ngjalljen. Kryqi është rruga e mbretërisë, sepse aty dashuria shkon deri në fund. Jezusi nuk premton një kurorë pa kryq. Ai mbajti kurorën e ferrave para se të mbante kurorën e lavdisë.

Më së pari dua të them se mohimin e vetvetes nuk është mohim i personit, por mohim i egoizmit dhe për rrjedhojë shërim i zemrës: duke lënë njeriun e vjetër, shpirti hapet ndaj jetës së re në Zotin. Në këtë zbrazje të butë, njeriu nuk e humb vetveten, por e gjen atë të lirë e të shpëtuar. Kështu mohimi i vetvetes bëhet rrugë drite, ku dashuria rritet dhe shpirti mbushet me Hyjin.

Ai që heq dorë nga vetja për Krishtin, nuk varfërohet, por pasurohet me jetën e Hyjit.

 

O Zot, më mëso të përqafoj kryqin tim çdo ditë, me dashuri dhe pa frikë.

Me ndihmo të mohoj vetveten që të gjej jetën e vërtetë në Ty.

Më ndihmo të kuptoj se vuajtja e jetuar me Ty, shndërrohet në burim bekimi.  Amen!