Mëshira që fal dhe hiri që shndërron!

23 MARS 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Mëshira që fal dhe hiri që shndërron!”

 

PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS GJONIT - Gjn 8, 1-11

 

Jezusi shkoi në Malin e Ullinjve.  Në mëngjes erdhi prapë në Tempull. Mbarë populli shkonte tek ai. Ai u ul e po i mësonte.  Atëherë skribët e farisenjtë i sollën para një grua të zënë në kurorëshkelje. E vunë në mes  dhe i thanë: “Mësues, kjo grua u zu ndërsa po bënte mëkatin e kurorëshkeljes.  Në Ligj Moisiu na urdhëroi që të tillat të vriten me gurë. Po ti çka thua?”  Folën kështu për ta vënë në provë që të kishin për çka ta padisnin. Jezusi u përkul e filloi të shkruajë me gisht në dhe.  E, pasi ata vijonin ta pyesnin, ai iu drejtua e tha: “Kush është prej jush pa mëkat, le ta gjuajë i pari gurin në të!”  Përsëri u përkul e vazhdoi të shkruajë me gisht në dhe.  Ata, kur e dëgjuan përgjigjen, nisën një nga një të largohen duke filluar prej më të vjetërve. Jezusi mbeti vetëm ‑ dhe gruaja që po qëndronte në këmbë në mes.  Jezusi iu drejtua dhe i tha:  “Grua, ku janë ata? Askush nuk të dënoi?”  “Askush, Zotëri!” ‑ iu përgjigj ajo. “As unë nuk po të dënoj ‑ i tha Jezusi ‑ Shko, por tani e tutje mos mëkato më!”

 

Siç e dëgjuam Ungjilli i sotëm fillon duke treguar se Jezusi shkoi në Malin e Ullinjve, vendi i lutjes së thellë dhe i bashkimit me Atin. Ai gjithmonë flet dhe vepron nga marrëdhënia e Tij me Atin. Vazhdon Ungjilli: Në mëngjes herët u kthye në Tempull dhe u ul për të mësuar. Jezusi ulet – pozicioni tradicional i Rabinit që mëson me autoritet, qetësi dhe stabilitet shpirtëror. Njerëzit vijnë te Jezusi sepse Ai flet me autoritet dhe me dhembshuri. Jezusi është Mësuesi që formon zemrat e atyre që e dëgjojnë.

Atëherë skribët dhe farisenjtë i sollën para një grua të zënë në kurorëshkelje. E vunë në mes dhe i thanë: “Mësues, kjo grua u zu ndërsa po bënte mëkatin e kurorëshkeljes. Ata e quajnë Mësues, por në të vërtetë nuk duan që Jezusi të mësojë. Dhe vazhdojnë: “Në Ligj Moisiu na urdhëroi që të tillat të vriten me gurë. Po ti çka thua?” Pyetja është një kurth i menduar mire, ata nuk kërkojnë drejtësi të vërtete, sepse Ligji urdhëronte që edhe burri të dënohej, jo vetëm gruaja. Ata kërkojnë ma shumë arsye për ta akuzuar Jezusin.

Tani gruaja e zënë në kurorëshkelje është e rrethuar nga skribët dhe farisenjtë, të cilët duken të zellshëm për Ligjin dhe janë të gatshëm për ta dënuar. Gruaja është në rrethin e vdekjes. Ajo sheh gurët në duart e tyre, gati për t’i hedhur mbi të. Mund ta imagjinojmë frikën, turpin dhe dëshpërimin që në ato momente janë në zemrën e saj. Duket një situatë pa dalje, pa shpëtim. Sipas ligjit, gruaja duhej të vritej. Të gjithë presin se çfarë do të thoshte Jezusi. Por Jezusi nuk përgjigjet menjëherë. Ai krijon një moment heshtjeje, ku ndërgjegjja e njerëzve mund të zgjohej.

“Jezusi u përkul dhe filloi të shkruante me gisht në tokë. ”Ky është një nga gjestet më misterioze në Ungjill. Disa autorë thonë se Jezusi tregon se Hyji është autori i Ligjit, por edhe i faljes. Të tjerë mendojnë se Jezusi ka shkruar mëkatet e atyre që e akuzonin gruan. Dikush tjetër supozon se ka shkruaj fjalën MWSHIRW. Por Ungjilli nuk thotë se çfarë ka shkruar Jezusi. Pas këtij gjesti misterioz dhe kësaj heshtjeje të shenjtë, dëgjohet zëri i drejtësisë: “Kush është prej jush pa mëkat, le ta gjuajë i pari gurin në të. Jezusi e vendos gjykimin në dritën e së vërtetës. Ai nuk thotë: kjo grua nuk ka mëkatuar. Ai thotë: shiko zemrën tënde para se të gjykosh tjetrin.

Ata, kur e dëgjuan këtë përgjigje, nisën të largohen një nga një, duke filluar prej më të vjetërve. Të parët largohen më të vjetrit. Pse? Sepse ata që kanë jetuar më gjatë e njohin më mirë dobësinë tyre. Po, Jezusi dëshiron që çdo njëri ta njoh vetveten dhe mëkatin e tij. Tani në dritën e Krishtit, ata që dukeshin mbrojtës të Ligjit zbulojnë mjerimin e zemrës së tyre dhe largohen. Në fakt, njeriu pushon së gjykuari të tjerët kur fillon të hyjë në zemrën e vet dhe ta shohë mjerim e vet.

Kështu Jezusi e ri-nterpreton Ligjin në dritën e dashurisë së Atit. Ligji është dhënë për jetë, jo për vdekje; për kthim, jo për dëshpërim; për falje, jo për dënim. Prandaj Jezusi nuk lejon që askush ta përdorë ligjin e Hyjit për ta vrarë njeriun.

Thotë Ungjilli: Jezusi mbeti vetëm me gruan që qëndronte në mes. Shën Augustini thotë: “Mbetën vetëm të dy: mjerimi dhe mëshira. Gruaja qëndronte me mëkatin e saj, dhe Jezusi me faljen e Tij.” Jezusi, i vetmi pa mëkat, nuk largohet; Ai qëndron me mëkataren. Këtu fillon mundësia e jetës së re. Atëherë Jezusi, me një delikatesë të jashtëzakonshme dhe me një mëshirë të pa parë, i tha: “Grua, ku janë ata? Askush nuk të dënoi?” “Askush, Zotëri,” iu përgjigj ajo.

Jezusi nuk e quan kurorëshkelëse, as mëkatare. Nuk fillon ta qortojë pse nuk e ka mbajtur ligjin. Ai e thërret “grua”, njësoj si do ta thërrasë edhe nënën e Tij te këmbët e Kryqit.

“As unë nuk po të dënoj,” i tha Jezusi. “Shko dhe mos mëkato më.”

Dy fjali që nuk duhen ndarë kurrë: “As unë nuk të dënoj.” Dhe “Mos mëkato më.” Këtu shfaqet zemra e krishterimit: mëshira që fal dhe hiri që shndërron.

Në këtë mënyrë Jezusi e trajton edhe zemrën tonë. Po, i dashur dëgjues, mëkati yt bëhet vendi ku mund të takohesh me mëshirën e Hyjit dhe vendi ku manifestohet bollëku i hirit.

Kështu Ungjilli i sotëm na zbulon se në zemrën e Krishtit drejtësia dhe mëshira bashkohen në mënyrë të përsosur.

 

Shën Gregori i Madh pohonte se: “Mëkatarët janë të dashurit e Jezusit; Ai dëshiron t’i mbajë afër zemrës së Tij, ta shndërrojë mëkatin e tyre në hir dhe t’u japë paqe shpirtrave të tyre.”

 

O Jezus i mëshirshëm, na jep hirin që t’i dorëzojmë Ty të gjitha mëkatet tona, dhe mbushi zemrat tona me faljen dhe dashurinë Tënde. Amen.