Mk 6, 53-56 - “Të gjithë ata që e preknin, shëroheshin!”
09 Shkurt 2026
UNGJILLI I DITËS
“Të gjithë ata që e preknin, shëroheshin!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MARKUT - Mk 6, 53-56
Pasi lundruan deri në breg, arritën në Gjenezaret e aty e lidhën barkën. Posa dolën nga barka, njerëzit që e njohën menjëherë shpejtuan të shkojnë nëpër mbarë krahinën e filluan të sjellin të sëmurët në vigje atje ku dëgjonin se ishte. E kudo që hynte: në fshatra, në qytete apo në katunde, i vendosnin të sëmurët në sheshe dhe e lutnin t’ia preknin së paku kindin e petkut. Të gjithë ata që e preknin, shëroheshin.
Të dashur dëgjues ka ditë kur Ungjilli na tregon histori të veçanta; dhe ka ditë të tjera që thjesht përshkruan atë që ndodh. Edhe atëherë kur Jezusi nuk flet, flet prania e Tij, ndikimi i Tij, dhe krijon ngjarje të vërtetë.
Jezusi është Ai që shkon drejt njerëzve. Ai që e kalon detin për të arritur në breg. Ky është misteri i madh i mishërimit: Jezusi i ka përshkuar qiejt e qiejve për të hyrë në histori, dhe është bërë fort i afërt me ne. Fuqia e Tij shëruese buron nga zemra e Tij plot dashuri dhe shtrihet madje edhe deri tek petku i Tij.
Prandaj sapo njerëzit e njohin menjëherë vrapojnë drejt Tij.
Me njohjen e Jezusi lind menjëherë dëshira për të çuar para Tij atë pjesë të zemrës që na dhemb më së shumti. Ai lejon qw ta prekim dhe ta përjetojmë pushtetin e ëmbël të dashurisë së Tij. Në fakt, shumë herë Zoti shëron trupin për të na tërhequr drejt shërimit të shpirtit; sepse çfarë mund t’i shërbente njeriut një trup i shëndoshë, nëse zemra mbetet e plagosur nga mëkati?” Sigurisht ka raste kur Jezusi shëron trupin prej sëmundjeve të ndryshme, por ka edhe raste kur Ai na e jep hirin dhe forcën për të mbajtur kryqin. Në të dyja rastet, shpirti shërohet: sepse nuk është më vetëm. Shërimi i vërtetë është të jetosh në praninë e Zotit, dhe të jetosh në miqësi me Zotin. Kur e njohim Jezusin si Dashuri, zemra e jonë gjen paqe. Kur e njohim si Mjek, plagët tona marrin dritë. Po, njohja e Zotit është shërimi më i madh dhe miqësia me Të është dhurata më e bukur për secilin prej nesh. Shën Augustini shpjegon se prekja e Jezusit është simbol i afërsisë së ngushtë me Hyjin, dhe çdo besim i sinqertë ka efekt shërimi. Po për ne sot, cila është rruga e zakonshme pwr ta prekur Jezusin?
Për ne të dashur dëgjues rruga e zakonshme për ta “prekur” Jezusin janë sakramentet. Krishti përmes sakramenteve na çliron, na shëron dhe na jep jetwn e re në Të. Edhe kur trupi mbetet i dobët, shpirti mund të jetë i lirë, i fortë dhe plot shpresë.
Gjithashtu krahas Sakramenteve, është edhe Fjala e Zotit dhe Lutja. Fjala na shndrit dhe na bën të aftë ta njohim Jezusin. Ndërsa Lutja na mundëson me hy në marrëdhënie të vërtetë me Të, d.m.th. më e prekë Jezusin me zemër. Kështu edhe për ne, njohja e Krishtit bëhet njohje që na çon drejtë shërimit.
Kur zemra i afrohet Hyjit me besim të sinqertë, çdo akt i devotshmërisë bëhet një prekje e Tij, dhe na sjell dritë dhe shërim shpirtërore.
O Zot Jezus, më ndihmo të prek Ty me zemër. Mbushe shpirtin tim me besim të sinqertë, që të afrohem Ty dhe të lejoj që Ti, të më shërosh plotësisht. Amen.