“Mos ki frikë! Ti vetëm beso!”

03 SHKURT 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

 Mos ki frikë! Ti vetëm beso!”

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MARKUT -Mk 5, 21-43

 

 Kur Jezusi përsëri kaloi me barkë në anën tjetër, ngarendi tek ai turmë e madhe populli. Ai zuri vend në breg të detit.  Erdhi një nga kryetarët e sinagogës, që quhej Jair, e, kur e pa, ra në gjunjë para tij  dhe i lutej shumë: “E kam vajzën në fill të vdekjes! Eja, vëri duart mbi të që të shërohet e të jetojë!”  Jezusi shkoi me të. I shkonte pas një turmë e madhe dhe furej rreth tij nga çdo anë. Një grua ishte e sëmurë që prej dymbëdhjetë vjetësh nga derdhja e gjakut.  Hoqi shumë keq ndër mjekë të ndryshëm e shpenzoi gjithçka pati pa farë dobie ‑ por, ishte edhe më keq.  Ajo kishte dëgjuar për Jezusin, hyri në turmë e, pas shpinës, ia preku petkun Jezusit.  I thoshte mendja: “Nëse ia prek vetëm petkat, do të shërohem.”  Aty për aty iu ndal gjaku e në trupin e vet ndjeu se u shërua nga sëmundja.  Jezusi përnjëherë e ndjeu në vete fuqinë që shpërtheu prej tij, u soll në mes të turmës e tha: “Kush m’i preku petkat?”  Nxënësit e tij iu përgjigjën: “Po a s’e sheh popullin si të furet në katër anët e thua: ‘Kush më preku’“  Ai shikoi përreth për të parë atë që e kishte prekur.  Gruaja, plot frikë e tmerr, sepse e dinte se ç’i ndodhi, u afrua, ra me fytyrë për dhe para tij dhe tregoi tërë të vërtetën.  Ai i tha: “Bijë, feja jote të shpëtoi! Shko në paqe! Dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!”

 Ndërsa Jezusi ende po fliste, erdhën prej shtëpisë së kryetarit të sinagogës dhe i thanë: “Vajza jote vdiq. Pse ta trazosh më Mësuesin?”  Kur Jezusi dëgjoi ç’thanë, i tha kryetarit të sinagogës: “Mos ki frikë! Ti vetëm beso!”  Jezusi nuk lejoi ta përcjellë askush tjetër, përveç Pjetrit, Jakobit e Gjonit, vëllait të Jakobit.  Arritën te shtëpia e kryetarit të sinagogës. Jezusi vuri re një pështjellim të madh e njerëz që qanin e vajtonin me zë të lartë.  Hyri dhe u tha: “Pse bërtitni e vajtoni? Fëmija nuk ka vdekur, por fle.” Ata e përqeshën.  Jezusi atëherë i nxori përjashta të gjithë. Me vete mori të atin e t’ëmën e fëmijës e përcjellësit e vet dhe hyri atje, ku ishte fëmija.  E kapi fëmijën për dore e i tha: “Talitha kum!” që do të thotë: “Vajzë, unë po të them: çohu!”  Vajza aty për aty u ngrit e nisi të ecë. Ishte dymbëdhjetë vjeçe. Të gjithë mbetën pa masë të habitur.  Jezusi u urdhëroi rreptësisht të mos ia tregojnë askujt ngjarjen dhe u tha t’i japin vajzës të hajë.

 

Të dashur dëgjues në Ungjillin e sotëm, kemi dy histori të ndërthurura, dy dhimbje të ndryshme dhe një fjalë që i bashkon: besimi.

Në qendër është Jezusi, që ndalet, dëgjon, prek dhe ringjalle.

Dëgjuam se kryetarin e sinagogës, njeri me autoritet dhe i respektuar dhimbja për vajzën e tij e bën të bjerë në gjunjë para Jezusit dhe t’i lutet Atij. Kjo përvujtëri i hap derën e mrekullisë. Ndërsa Jezusi niset drejt shtëpisë së tij, hyn në mesin turmës një grua që e prek Jezusin dhe shërohet. Po kush është kjo grua? Ajo për shkak të sëmundjes, është një grua e përjashtuar nga shoqëria, e lodhur nga vuajtja dhe e heshtur nga turpi. Por kjo grua kishte diçka që turma nuk e kishte: besimin. Pikërisht ky besim i jep kurajo që t’i afrohet Jezusit. Ajo me besim të vërtetë ia preku petkun Jezusit dhe mori shërimin.

Jezusi edhe pse Jezusi ishte duke shkuar me nxitim drejt shtëpisë së Jairit, ndalet dhe pyet: “Kush më preku?” “Krishti ndalet jo sepse nuk e di, por dëshiron që të zbulojë fuqinë e besimit të fshehur. “Ai e nxjerr gruan nga fshehtësia, e vendos në dritë dhe e quan: “Bijë.” Gruaja është shëruar në trup dhe në shpirt.

 

Pastaj Jezusi Arriti te shtëpia e kryetarit të sinagogës dhe aty vuri re një pështjellim të madh e njerëz që qanin e vajtonin me zë të lartë. Është vajtimi dhe dëshpërimi i dhimbjes njerëzore që ende nuk e njeh fuqinë e Krishtit mbi vdekjen. Në fakt, ku mungon feja e gjallë, dhe dhimbja bëhet e zhurmshme, dhe dëshpëruese. Prandaj Jezusi i nxori të gjithë përjashta. Ishte e nevojshme të pushoj zhurma që Fjala e Jetës të dëgjohet.

Pastaj e mori vajzën për dore. Me këtë gjest Jezusi tregon afërsi, dhe butesi. Jezusi nuk lutet, por si Zot i jetës urdhëron: “Talitha kum.” Fjala aramaike “Talitha kum” ruhet nga Ungjilli për të treguar afërsinë dhe butësinë e Krishtit.

Po, Fjala që e krijoi njeriun në fillim, tani e thërret për ta rikthyer në jetë. Kështu në dhomën ku mbretëronte vdekja, një Fjalë u tha me butësi, një dorë u shtri me dashuri, dhe jeta u kthye. Krishti atë shtëpi vajtimi e ktheu në shtëpi gëzimi. Kështu të dashur dëgjuese do të ndolle edhe me zemrën tonë çdo herë që me besim dhe përvujtëri do ta thërrasim Jezusin. Përfundon Ungjilli duke thënë se Jezusi u tha t’i japin vajzës me hanger. Po, sepse jeta e re ka nevojë të ushqehet. Gjithashtu edhe jeta jonë shpirtërore ka nevojë për ushqim, d.m.th. për: Fjalën, Eukaristinë dhe lutjen.