Mos kini frikë!
06 PRILL 2026
UNGJILLI I DITËS
“Mos kini frikë!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT - Mt 28, 8-15
Ato menjëherë u larguan nga varri me frikë e njëherësh me gëzim të madh; shkuan me nxitim t’u lajmërojnë nxënësve të tij. Dhe ja, u doli Jezusi përpara e u tha: “Ju falem!” Ato u afruan, e përqafuan dhe e adhuruan. Atëherë Jezusi u tha: “Mos kini frikë! Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin.” Ndërsa gratë po shkonin, dhe ja, disa nga rojtarët arritën në qytet dhe i lajmëruan kryepriftërinjtë për krejt çka ndodhi. Këta u tubuan në këshillim me pleqtë, morën shumë të holla, ua dhanë ushtarëve dhe u thanë: “Thoni: nxënësit e tij erdhën natën e, ndërsa ne po flinim, e vodhën. Po qe se kjo fjalë i shkon në vesh qeveritarit, ne do të kujdesemi t’ia mbushim mendjen e juve s’do t’ju ndodhë asnjë e keqe.” Ata i morën paratë e bënë ashtu si i mësuan. Kjo përrallë është e përhapur ndër judenj edhe sot e kësaj dite.
Ungjilli i sotëm na tregon një nga momentet më të thella të përvojës së Pashkëve. Misteri i takimit me Krishtin e Ngjallur është një përmbysje e plotë e logjikës njerëzore dhe një thirrje e fuqishme për dëshmi. Ungjilli fillon duke treguar se: Gratë largohen nga varri “me frikë e njëherësh me gëzim të madh”. Kjo nuk është një kontradiktë, por shenjë e një përvoje autentike të Hyjit. Frikë sepse, në përvojën shpirtërore, kur njeriu takon vërtet Hyjin, kupton vogëlsinë e vet përpara misterit të Tij. Ndërsa gëzimi është fryti i menjëhershëm i pranisë së Krishtit të gjallë. Po, gëzimi është “shenja” e Ngjalljes që vepron në shpirtin e njeriut.
Dhe ja, Jezusi u del përpara dhe u thotë: “Ju falem!”. Krishti i Ngjallur nuk është një ide për t’u kërkuar, por një Person që del përpara nesh për të na takuar. Jezusi nuk është thjesht një kujtim historik, por Ai është i gjallë: Ai hyn në historinë tonë dhe ndryshon fatin e jetës sonë. Pa Ngjalljen, njeriu mbetet i mbyllur në vdekje; me Ngjalljen, ai hapet drejt përjetësisë. Gjithashtu, Ungjilli na kujton se nuk është njeriu që arrin tek Hyji, por Hyji që vjen drejt njeriut. Përshëndetja e Tij, “Ju falem!” (ose “Paqja qoftë me ju”), është shpallja e një realiteti të ri: paqja nuk është më thjesht mungesë konflikti, por prania e gjallë e Krishtit në jetën tonë. Ai është paqe e vërtetë brenda nesh.
Gratë u afruan, e përqafuan dhe e adhuruan. Ky gjest përmban dy dimensione thelbësore të besimit. E përqafuan - tregon afërsinë me Jezusin: Ai është real, i prekshëm dhe i gjallë.
E adhuruan - shpreh hyjninë e Tij: Ai është Zot. Prandaj Adhurimi është përgjigjja e vetme e duhur ndaj realitetit të Ngjalljes. Adhurimi nuk është nënshtrim i verbër, por njohje e së vërtetës dhe hyrje në një marrëdhënie dashurie me Të.
Atëherë Jezusi ju tha: “Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin.” Papa Françesku e interpreton Galilenë si: vendin e parë të dashurisë, si fillimin e marrëdhënies me Krishtin, aty ku thirrja u dëgjua për herë të parë. Aty do të jetë vendi ku Jezusi do t’i takoj përsëri dhe zemra e tyre do të rindezët me dashuri.
Prova e vërtetë e një takimi me Krishtin është dëshmia. Gratë bëhen apostujt e parë të Ngjalljes. Kur zemra është e mbushur me Krishtin, ajo nuk mund të heshtë. Kështu Ngjallja sjell tre pasoja konkrete: lirimin nga frika, dërgimin drejt të tjerëve, dhe premtimin e një takimi të ri me Zotin.
Në Ungjillin e sotëm shohim edhe dy përgjigje të ndryshme ndaj së njëjtës ngjarje: Gratë besojnë, gëzohen dhe shpallin. Ndërsa krerët paguajnë, manipulojnë dhe fshehin. Por gënjeshtra nuk mund ta shkatërrojë të vërtetën, sepse e Vërteta është Person dhe ky Person është i gjallë. Gënjeshtra vetëm e errëson zemrën.
Ky Ungjill bëhet një thirrje konkrete për secilin prej nesh që ta lejoje veten të preket nga gëzimi i Ngjalljes dhe mos mbyllemi në frikë tonë.
O Krisht i Ngjallur, preki zemrat tona me praninë tënde të gjallë. Liroji shpirtrat tanë nga çdo frikë dhe ndiz në ne gëzimin që vetëm Ti mund ta japësh. Na jep guximin për të dëshmuar të vërtetën dhe për të shpallur me jetën tonë se Ti je i gjallë. Bëj që paqja jote të banojë në ne dhe përmes nesh të arrijë tek të tjerët! Amen.