Na jep një zemër të thjeshtë, të pastër dhe të gatshme!
25 GUSHT 2026
UNGJILLI I DITES
“Na jep një zemër të thjeshtë, të pastër dhe të gatshme!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT- (Mt 23, 23-26)
Në atë kohë Jezusi tha, Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që lani të dhjetën e mendrës, të murajës e të kimit, por lini pas dore atë që është më e rëndësishme në Ligj: drejtësinë, mëshirën e besnikërinë! Këtë është dashur ta bëni e nga ajo e para, s’është dashur të hiqni dorë. Udhëheqës të verbër! Ju shtrydhni mushkonjën e kapërdini devenë! Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, sepse pastroni anën e jashtme të gotës e të enës, ndërsa përbrenda janë plot rrëmbime e papërkormëri! Farise i verbër! Pastroje më parë brendinë e gotës, që edhe përjashta të jetë e pastër!
Të dashur dëgjues, Në Ungjillin e sotëm Jezusi u drejton fjalë të forta skribëve dhe farisenjve: “Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që lani të dhjetën e mendrës, të murajës e të kimit, por lini pas dore atë që është më e rëndësishme në Ligj: drejtësinë, mëshirën e besnikërinë!.” (Mt 23,23) Këto fjalë nuk janë vetëm për njerëzit e kohës së Jezusit. Ato janë edhe një thirrje për secilin prej nesh që të shqyrtojmë jetën tonë shpirtërore.
Farisenjtë ishin shumë të kujdesshëm në respektimin e disa rregullave të jashtme. Ata numëronin edhe bimët më të vogla për të paguar të dhjetën. Por, ndërkohë, rrezikonin të harronin atë që ishte më e rëndësishme: dashurinë ndaj Hyjit dhe ndaj të afërmit. Edhe ne mund të biem në të njëjtin rrezik. Mund të kujdesemi për praktikat e jashtme fetare, por të harrojmë zemrën e Ungjillit.
Jezusi përmend tri virtyte themelore: drejtësinë, mëshirën dhe besnikërinë. Drejtësia- do të thotë t'i japim Hyjit dhe të afërmit atë që u takon. Nuk mund të themi se e duam Zotin nëse nuk jemi të drejtë në marrëdhëniet tona, në familje, në punë apo në shoqëri. Mëshira- është zemra e Ungjillit. Jezusi erdhi për të kërkuar të humburit, për të falur mëkatarët dhe për të shëruar të plagosurit. Shën Gjon Gojarti thotë: “Asgjë nuk e bën njeriun më të ngjashëm me Hyjin sesa mëshira.” Besnikëria- është qëndrueshmëria në dashuri. D.m.th. të qëndrojmë pranë Hyjit jo vetëm në momentet e gëzimit, por edhe në kohët e provës dhe të errësirës. Shenjtëria nuk ndërtohet me gjeste të jashtëzakonshme, por me besnikërinë e përditshme ndaj Zotit.
Jezusi përdor një figurë shumë të fortë: “Udhëheqës të verbër! Ju shtrydhni mushkonjën e kapërdini devenë!” (Mt 23,24) Jezusi këtu dëshiron të tregojë se nganjëherë njerëzit shqetësohen për gjëra të vogla, por harrojnë mëkatet dhe mangësitë më të mëdha. Disa herë mund të jemi shumë të rreptë me gabimet e vogla të të tjerëve, ndërsa nuk shohim krenarinë, egoizmin, mungesën e dashurisë apo mungesën e faljes në zemrën tonë! Kështu, “njeriu sheh shpesh gabimet e vogla të të tjerëve por, mbetet i verbër ndaj plagëve të zemrës së vet.”
Prandaj Jezusi na fton të fillojmë gjithmonë nga kthimi personal, duke na nxitë: “Pastroje më parë brendinë e gotës, që edhe përjashta të jetë e pastër!” (Mt 23,26) Kjo është zemra e mesazhit të ungjillit të sotëm. Hyji shikon para së gjithash zemrën. Ai nuk ndalet vetëm tek paraqitja e jashtme, por sheh qëllimet, dëshirat dhe qëndrimet më të thella të njeriut. Mund të dukemi të mirë para njerëzve, por zemra jonë mund të jetë e mbushur me gjykime, zili, krenari apo mungesë dashurie. Shën Gregori i Madh thotë: “Është e kotë të zbukurosh jetën e jashtme, nëse zemra mbetet larg Hyjit.” Kjo nuk do të thotë se veprat e jashtme nuk kanë rëndësi. Përkundrazi, ato janë të vlefshme kur burojnë nga një zemër e kthyer kah Zoti. Prandaj Jezusi na fton të kujdesemi për jetën e brendshme: për lutjen, pendimin, sinqeritetin dhe pastrimin e zemrës.
Të dashur dëgjues, ky Ungjill është një ftesë për të rikthyer thelbësoren në jetën tonë. Ndonjëherë mund të humbemi në gjëra dytësore dhe të harrojmë atë që ka më shumë rëndësi: të duam Hyjin, të jemi të mëshirshëm dhe të jetojmë me zemër të pastër.
Le ta pyesim veten:
A është feja ime vetëm një seri praktikash të jashtme?
A po rritem në dashuri, mëshirë dhe drejtësi?
A po e lejoj Krishtin ta pastrojë zemrën time?
O Jezus, Mësues i butë dhe i përvuajtur, Ti e njeh zemrën tonë më mirë se ne vetë. Pastroje brendësinë tonë nga çdo hipokrizi, krenari dhe mungesë dashurie. Na mëso të kërkojmë atë që është me të vërtetë e rëndësishme: drejtësinë, mëshirën dhe besnikërinë. Na jep një zemër të thjeshtë, të pastër dhe të gatshme për t'u kthyer çdo ditë tek Ti, që jeta jonë të bëhet një dëshmi e gjallë e Ungjillit. Amen.