Ndore tënde, o Zot, se u mbytëm!
30 QERSHOR 2026
UNGJILLI I DITËS
“Ndore tënde, o Zot, se u mbytëm!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT-(Mt 8, 23-27)
Në atë kohë, Jezusi si hyri në barkë, pas tij u nisën edhe nxënësit e tij. Dhe ja, në det u çua një stuhi e madhe aq sa valët po e mbulonin barkën; e ai flinte.
Atëherë nxënësit iu afruan, e zgjuan dhe i thanë: "Ndore tënde, o Zot, se u mbytëm!"
"Pse po frikësoheni, o fepakët?" - u tha dhe atëherë u ngrit, u urdhëroi erërave dhe detit e u bë qetësi e madhe. Njerëzit të habitur thoshin: "Kush është ky që po i nënshtrohen erërat dhe deti?"
Pjesa e Ungjillit të sotëm që dëgjuam, na paraqet episodin e qetësimit të stuhisë në det. Pas një dite të gjatë mësimi dhe shërbimi, Jezusi hipën në barkë së bashku me nxënësit e Tij. Papritur çohet një stuhi e fortë, aq sa dallgët hynë edhe në barkë. Ndërsa nxënësit janë të pushtuar nga frika, Jezusi fle. Ky kontrast ndërmjet trazimit të nxënësve dhe qetësisë së Jezusit është çelësi për të kuptuar thellësinë shpirtërore të këtij teksti.
Stuhia përfaqëson të gjitha situatat e jetës që na bëjnë të ndihemi të pafuqishëm: vuajtjet, sëmundjet, humbjet, pasiguritë, krizat familjare apo shpirtërore. Edhe dishepujt, megjithëse janë pranë Jezusit, nuk janë të përjashtuar nga sprovat. Prania e Krishtit në barkë nuk e pengon stuhinë të shpërthejë, por garanton që ajo nuk do ta ketë fjalën e fundit.
Kur dallgët kërcënojnë barkën, nxënësit e zgjojnë Jezusin duke thirrur: "Ndore tënde, o Zot, se u mbytëm!" Kjo lutje e shkurtër është një nga lutjet më të bukura të Ungjillit. Në momentin e rrezikut, ata e njohin se shpëtimi nuk mund të vijë nga forcat e tyre, por vetëm nga Zoti. Edhe pse besimi i tyre është ende i papjekur, ata dinë se kujt duhet t’i drejtohen.
Jezusi u përgjigjet: "Pse po frikësoheni, o fepakët”. Ai nuk i qorton sepse e zgjuan, por sepse lejuan që frika të bëhej më e madhe se besimi. Problemi nuk është stuhia, por mungesa e besimit në praninë dhe fuqinë e Hyjit. Frika është një përvojë njerëzore, por dishepulli është i thirrur të mos mbetet rob i saj.
Shën Gjon Gojarti komenton se Jezusi lejoi që stuhia të çohej për t’i edukuar nxënësit në besim. Sipas tij, sprovat shpesh bëhen vendi ku njeriu mëson të mbështetet jo në forcat e veta, por në fuqinë e Zotit. Vetëm pasi e përjetuan pafuqinë e tyre, nxënësit mund të kuptonin më thellë se kush ishte Jezusi.
Pastaj Jezusi ngrihet, urdhëron erërat dhe detin, dhe bëhet një qetësi e madhe. Në Bibël, deti shpesh simbolizon forcat e së keqes. Fakti që Jezusi sundon mbi to tregon autoritetin e Tij hyjnor. Ai nuk lutet që stuhia të pushojë; Ai urdhëron dhe natyra i bindet. Kjo është një shenjë se në Të vepron vetë fuqia e Hyjit.
Nga ana tjetër na ofrohet edhe një interpretim shpirtëror shumë i bukur. Barka simbolizon zemrën e besimtarit dhe stuhia përfaqëson tundimet, shqetësimet dhe pasionet që e trazojnë atë. Kur duket sikur Jezusi fle, kjo do të thotë se besimi është dobësuar. Ta zgjojmë Krishtin do të thotë të rizgjojmë besimin përmes lutjes dhe kujtimit të fjalës së Tij. Atëherë paqja kthehet në zemrën tonë.
Barka shihet edhe si figura e Kishës që lundron nëpër historinë e botës. Ajo përballet me kundërshtime, përndjekje dhe sprova, por nuk fundoset, sepse Krishti është gjithmonë në të. Edhe kur duket i heshtur, Ai mbetet i pranishëm dhe vepron në kohën e duhur.
Reagimi i nxënësve në fund është plot habi: “Kush është ky, të cilit i binden edhe erërat dhe deti?” Kjo pyetje është zemra e kësaj pjese të Ungjillit. Mrekullia nuk ka për qëllim vetëm të qetësojë stuhinë, por të zbulojë identitetin e Jezusit. Ai nuk është thjesht një mësues apo profet; Ai është Zoti që ka pushtet mbi krijimin dhe mbi çdo forcë që kërcënon jetën e njeriut.
Le ta pyesim veten:
- Cilat janë stuhitë që po trazojnë jetën time në këtë periudhë?
- Kur përballem me frikë dhe pasiguri, a i drejtohem Jezusit me besim apo mbështetem vetëm në forcat e mia?
- Si mund ta forcoj besimin tim në praninë e Krishtit edhe kur Ai duket i heshtur?
Lutja:
O Zot Jezus, Ti që qetësove erërat dhe detin me një fjalë të vetme, shikoji edhe stuhitë e zemrës sime. Kur frika më pushton dhe kur sprovat më duken më të mëdha se forcat e mia, më ndihmo të mos harroj se Ti je me mua. Zgjoje besimin tim kur dobësohet, forcoje shpresën time kur lëkundet dhe mbushe zemrën time me paqen Tënde. Amen.