Në këto fjalë shumë besuan në Të
24 MARS 2026
UNGJILLI I DITES
“Në këto fjalë shumë besuan në Të”
PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS GJONIT - Gjn 8, 21-30
Jezusi u tha përsëri: “Unë po shkoj e ju do të më kërkoni dhe do të vdisni në mëkatin tuaj. Ku unë shkoj, ju s’mund të vini.” Atëherë judenjtë thanë: “A mos mendon të vrasë veten pasi thotë: ‘Ku unë shkoj ju s’mund të vini?’“ E Jezusi u tha: “Ju jeni prej këtu poshtë kurse unë jam prej së Larti. Ju jeni prej kësaj bote kurse unë nuk jam prej kësaj bote. Prandaj edhe ju thashë: ‘Do të vdisni në mëkatet tuaja!’ Për të vërtetë nëse nuk besoni se UNË JAM do të vdisni në mëkatet tuaja.” Atëherë ata i thanë: “Kush je ti?” “Po përse ‑ u përgjigj Jezusi ‑ t’ju tregoj prapë prej fillimit? Shumë gjëra kam për të thënë për ju e të gjykoj; porse Ai, që më dërgoi, është i vërtetë dhe çka dëgjova prej Tij atë i them botës.” Ata nuk e morën vesh se u foli për Atin. Atëherë Jezusi u tha: “Kur ta ngritni Birin e njeriut, atëherë do ta merrni vesh se UNË JAM dhe se prej vetvetes nuk bëj asgjë, por flas ashtu si më mësoi Ati. Ai që më dërgoi, është me mua e nuk më la vetëm, sepse unë gjithmonë bëj çka i pëlqen Atij.” Në këto fjalë të tij, shumë besuan në Të.
Ungjilli i sotëm është një ecje e brendshme drejt njohjes së Jezusit. Është dialog që ndodh gjatë mësimit të Jezusit në tempull me judenjtë dhe udhëheqësit fetarë që e kundërshtonin. Ungjilli fillon duke treguar se Jezusi u tha: “Unë po shkoj e ju do të më kërkoni dhe do të vdisni në mëkatin tuaj.” Sigurisht, Jezusi nuk i thotë këto fjalë për të kërcënuar, por për të zgjuar ndërgjegjen. Dhe “Unë po shkoj” është një referencë për: vdekjen, ringjalljen, dhe kthimin tek Ati. Ndërsa fraza “do të vdisni në mëkatin tuaj”, në teologjinë biblike nënkupton: vdekjen pa pajtim me Zotin. Prandaj ky rresht është një thirrje serioze për kthim tek Zoti, sepse kërkimi i Zotit pa kthim të zemrës nuk na sjell shpëtim.
Shën Augustini thotë edhe: në jetën tonë shpirtërore ndodh shpesh kjo përvojë: Zoti duket sikur largohet. Njeriu ndonjëherë përjeton heshtjen e Zotit, mungesën e pranisë së tij, errësirën shpirtërore. Por Krishti nuk largohet për të na braktisur; Ai largohet që besimi të bëhet më i thellë. Por Judenjtë thonë: “A mos mendon të vrasë veten”. Dialogu tregon një hendek të madh mes asaj që Jezusi thotë dhe asaj që ata kuptojnë. Kjo mund të na ndodhë edhe ne, të dashur dëgjues. Ne mund ta dëgjojmë fjalën e Zotit, por ta interpretojmë sipas kategorive tona njerëzore: interesave tona, frikave tona dhe mënyrës sonë të të menduarit. Për ta kuptuar Jezusin, duhet të kemi një dëgjim të brendshëm dhe zemër të hapur ndaj Shpirtit të Zotit. Për këtë arsye Jezusi u thotë: “Ju jeni prej këtu poshtë kurse unë jam prej së Larti.” Shën Cirili i Aleksandrisë thotë: “Poshtë” nuk do të thotë thjesht tokë; do të thotë mendje e lidhur me gjërat kalimtare, zemër e robëruar nga pasionet, shpirt që nuk lartësohet drejt Zotit. Ndërsa Krishti është “nga lart”, sepse Ai vjen nga Ati dhe Ai është burimi i jetës hyjnore. Edhe ne jemi të thirrur të jetojë në botë, por me një zemër të orientuar drejt qiellit. Po, jeta e krishterë është një transformim: nga mentaliteti i botës drejt mentalitetit të Krishtit.
Perseri Jezusi ju thotë: “Për të vërtetë, nëse nuk besoni se UNË JAM, do të vdisni në mëkatet tuaja.” Shprehja “Unë jam” lidhet me zbulimin e Emrit të Zotit në Librin e Daljes 3, kur: Hyji i tha Moisiut:“Unë jam ai që jam”! Me të vërtetë, shpëtimi vjen kur njeriu pranon Jezusin si Zotin e Jetës. Pa këtë besim, njeriu mbetet i mbyllur në mëkat.
Ata atëherë e pyesin Jezusin: “Kush je ti?” Kjo është një pyetje thelbësore edhe për çdo njërin prej nesh. Kush është Jezusi për mua? Besimi rritet kur njeriu kërkon ta njohë më thellë Krishtin.
Në Ungjillin e sotëm kuptojmë edhe se Fjala e Krishtit është njëkohësisht dritë dhe gjykim. Ajo zbulon të vërtetën e zemrës sonë. Prandaj dëgjimi i fjalës kërkon besim dhe gatishmëri për ta pranuar dhe për ta lejuar të na ndryshoj.
Jezusi ju thotë edhe: “Kur ta ngritni Birin e njeriut, atëherë do ta merrni vesh se UNË JAM.” Këtu është një referencë e qartë për kryqin. Në kryq zbulohet kush është Jezusi. Në kryq zbulohet se Hyji është dashuri që dhurohet plotësisht. Për këtë arsye, meditimi mbi kryqin është një nga rrugët më të thella për ta njohur Krishtin.
Vazhdon Jezusi duke ju thanë se: “Ai që më dërgoi, është me mua e nuk më la vetëm…” Ati nuk e braktis Birin sepse mes tyre ekziston një bashkim i përjetshëm dashurie. Jezusi flet dhe vepron në bashkim të plotë me Atin. Ungjilli përfundon duke thënë se: “Shumë besuan në Të.” Po, edhe pse ka kundërshtime, keqkuptime dhe armiqësi, fjala e Jezusit vazhdon të prekë zemrat.
Në fund, pyetja që del nga ky Ungjill edhe për ne është: Kush është Jezusi për mua?
Nga përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje varet i gjithë kuptimi i jetës dhe i ekzistencës sonë.
O Jezus, Ti që je drita që ndriçon zemrat tona, na ndihmo të njohim gjithnjë e më shumë.
Na mëso të shohim në kryqin tënd dashurinë që shpëton dhe të besojmë se Ti je gjithmonë me ne. Amen.