Nëse duhet ta ndreqësh dikë, fol me të, jo për të!

12 GUSHT 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

Nëse duhet ta ndreqësh dikë, fol me të, jo për të!

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT-(Mt 18, 15-20)

 

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: “Në qoftë se vëllai yt mëkaton [kundër teje], qortoje vetëm për vetëm. Në qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllain tënd. Po qe se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy njerëz të tjerë, që çdo gjë të mbështetet në pohimin e dy ose tre dëshmitarëve. Në qoftë se as ata nuk i dëgjon, tregoji Kishës. Nëse as Kishën nuk e dëgjon, mbaje si të ishte pagan ose tagrambledhës. Përnjëmend po ju them: çdo gjë që ju të lidhni përmbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell dhe, çdo gjë që ju të zgjidhni mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell. Prapë po ju them: nëse dy vetë prej jush këtu mbi tokë, të një mendimi, luten për çfarëdo gjëje, Ati im që është në qiell, do t’ua japë. Sepse, ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, mes tyre.”

 

Fillon Ungjilli me fjalët: "Në qoftë se vëllai yt mëkaton..." Dëgjoni, të dashur dëgjues, Jezusi nuk thotë: "nëse armiku yt mëkaton", por "vëllai yt". Mëkati e plagos njeriun, por nuk ia heq dinjitetin që ka marrë nga Hyji. Pikërisht për këtë arsye, Jezusi na mëson ta shohim atë që gabon si vëllanë tonë.

Më pas Jezusi thotë: "Qortoje vetëm për vetëm." Jo: "qortoje para të gjithëve, thuaja gabimet e tij para njerëzve". Pra, Ungjilli na thotë qartë: qortoje në fshehtësi atë që dëshiron ta fitosh, sepse Jezusi kërkon shërimin e tij, jo poshtërimin e tij. Prandaj, hapi i parë është gjithmonë vetëm për vetëm dhe me respekt për dinjitetin e tij. Kështu i japim mundësinë të reflektojë, të kuptojë gabimin dhe të ndryshojë.

Një nga tundimet më të mëdha në marrëdhëniet tona është të flasim për njerëzit, kur Jezusi na kërkon të flasim me njerëzit. Në fakt, është më e lehtë të flasësh për gabimin e tjetrit sesa t'ia thuash me dashuri atij vetë. Por Jezusi na fton të zgjedhim rrugën më të vështirë, por edhe më shëruese. Edhe Shën Françesku i Sales na kujton: "Mos fol kurrë keq për askënd. Nëse duhet ta ndreqësh dikë, fol me të, jo për të."

Pastaj Jezusi shton: "Në qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllain tënd." Suksesi i korrigjimit nuk matet me faktin se kishe të drejtë, por me faktin se fitove zemrën e vëllait. Të fitosh një debat është pak; të fitosh një shpirt për Krishtin është një fitore e përjetshme.

Prandaj, kur ndihmojmë një njeri të kthehet te Hyji, ne bashkëpunojmë me veprën më të bukur që mund të kryhet mbi tokë: shpëtimin e një shpirti.

Kur ndodh që fjala jonë nuk mjafton, Jezusi na mëson të mos dorëzohemi: "Merr me vete edhe një ose dy njerëz të tjerë." Sigurisht, Krishti nuk urdhëron të marrësh dëshmitarë për ta turpëruar mëkatarin, por për ta ndihmuar të pranojë të vërtetën. Prandaj, ata duhet të jenë njerëz të urtë dhe paqedashës, që dinë të ndërtojnë pajtimin dhe jo të ushqejnë konfliktin, në mënyrë që vëllai të mos ndihet i sulmuar, por i ndihmuar.

Vazhdon Jezusi: "Në qoftë se as ata nuk i dëgjon, tregoji Kishës." Në këtë pjesë zbulohet edhe natyra e Kishës. Ajo nuk është një bashkësi njerëzish të përsosur, por një familje ku bijtë e Hyjit ndihmojnë njëri-tjetrin të rriten në shenjtëri.

Një Kishë që nuk korrigjon nga dashuria rrezikon të bëhet indiferente ndaj shpëtimit të bijve të saj. Por një Kishë që korrigjon pa dashuri pushon së pasqyruari zemrën e Krishtit.

Në fund Jezusi thotë: "Nëse as Kishën nuk e dëgjon, mbaje si të ishte pagan ose tagrambledhës." Në pamje të parë, këto fjalë të Jezusit mund të duken si një përjashtim nga bashkësia. Por, kur shohim mënyrën se si Ai i trajtoi paganët dhe tagrambledhësit, zbulojmë kuptimin e tyre të vërtetë. Jezusi nuk i përbuzi kurrë; përkundrazi, Ai i kërkoi, u ul në tryezë me ta, u fali mëkatet dhe i ftoi në një jetë të re. Prandaj, këto fjalë nuk janë një urdhër për ta urryer apo për ta braktisur vëllanë, por një kujtesë se ai ka nevojë edhe më shumë për dashurinë tonë, për lutjen tonë dhe për një shpallje të re të Ungjillit.

Qortimi vëllazëror kërkon jo vetëm të vërtetën, por edhe urtinë për të zgjedhur kohën e duhur dhe mënyrën e përshtatshme. Jo çdo çast është i përshtatshëm për të folur.

Mund të ndodhë që personi të jetë i zemëruar, i mbyllur ose i paaftë për të dëgjuar. Nëse e kuptojmë se fjalët tona në atë moment nuk do të sjellin shërim, por vetëm do ta acarojnë më shumë situatën, është më mirë të presim. Gjithashtu, kur zemra jonë është e mbushur me mllef, zemërim ose plagë të pashëruara, edhe fjalët më të drejta mund të shndërrohen në armë që hapin plagë të reja. Prandaj, ndonjëherë është më mirë të presim, të lutemi dhe të qetësojmë zemrën, që fjala jonë të mos vijë nga zemërimi, por nga dashuria.

Në fund ungjilli zbulon se fuqia e "lidhjes dhe zgjidhjes" nuk është pushtet njerëzor, por shërbim dashurie: të lidhësh atë që bashkon me Hyjin dhe të zgjidhësh nyjet e mëkatit, plagëve dhe përçarjeve. Çdo falje, çdo pajtim dhe çdo përpjekje për ta fituar vëllanë ka një jehonë në qiell, sepse prek zemrën e Krishtit. Hyji nuk vepron vetëm në thellësinë e zemrës së secilit, por edhe në bashkimin e bijve të Tij. Kur dy ose tre mblidhen në emrin e Krishtit, ata bëhen një vend ku Ai është i pranishëm. Aty ku zemrat luten së bashku, falin dhe kërkojnë vullnetin e Hyjit, aty Krishti sjell shërimin, paqen dhe jetën e re.

 

O Hyj i mirë, na dhuro shikimin e zemrës sate, që çdo vëlla ta shohim me mëshirë dhe ta udhëheqim me dashuri. O Jezus, qëndro në mesin tonë dhe shëro në zemrat tona çdo plagë e hidhërim, që fjalët tona të jenë gjithmonë një zë që ngushëllon dhe një dritë që udhëheq drejt shërimit dhe paqes. Amen.