Njeriu i urtë është ai i dëgjon Fjalët e mia
25 QERSHOR 2026
UNGJILLI I DITËS
“Njeriu i urtë është ai i dëgjon Fjalët e mia”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT-(Mt 7, 21-29)
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: "Jo secili që më thotë: 'O Zot, o Zot!' do të hyjë në Mbretërinë e qiellit, por ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell. Shumë do të më thonë atë ditë: 'O Zot, o Zot, a nuk profetizuam në Emër tënd, a nuk i nxorëm shpirtrat e këqij në Emër tënd, a nuk bëmë shumë mrekulli në Emër tënd?' Atëherë unë do t'ju them: Kurrë nuk ju kam njohur! Shporruni prej meje, o bakëqij! Kështu, kushdo i dëgjon këto fjalë të mia dhe i shtjen në veprim, mund të krahasohet me njeriun e urtë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet mbi shkëmb. Ra shiu, u çuan përrenjtë, frynë erërat e u përplasën për atë shtëpi, por ajo nuk u rrëzua, sepse i kishte themelet në shkëmb. Kurse, ai që i dëgjon të gjitha këto fjalë të mia e nuk i shtjen në veprim, mund të krahasohet me njeriun e marrë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet mbi rërë. Ra shiu, u çuan përrenjtë, frynë erërat dhe u përplasën për atë shtëpi e ajo u rrëzua: rrënimi i saj qe i madh!" Kur Jezusi i kreu këto fjalime, turma e popullit mbeti e habitur nga mësimi i tij, sepse vërtet i mësonte si njeriu që ka autoritet, e jo si skribët e tyre.
Pjesa e Ungjillit të sotëm, përbën një nga thirrjet më të forta të Jezusit për një besim autentik. Ai paralajmëron se nuk mjafton të themi “o Zot, o Zot”, për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit, por duhet të bëjmë vullnetin e Atit qiellor. Kjo fjalë na fton të kalojmë nga një fe e shprehur vetëm me fjalë, në një marrëdhënie konkrete me Hyjin, e cila duket në veprat, në zgjedhjet tona dhe në mënyrën e jetesës.
Jezusi thotë: “Jo kushdo që më thotë: ‘O Zot, o Zot’, do të hyjë në Mbretërinë e Qiejve, por ai që bën vullnetin e Atit tim.” Këtu zbulohet një e vërtetë themelore: besimi i krishterë nuk është thjesht njohje intelektuale e Krishtit, as praktikë e jashtme fetare, por bindje e zemrës që shndërrohet në jetë. Mund të ekzistojë një kontrast i dhimbshëm ndërmjet asaj që themi dhe asaj që jetojmë. Jezusi nuk gjykon fjalët tona, por vërtetësinë e zemrës sonë.
Në vazhdim, Jezusi flet për ata që profetizojnë, dëbojnë djajtë dhe bëjnë mrekulli në emrin e Tij, dhe pikërisht atyre u thotë: “Nuk ju kam njohur kurrë.” Kjo pjesë na kujton se edhe dhuntitë shpirtërore apo veprimtaritë fetare nuk janë garanci e shenjtërisë. Ajo që ka rëndësi është bashkimi real me Krishtin.
Siç thekson Shën Augustini- kur thotë se, Hyji nuk kërkon vetëm vepra të jashtme, por dashurinë prej së cilës ato burojnë. Veprat mund të jenë të mëdha në sytë e njerëzve, por pa dashuri dhe pa bindje ndaj Hyjit ato mbeten të zbrazëta.
Më pas Jezusi paraqet shëmbëlltyrën e dy ndërtuesve. Njeriu i urtë ndërton shtëpinë mbi shkëmb, ndërsa i marri mbi rërë. Shiu, lumenjtë dhe erërat godasin të dyja shtëpitë. Kjo tregon se sprovat janë pjesë e jetës së çdo njeriu; ndryshimi nuk qëndron tek mungesa e vështirësive, por tek themeli mbi të cilin kemi ndërtuar. Shkëmbi është vetë Krishti dhe fjala e Tij e vënë në praktikë. Ta dëgjosh Ungjillin pa e jetuar atë është si të ndërtosh mbi rërë: pamja mund të jetë e bukur, por mungon qëndrueshmëria. Kur vijnë vuajtjet, tundimet ose krizat, shihet qartë se mbi çfarë e kemi mbështetur jetën tonë.
Jezusi nuk e quan të urtë atë që vetëm dëgjon, por atë që dëgjon dhe vepron. prandaj, njohja e së vërtetës sjell përgjegjësi: sa më shumë ta njohim Fjalën e Hyjit, aq më tepër jemi të thirrur ta mishërojmë atë në jetën e përditshme.
Ndërtimi i shtëpisë që thotë Jezusi është vetë jeta e njeriut. Kur themelet janë virtytet, lutja dhe dashuria ndaj Hyjit, stuhitë nuk mund ta rrëzojnë. Por kur njeriu mbështetet vetëm në sukses, prestigj apo siguri kalimtare, ai ndërton mbi rërë.
Përfundimi i kësaj pjese është domethënës: turmat mbeteshin të mahnitura, sepse Jezusi mësonte “si ai që ka autoritet”. Autoriteti i Tij nuk vinte nga citimet apo traditat njerëzore, por nga identiteti i Tij si Biri i Hyjit. Fjala e Tij nuk është vetëm mësim; ajo është fjalë që shpëton, gjykon dhe ndërton jetën. Fjala e Tij është dëshmi jete.
Të dashur dëgjues, Ungjilli i sotëm na fton të pyesim veten: A është Krishti vërtet themeli i jetës sonë? A është besimi ynë vetëm në fjalë dhe ndjenja, apo shprehet në zgjedhje konkrete dhe me vepra? Çdo ditë me fenë dhe veprat tona e ndërtojmë shtëpinë tonë shpirtërore. Çdo akt dashurie, faljeje, besnikërie dhe bindjeje ndaj Hyjit vendos një gur mbi shkëmbin e fortë që është Krishti.
Lutja:
O Zot Jezus Krisht, Ti je shkëmbi i palëkundur mbi të cilin dëshirojmë të ndërtojmë jetën tonë. Mos lejo që besimi ynë të mbetet vetëm në fjalë, por bëje të gjallë në veprat e dashurisë, drejtësisë dhe mëshirës. Na jep hirin të dëgjojmë Fjalën Tënde me zemër të hapur dhe ta zbatojmë me besnikëri çdo ditë. Kur të vijnë stuhitë e jetës, na mbaj të qëndrueshëm në Ty, që të mos largohemi kurrë nga prania jote. Bëj që jeta jonë të dëshmojë se Ti je Zoti ynë dhe shpëtimi ynë. Amen.