Nuk erdha për ta shlyer Ligjin, por për ta përkryer!

 

15 Shkurt 2026

UNGJILLI I DITËS

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT - Mt 5, 17 – 37

 

 “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s’erdha të shlyej, por të përkryej.  Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit, por do të zbatohen të gjitha.  Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë njerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit; ndërsa ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.  Sepse, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.”

  “Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos vra!’ Kush vret do të jetë përgjegjës para gjyqit.  E unë po ju them: Kushdo zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit; e kush t’i thotë vëllait të vet: ‘Budalla’, do të jetë përgjegjës para Sinedrit; kush t’i thotë: ‘I marrë’, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit.  Pra, nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje,  lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllain tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde!

 Rregullohu shpejt me kundështarin tënd sa të jesh ende në udhëtim me të, që kundërshtari të mos të të dorëzojë te gjykatësi e ky te rojtari i gjyqit, që të mos të ndryejnë në burg.  Për të vërtetë po të them: s’do të dalësh prej andej para se ta paguash edhe paranë më të fundit.”

  “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Mos e the kurorën!’  E unë po ju them: kushdo që me dëshirim e shikon një grua, në zemrën e vet e ka bërë fëlligështinë me të.  Nëse syri yt i djathtë të çon në mëkat, nxirre e flake larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët e tua, se i tërë trupi yt të hidhet në ferr.  E nëse dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje e hidhe larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh një gjymtyrë se i tërë trupi yt të hidhet në ferr.”

  “Qe thënë edhe: ‘Kush e ndan gruan e vet, le t’ia japë letrën e ndarjes.’  E unë po ju them: kushdo e ndan gruan e vet ‑ përveçse në rastin e fëlligështisë ‑ e bën atë të thyejë kurorën; e nëse ndokush martohet me gruan e ndarë, then kurorën.”

  “Keni dëgjuar gjithashtu se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos e the betimin, por zbato çka i ke premtuar Zotit me betim!’  E unë po ju them: assesi mos u betoni; as me Qiell, sepse ai është froni i Hyjit, as me Tokë, sepse ajo është shtroja e këmbëve të tij as me Jerusalem, sepse ai është qyteti i Mbretit të madh.  Mos bëj be as në kokën tënde, sepse nuk je i zoti as një fije floku ta bësh të bardhë ose të zezë.  Fjala juaj le të jetë: Po, po; jo, jo! Çka do që është më tepër se kaq, vjen prej Qoftëlargut.”

 

 

 

Të dashur dëgjues, fjalia e Jezusit “Nuk erdha për ta shlyer Ligjin, por për ta përkryer” tregon se Ai nuk e hedh poshtë Ligjin e Moisiut, por e çon atë në kuptimin e tij më të thellë, në qëllimin për të cilin Zoti e ka dhënë. Edhe kur Jezusi thotë se drejtësia jonë duhet të jetë më e madhe se e skribëve dhe farisenjve, bën fjalë për: kalimin nga ligji i frikës te ligji i dashurisë; nga bindja e jashtme te bashkimi i brendshëm me vullnetin e Zotit. Edhe skribët dhe farisenjtë e respektonin Ligjin, por shpesh pa mëshirë, pa dhembshuri, pa dashuri. Prandaj Jezusi kërkon një drejtësi më të madhe, jo më të rreptë, por më njerëzore dhe më hyjnore njëkohësisht.

Gjithashtu në Ungjillinn e sotëm, Jezusi zhvendos vëmendjen nga vrasja si akt i jashtëm tek zemërimi si burim i saj. Sigurisht, nuk e barazon zemërimin me vrasjen, por na tregon se ato kanë të njëjtën rrënjë, sepse vrasja fillon në: zemërim, përçmim, fyerje dhe mbyllje ndaj tjetrit. Edhe kur Jezusi thotë: e kush t’i thotë vëllait të vet: ‘Budallë ’, apo “i marrë”, nuk e ka fjalën për një sharje të thjeshtë, por për mohimin e dinjitetit të tjetrit. Prandaj Jezusi e vendos marrëdhënien me vëllain në zemër të kultit. Feja e krishterë, të dashur dëgjues, nuk është ide apo ritual, por vendosje e marrëdhënieve të drejta: me Hyjin dhe me tjetrin.

Nëse marrëdhënia me të afërmin nuk është e mirë, atëherë Jezusi na thotë:Rregullohu shpejt me kundërshtarin tënd sa të jesh ende në udhëtim”. Koha është vendimtare dhe zemërimi që mbajmë brenda vetes bëhet zinxhir që na bën të jetojmë si të burgosur. Për këtë arsye pajtimi nuk duhet shtyrë. Vonesa e pajtimit e ngurtëson zemrën, dhe e shndërron fenë në formalizëm. Jezusi më thotë mua dhe të thotë ty që po më dëgjon:

Sot është dita për pajtim.

Në ungjillin e sotëm dëgjuam edhe në lidhje me kurorëthyerjen. Prej fjalëve të Jezusit kuptojmë se problemi nuk është vetëm akti i jashtëm i kurorëthyerjes, por rrënja e saj që është në zemrën e njeriut. Sigurisht, kur flitet për shikimin me dëshirë, nuk bëhet fjalë për një ndjenjë spontane, por, për një vendim të brendshëm; që do të thotë ta përdorësh tjetrin për kënaqësinë tënde. Pra, mëkati fillon aty ku tjetri nuk shihet më si person, por si objekt dëshire dhe kënaqësie.

“Nëse syri yt të çon në mëkat, nxirre. E nëse dora jote të çon në mëkat, preje”. Këtu Jezusi përdorë një gjuhë simbolike dhe profetike, për të treguar se: ndonjëherë kërkohen vendime rrënjësore për të ruajtur pastërtinë e zemrës. Që nuk do të thotë, “Jo dashuri”, por “dashuri e vërtetë”, që respekton tjetrin si person të krijuar nga Zoti. Ndërsa për Etërit e kishës: “syri” dhe “dora” simbolizojnë: zakonet, marrëdhëniet, dhe dëshirat që na çojnë në mëkat. Me të vërtetë, të dashur dëgjues, nëse diçka, na largon nga Zoti, duhet të hiqet prej nesh.

 

O Jezus, Fjalë e përmbushur, shkruaje Ligjin Tënd në zemrën time. Pastroji mendimet, shëroji fjalët, dhe bëje jetën time një “Po” të vërtetë për Ty. Amen.