Nxënësit e Jezusit nuk agjërojnë sepse janë në gëzimin e pranisë së Tij!
20 Shkurt 2026
UNGJILLI I DITES
“Nxënësit e Jezusit nuk agjërojnë sepse janë në gëzimin e pranisë së Tij!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT- Mt 9, 14-15
Atëherë iu afruan nxënësit e Gjonit e i thanë: “Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, kurse nxënësit e tu nuk agjërojnë?” Jezusi u përgjigj: “A është e mundur të mbajnë zi dasmorët derisa të jetë me ta dhëndri? Por, do të vijë koha, kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin. Atëherë edhe ata do të agjërojnë.
Ungjilli i sotëm fillon me një pyetje që nxënësit e Gjonit ia bëjnë Jezusit: Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, kurse nxënësit e tu nuk agjërojnë? Në lidhje me këtë pyetje, me së pari dua të themi se: kur besimi bëhet zakon pa dashuri, lindin gjithmonë shumë ankesa: Pse ju nuk bëni si ne? Pse kështu e pse ashtu? Prandaj, të dashur dëgjues, besoj se na bën mirë që herë pas herë të mendojmë: Pse jam duke u ankuar? Ku e kanë burimin ankesat e mia? Farisenjtë dhe nxënësit e Gjonit ishin të fokusuar tepër shumë tek rregulli, prandaj e kanë fort të vështirë që t’i pranojnë të tjerët, kur nuk veprojnë si ata. Në këtë rast shprehin ankimet e tyre duke bërë krahasime të kota.
Jezusi u përgjigjet: “A është e mundur të mbajnë zi dasmorët derisa të jetë me ta dhëndri? Në këtë përgjigje Jezusi e quan veten Dhëndër dhe në Besëlidhjen e Vjetër, Zoti paraqitet si Dhëndri i Izraelit – një simbol i lidhjes, i dashurisë dhe i premtimit të përjetshëm. Jezusi, duke përdorur këtë titull, na zbulon identitetin e Tij hyjnor, por edhe thelbin e marrëdhënies që Ai dëshiron të ketë me secilin prej nesh.
Gjithashtu të dashur dëgjues në përgjigjen që Jezusi jep shihet qartë se Ai nuk e mohon vlerën e agjërimit, por tregon se çdo praktikë shpirtërore ka kohën e vet. Ka kohë për agjërim dhe pendesë, ka kohë për gëzim.
Nxënësit e Jezusit nuk agjërojnë sepse janë në gëzimin e pranisë së Tij; por do të vijë koha e dhimbjes, dhe atëherë agjërimi do të bëhet shprehje e pritjes dhe e dëshirës për Dhëndrin. Agjërimi i vërtetë pra lind nga mungesa e Dhëndrit, nga etja për Të. Mund të themi se në një farë mënyrë, agjërimi është britma e zemrës: “Eja, o Zot Jezus!”.
Mund ta pyesim veten:
A është agjërimi im thjesht si një zakon, apo është shprehje e etjes (dëshirës) për Jezusin?
Me të vërtetë të dashur dëgjues, agjërimi që lindë nga etja për Jezusin dhe është shprehje e dashurisë për Të, ka fuqi shëruese në zemrën dhe në jetën tonë.
Shën Gjon Pali II ka thënë: Njeriu nuk agjëron për ta ndëshkuar trupin, por për ta hapur zemrën ndaj Dhëndrit. Agjërimi është gjuha e dashurisë së atij që pret Takimin me Krishtit. Në fakt, Krishterimi nuk fillon me “mos”, por me një “Po” ndaj dashurisë së Hyjit. Prandaj, agjërimi i vërtetë nuk është vetëm një ndalim i bukës apo kënaqësive të tjera, por është edhe përqafim i vullnetit të Zotit.
O Zot i dashur, më ndihmo të agjëroj me zemër të hapur dhe me etje të thellë për Ty.
Bëj që agjërimi im të jetë një shprehje e dashurisë sime për Ty dhe një takim i vërtetë me Dhëndrin e shpirtit tim. Amen.