O grua, e madhe është feja jote!
5 GUSHT 2026
UNGJILLI I DITES
“O grua, e madhe është feja jote!”
PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MATEUT -(Mt 15, 21-28)
Jezusi doli prej atij vendi e kaloi në krahinat e Tirit e të Sidonit. Dhe, ja, një grua nga Kananeja, që kishte ardhur prej atyre anëve, filloi të bërtiste e të thoshte: “Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit! Djalli po ma mundon tepër vajzën!” Por ai nuk iu përgjigj fare. Atëherë iu afruan nxënësit e tij e i thanë: “Bëja këtë nderë e të shkojë, sepse po bërtet pas nesh!”
Ai u përgjigj: “Unë jam i dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.” Por ajo u afrua, u përkul thellë në nderim para tij e tha: “Më ndihmo, o Zot!” Jezusi iu përgjigj: “Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua japësh këlyshëve të qenve.” “Po, o Zot - shtoi ajo - se edhe këlyshët hanë dromcat që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.”
Atëherë Jezusi iu përgjigj: “O grua, e madhe është feja jote! Le të bëhet ashtu si dëshiron!” Në atë moment bija e saj u shërua.
Na tregon Ungjilltari se Jezusi hyn në një territor pagan, në krahinat e Tirit dhe Sidonit. Prania e Tij aty dëshmon se dashuria dhe mëshira e Hyjit nuk mbyllen brenda kufijve njerëzorë. Dhe ja, një grua nga Kanaaneja i afrohet Jezusit me një lutje që buron nga zemra e një nëne plot vuajtje dhe plot dashuri. Ajo bërtet: “Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit! Djalli po ma mundon tepër vajzën!” Gruaja nuk thotë vetëm: “Liroje vajzën time”, por thotë: “Ki mëshirë për mua”, d.m.th. e lidh vuajtjen e vajzës me veten. Dashuria e vërtetë e bën dhimbjen e tjetrit dhimbjen e vet. Por megjithatë, tani fillon prova më e madhe e besimit të saj: “Jezusi nuk i përgjigj.” Kjo është një nga përvojat më të dhimbshme të jetës shpirtërore. Ndoshta edhe ne kemi kaluar çaste kur jemi lutur me një zemër të thyer, por kemi ndier vetëm heshtjen e Zotit. Atëherë lind në ne pyetja e dhimbshme: “Ku është Zoti? Nëse Zoti më do, pse hesht?” Megjithatë, Ungjilli na mëson se heshtja e Zotit nuk është mungesë e dashurisë së Tij. Por shpesh është një mënyrë për ta thelluar besimin tonë dhe për të na afruar më shumë me zemrën e Tij.
Atëherë iu afruan nxënësit e tij e i thanë: “Bëja këtë nder që të shkojë, sepse po bërtet pas nesh!” Nxënësit nuk duket se preken nga dhimbja e kësaj gruaje, por më shumë nga shqetësimi që po u shkakton thirrja e saj e vazhdueshme. Ata nuk thonë: “Ndihmoje, sepse po vuan.” Ata thonë: “Largoje, sepse po bërtet pas nesh.” Kjo tregon se edhe ata që ecin me Jezusin kanë ende shumë për të mësuar rreth dhembshurisë. Kur një njeri bërtet nga dhimbja, pyetja nuk është si ta largojmë, por si ta ndihmojmë.
Tani Jezusi përgjigjet: “Unë jam i dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.” Këtu duket sikur Jezusi po i mbyll derën, duket sikur Jezusi po e refuzon, por në të vërtetë Jezusi nuk po e largon gruan; Ai po nxjerr në dritë madhështinë e besimit të saj dhe po zbulon qëndrueshmërinë e zemrës së saj.
Kjo nënë nuk largohet e zhgënjyer. Ajo nuk thotë: “Nuk ka më kuptim të vazhdoj.” Përkundrazi, ajo nuk lejon që heshtja e Jezusit ta shuajë shpresën e saj. Ajo afrohet më shumë, përkulet më thellë dhe, nga thellësia e një zemre të përulur, vazhdon të thërrasë: “Më ndihmo, o Zot!” Kjo është ndoshta një nga lutjet më të shkurtra, por edhe më të fuqishme në gjithë Ungjillin. Kështu ajo na mëson se një besim i vërtetë nuk dorëzohet nga heshtja e Zotit. Përkundrazi, heshtja bëhet vendi ku besimi pastrohet dhe lutja forcohet.
Prandaj, i dashur dëgjues: Mos u lodh kurrë duke iu drejtuar Zotit. Nëse ndonjëherë duket sikur Ai vonon, mos dysho në dashurinë e Tij. Vazhdo të lutesh, sepse këmbëngulja në lutje është shenjë e një zemre që e ka vendosur krejt shpresën e saj në Krishtin.
Vazhdon Jezusi duke përdorur fjalë të forta, madje tronditëse; fjalë që tingëllojnë të vështira për t’u pranuar. Ai i thotë: “Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua japësh këlyshëve të qenve.” Imagjinoni, të dashur dëgjues, çfarë po përjeton zemra e kësaj nëne. Ajo lutet me përvujtëri dhe me një dhimbje të thellë, e megjithatë dëgjon këto fjalë nga Jezusi. E megjithatë, kjo nënë nuk e humbet besimin. Ajo e di se përballë saj është Ai që është plot mëshirë. Prandaj përgjigjja e saj është mahnitëse: “Po, o Zot... edhe këlyshët hanë dromcat që bien nga tryeza.” Ky është besim i pastër. Besimi i një zemre që thotë: “Edhe nëse nuk e meritoj, e di se Ti je i mirë. Mjafton një grimcë nga mëshira Jote dhe dhimbja ime do të shndërrohet në gëzim; bija ime do të gjejë shërim.” Ja, të dashur dëgjues, besimi nuk njeh pengesa; ai gjen rrugë edhe atje ku gjithçka duket e mbyllur.
Në fund, Jezusi nuk i dhuron vetëm shërimin e bijës së saj. Ai zbulon para të gjithëve madhështinë e besimit të kësaj gruaje dhe e nderon me fjalët më të bukura që mund të dëgjojë një besimtar. Jezusi i thotë: “O grua, e madhe është feja jote! Le të bëhet ashtu si dëshiron!” Jezusi nuk po lavdëron vetëm faktin që ajo besoi, por cilësinë e besimit të saj. Është një besim që nuk dorëzohet para heshtjes, nuk lëkundet nga sprova, nuk humbet shpresën përballë fjalëve të ashpra dhe të vështira dhe mbështetet plotësisht në mëshirën e Krishtit. Pikërisht ky besim bëhet model për çdo të krishterë.
E përfundoj reflektimin tim duke cituar Shën Françeskut të Salesit, i cili thotë:
“Masa e dashurisë sonë për Hyjin shihet në besimin që ruajmë në kohën e provës.”
O Jezus, na mëso të besojmë në Ty jo vetëm kur na përgjigjesh, por edhe kur hesht. Bëje zemrën tonë të qëndrueshme në shpresë dhe të përvujtë në lutje. Amen.