O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!

14 MARS 2026

 

UNGJILLI I DITËS

 

O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!”

 

PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS LUKES- Lk 18, 9-14

 

U tregoi edhe këtë shëmbëlltyrë për disa që e mbanin veten të drejtë e i përbuznin tjerët:  “Dy njerëz u ngjitën në Tempull për t’u lutur: njëri farise e tjetri tagrambledhës.  Fariseu, qiri në këmbë, lutej në vetvete kështu: ‘Të falënderoj, o Hyj, që nuk jam porsi njerëzit e tjerë: cuba, të padrejtë, kurorëshkelës, ose ‑ si ky tagrambledhës.  Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën e krejt fitesës.’  Kurse tagrambledhësi zuri vend në fund, nuk i bëhej as sytë t’i ngrejë drejtë qiellit, por rrihte kraharorin e vet e thoshte: ‘O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!’  Unë po ju them: ky u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar e jo ai, sepse: kushdo krenohet, do të përvujtërohet ndërsa kush përvujtërohet, do të lartësohet.”

 

Sot Ungjilli na mëson qëndrimin e duhur për t’u lutur. Këtë mësim Jezusi na e jep në shëmbëlltyrën që dëgjuam. Është tregimi i dy burrave, një farise dhe një tagrambledhës, që të dy shkojnë në tempull. Fariseu paraqitet si njeri fetar i përkushtuar, i bindur në veprat e tij të mira. Ai qëndron në këmbë, i sigurt në vetvete, i drejtë dhe triumfues, si dikush që duhet të admirohet për aftësitë e veta, si model. Ai shkon drejt altarit të Hyjit me kokën lart për të zënë vendin e parë, por përfundon duke shkuar tepër përpara, gati me i zënë vendin edhe Zotit. Në këtë qëndrim ai i lutet Hyjit: “Të falënderoj, o Hyj,” por në të vërtetë ky falënderim nuk është drejtuar Zotit. Ai më shumë po lavdëron vetveten për atë që është – një person i mirë – më i mirë se të tjerët, edhe se tagrambledhësi që është në fund të tempullit.

Kështu kuptohet qartë se Fariseu nuk e pret shpëtimin e Zotit si dhuratë, por pothuajse e pretendon si shpërblim për meritat e veta. Ai mendon se e meriton mëshirën e Zotit.

Në këtë shëmbëlltyrë bie në sy fakti se lutja e Fariseut nuk është drejtuar Zotit me të vërtet— ajo është një lutje krahasimi.. Ai falënderon Zotin, por menjëherë krahasohet me “hajdutët, të këqijtë, të pabesët dhe tagrambledhësin.” Krahasimi të dashur dëgjues është i dëmshëm shpirtërisht: kur krahasojmë, bëhemi ose krenarë (“Jam më i mirë se ata”), ose dëshpërohemi (“Nuk do të mund të jem kurrë si ata”).

Krejt ndryshe është qëndrimi i tagrambledhësit. Ai është një figurë e përbuzur nga shoqëria për shkak të bashkëpunimit me pushtuesit e huaj. Tagrambledhësi hyn në tempull me përvujtëri dhe pendesë. Ai zë vend në fund, nuk ka guxim as të lartësoj sytë drejt qiellit. Rreh gjoksin dhe thotë: “O Zot, ki mëshirë për mua, mëkatarin.” Lutja e tij është e shkurtër, e thellë, e sinqertë. Nuk ka justifikime, nuk ka krahasime, as arsyetime boshe. Ai është i vetëdijshëm për madhështinë e Zotit dhe, njëkohësisht, është i vetëdijshëm edhe për mjerimin e vet. Nuk ka merita për të treguar, por vetëm mëshirë për të kërkuar. Jezusi thotë se tagrambledhësi del prej Tempullit i shfajësuar: jo vetëm i falur, por “i bërë i drejtë” në sytë e Zotit. Lutja e tij arrin të prekë zemrën e Hyjit.

Ungjilli i sotëm na thërret në kujdes sepse krenaria është pengesa kryesore për të marrë mëshirën e Zotin; ndërsa përvujtëria hap portat e bekimit dhe lartësimit hyjnor. Prandaj në këtë kohë të Kreshmëve, me zemër të penduar, ta përsërisim shpesh gjatë ditës: O Hyj, ki mëshirë për mua, mëkatarin. Përfundoj të dashur dëgjues duke cituar Shën Agustinin i cili thotë: Përvujtëria është “dritarja e shpirtit” që e bën njeriun të hapur për bekimet dhe Fjalën e Hyjit.

 

O Hyj i mëshirshëm, mos lejo që zemra ime të mbushet me krenari e gjykim ndaj të tjerëve. Më jep përvujtëri të vërtetë, që ta pranoj dobësinë time para Teje.

Si tagrambledhësi, po të lutem: ki mëshirë për mua mëkatarin. Pastroje zemrën time dhe më bëj të drejtë para Teje. Amen.