O Zot, më çliro nga gjithçka që më mban larg Teje!
01 KORRIK 2026
UNGJILLI I DITES
“ O Zot, më çliro nga gjithçka që më mban larg Teje!”
PREJ UNGJILLIT SHENJT SIPAS MATEUT- Mateu 8, 28-34
Sapo kaloi në bregun tjetër ‑ në krahinën e gadarenëve, dy të djallosur që dolën nga varret, i erdhën para. Ishin aq të rrezikshëm, sa që askush s’guxonte të kalonte asaj rruge. Dhe ja, bërtitën: “Çka do prej nesh, o Biri i Hyjit? A erdhe këtu të na mundosh para kohës?”
Jo larg tyre kulloste një tufë e madhe derrash. Shpirtrat e këqij iu lutën Jezusit: “Meqë po na dëbon, na ço në tufën e derrave!” Ai u tha: “Shkoni!” Ata dolën e hynë në derra. Dhe ja, mbarë tufa u lëshua me turr e prej greminës ra në det dhe u mbyt në ujë. Barinjtë ikën, e si mbërritën në qytet, treguan gjithçka, veçanërisht për të djallosurit. Dhe ja, mbarë qyteti i doli para Jezusit. Kur e panë, iu lutën të largohej prej krahinës së tyre.
Ungjilli na tregon se Jezusi hyn në një territor pagan dhe aty përballet me dy njerëz të pushtuar nga shpirtrat e këqij. Vendi ku ata jetojnë është shumë domethënës: ata dalin nga varret. Varri në Bibël është simbol i largimit nga Zoti që është burimit të jetës. Pra, varri është vendi i vdekjes. Këta njerëz edhe pse janë fizikisht të gjallë, shpirtërisht janë të vdekur. Kjo, i dashur dëgjues, është gjendja e njeriu që jeton larg prej Zotit, dhe lidhur nga zinxhirët e mëkatit, egoizmit, krenarisë, urrejtjes, zemërimit, dhe mungesës së dashurisë. Ungjilli na tregon se Krishti erdhi të na nxjerrë nga varret tona të brendshme.
Dëgjuam në Ungjill se ata: ishin aq të rrezikshëm, sa që askush s’guxonte të kalonte asaj rruge. Por Jezusi po. Ajo që na tremb ne, nuk e tremb Jezusin. Dhe është domethënëse fakti që shpirtrat e këqij e rrëfejnë hyjninë e Krishtit. Ata bërtasin: “Çka do prej nesh, o Biri i Hyjit?” Ata e dinë se Jezusi është Biri i Hyjit por nuk duan. Shpirtrat e këqij dridhen prej friket, sepse e din mirë se përballë tyre qëndron Ai që ka pushtet absolut mbi ta. Sapo Krishti afrohet, ata e ndiejnë se po humbasin terrenin e tyre dhe e kuptojnë se mbretëria e tyre po shkon drejt fundit. Në fjalët e tyre: “A erdhe këtu të na mundosh?”, kuptohet se Prania e Krishtit dhe shikimi i Tij është mundim i tmerrshëm për ta. Ashtu si syri i sëmurë nuk e duron dritën e fortë, edhe shpirtrat e këqij nuk e durojnë praninë e Jezusit. Kjo është arsyeja pse edhe Shën Katarina e Sienës ka thënë: djalli trembet më shumë nga një shpirt i bashkuar me Krishtin sesa nga çdo gjë tjetër.
Vazhdon Ungjilli duke treguar se: Shpirtrat e këqij iu lutën Jezusit: “Meqë po na dëbon, na ço në tufën e derrave!”. Këtu shihet qartë sa pushteti i djallit është i kufizuar. Ai nuk mund të veprojnë sipas dëshirës së tij. Sado që është i fortë dhe i rrezikshëm, nuk mund të bëjë asgjë pa lejen e Jezusit. Pse shpirtrat e këqij kërkojnë të hyjnë pikërisht te derrat? Sepse në Besëlidhjen e Vjetër, derri mbahej si kafshë e papastër dhe shpirtrat e gjejnë kënaqësi aty ku ka papastërti. Prandaj në kuptimin shpirtëror, mëkati dhe veset krijojnë një terren ku djalli ndihet si në shtëpinë e vet. E Jezusi u përgjigjet me një fjalë: “Shkoni!” Jezusi nuk diskuton me djallin, as nuk lufton me të. Një fjalë e vetme mjafton. Në Besëlidhjen e Vjetër, Hyji krijon me Fjalën e Tij. Në Ungjill, Jezusi çliron me pushtetin e Fjalës. Pra, të dashur dëgjues, Ungjilli nuk na paraqet një betejë mes dy fuqive të barabarta, as nuk na flet për një përleshje të ashpër ku Jezusi mezi fiton. Këtu kemi një Mbreti që sundon me autoritet të plotë dhe kemi krijesa që dridhen para Tij. Po nëse Krishti ka një pushtet apsulut mbi të keqin, atëherë pse ne, që jemi bijtë e Hyjit, duhet të jetojmë të tmerruar nga frika e tij?
Dëgjuam se shpirtrat e këqij: dolën e hynë në derra. Dhe ja, mbarë tufa u lëshua me turr e prej greminës ra në det dhe u mbyt në ujë.
Kjo tregon se synimi i djallit është shkatërrimi dhe vdekja. Po, derrat bëjnë të dukshme tamam atë që djalli përpiqen t’ia bëjë njeriut në një mënyrë të padukshme. Ai premton liri, por tw fut skllavëri. Djalli premton lumturi, por të lë në zbrazëti; premton liri, por të lidh me zinxhirë e skllaverisw; premton jetë, por të zhyt në vdekje.
Në fund të Ungjillit vërejmë një paradoks të dhimbshëm. Banorët e krahinës, pasi panë mrekullinë dhe çlirimin e të pushtuarve, nuk gëzohen. Përkundrazi, i kërkojnë Jezusit të largohet prej tyre. Pse? Sepse ata mendojnë më shumë për humbjen e derrave sesa për shpëtimin e dy njerëzve. Ata humbin Jezusin, Shpëtimtarin e jetës së tyre sepse vajtojnë për derrat. Me të vërtetë, sa herë që dashuria për pasurinë e kësaj botë, bëhet më e madhe se dashuria për Zotin, ne e largojmë Jezusi nga zemra dhe jeta e jonë. Po, sa herë që zgjedhim interesin tonë para Krishtit, përsërisim lutjen e Gadarenëve: “Jezus, largohu prej nesh.” Sa herë që zgjedhim Krishtin mbi gjithçka, përsërisim lutjen e apostujve: “ O Zot, qëndro me ne.”
Jezusi nuk qëndron me forcë, Ai respekton lirinë e tyre dhe largohet. Edhe ne të dashur dëgjues Ungjilli i sotëm na vë përballë një zgjedhjeje: a do ta lëmë Jezusin të hyjë në çdo cep të jetës sonë, apo do të preferojmë më shumë të mbrojmë “derrat” tanë, d.m.th. ato gjëra që i konsiderojmë të çmuara, por që në të vërtetë na largojnë nga Zoti?
Një gjë është e sigurt: kur Jezusi hyn në jetën tonë, Ai na rikthen lirinë e zemrës, paqen e shpirtit dhe gëzimin e bijve të Hyjit.
O Zot Jezus, hyr në çdo cep të zemrës sime. Më çliro nga gjithçka që më mban larg Teje. Më jep një zemër që të të pranojë pa kushte dhe të do Ty mbi çdo gjë tjetër. Amen.