O Zot, unë besoj!

30 Maj 2026

 

UNGJILLI I DITES

 

O Zot, unë besoj!”

 

PREJ UNGJILLIT TË SHENJTË SIPAS MARKUT- Mk 11, 27-33

 

 

Prapë erdhën në Jerusalem. Ndërsa Jezusi po ecte nëpër Tempull, iu afruan kryepriftërinjtë, skribët e pleqtë e i thanë: “Me ç’pushtet i bën ti këto? Ose kush ta dha ty pushtetin të veprosh kështu?”

Jezusi u përgjigj: “Edhe unë po ju bëj një pyetje të vetme. Më pëgjigjni ju e atëherë do t’ju përgjigjem me ç’pushtet i bëj këto. M’u përgjigjni: Pagëzimi i Gjonit a ishte prej ‘Qiellit’ apo prej ‘njerëzve’?” Ata filluan të pleqërojnë në vetvete: ‘Po thamë ‘Prej Qiellit’, ai do të na thotë: ‘Pse atëherë nuk i besuat?’ E po u përgjigjëm: ‘Prej njerëzve...’ Druanin popullin sepse të gjithë e mbanin Gjonin profet të vërtetë. Këndej iu përgjigjën Jezusit: “Nuk dimë.” Edhe Jezusi iu përgjigj: “As unë, pra, s’po ju tregoj se me ç’pushtet i bëj këto!”

 

Të dashur dëgjues, Ungjilli që sapo dëgjuam na çon në Tempullin e Jerusalemit. Tempulli ishte vendi i flijimeve, vendi i lutjes, vendi i pranisë së Hyjit, dhe ndërsa Jezusi po ecte nëpër Tempull, autoritetet fetare duan ta sfidojnë. I afrohen dhe i thanë: “Me ç ‘pushtet i bën ti këto?” Edhe pse kryepriftërinjtë, skribët dhe pleqtë janë njerëz të fesë, ata nuk po kërkojnë të vërtetën; ata duan të ruajnë pushtetin e tyre, sepse zemra që është e lidhur pas vetes nuk mund ta njohë autoritetin e Hyjit.

Siç e dëgjuam, Jezusi nuk u përgjigjet menjëherë, por u bën një pyetje: “Pagëzimi i Gjonit a ishte prej Qiellit apo prej njerëzve?” Këtu ata hyjnë në krizë. Nuk mendojnë: “Cila është e vërteta?”, por fillojnë të llogarisin: “Çfarë pasoje do të ketë përgjigjja jonë? Çfarë do të mendojë populli? Si do të dukemi ne?” Dhe përfundojnë duke dhënë një përgjigje dramatike. Ata nuk mund ta mohojnë dritën, prandaj zgjedhin mjegullën dhe thonë: “Nuk dimë.” Në fakt, ata nuk donin ta dinin. Po, ata që studionin Shkrimet, ata që prisnin Mesinë, ata që predikonin fjalën e Zotit, kur Mesia qëndron para tyre, thonë: “Nuk dimë.”

Shumë herë në jetën shpirtërore ne bëjmë të njëjtën gjë. Themi: Nuk e di çfarë do Zoti nga unë. Por ndoshta e dimë shumë mirë se na duhet të falim, e na duhet ta lëmë jetën e mëkatshme. E dimë se na duhet të ndryshojmë jetën dhe të bëjmë një hap përpara në besim, por kemi frike ta lejojmë Zotin të veprojë. Ungjilli thotë se ata: druanin popullin sepse të gjithë e mbanin Gjonin profet të vërtetë. Po, kush ka frik prej njerëzve, nuk mund t’i shërbejë Zotit me liri. Dhe pikërisht këta udhëheqës fetarë, që dukeshin të fuqishëm, në të vërtetë ishin të robëruar nga frika e popullit. Ndërsa Jezusi është krejtësisht i lirë. Ai nuk manipulohet, nuk frikësohet, nuk llogarit. Ai jeton në të vërtetën e Atit.

E në fund Jezusi u thotë: “As unë nuk po ju tregoj.” Kjo nuk është arrogancë. Kjo është drejtësi shpirtërore. Jezusi e di se zemra e tyre nuk është gati ta pranojë autoritetin e Tij.

Ungjilli i sotëm nuk na fton të jetojmë në mjegull, por në dritë. Jo të fshihemi pas “nuk dimë”, por të kemi guximin të themi: “O Zot, unë besoj.”

 

O Zot Jezus, Ti që ecën edhe sot në tempullin e zemrës sonë, na çliro nga dëshira për t’u dukur mirë para njerëzve. Na jep hirin që ta duan të vërtetën, përvujtëri të të njohim dhe guxim të të pranojmë si Zot të jetës sonë. Amen.