Ora e mesme

kreshmët – e mërkura përhime

 

Ora e mesme

 

D Hyj, më eja në ndihmë!

C O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

D Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

C si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ora e tretë

 

   Himni

 

   Me fe të Hyjit ne jetojmë,

   me atë shpresë që prore besojmë,

   nëpër hir të dashurisë

   Krishtit lavde t’i këndojmë.

 

   I çuar në orën e tretë

   në flijimin e mundimeve,

   mbi atë kryq që mbarti u var,

   tërhoqi delen e humbur.

 

   Të nënshtruar po të lutemi,

   të lirë me anë të shëlbimit,

   që të shkëpusë nga shekulli

   ata që iu falën mëkatet.

 

   Krishtin dhe Atin t’i lusim,

   Shpirtin e Krishtit e të Atit,

   një e vetme e gjithëpushtetshme,

   Trini, ndihmo ata që luten. Amen.

 

Ora e gjashtë

 

   Himni

 

   Kur Krishti pati etje,

   në atë orë që në kryq e ngjitën,

   kush psalterin di të lexojë

   etjes së drejtësisë t’i këndojë.

 

   Bashkë me etje qoftë uri,

   për atë që vdiq për ne,

   edhe mëkati neveri,

   e virtyti qoftë dëshirë.

 

   Bagmi i Shpirtit Shenjt

   sot mbi këngë e qeste ndikoftë,

   që zjarrin e trupit ta ngrijë,

   acarin e shpirtit ngrohtë.

 

   Krishtin dhe Atin t’i lusim,

   Shpirtin e Krishtit e të Atit;

   një e vetme e gjithëpushtetshme

   Trini, përkrah ata që luten. Amen.

 

Ora e nëntë

 

   Himni

 

   Tri herë çdo tri orë për ne

   numri i shenjtë përhapet,

   në emrin e shenjtë të Jezusit

   t’i lypim dhuntitë e faljes.

 

   Ja rrëfimi i hajdutit

   hirin e Krishtit fiton,

   lavdi ynë dhe përkushtimi,

   mëshirën meriton.

 

   Me anë të kryqit humbet vdekja,

   e pas territ kthehet drita:

   si çahet terri i kobëve,

   lulëzoftë mendja e ndritur.

 

   Krishtin dhe Atin lusim,

   të Krishtit e të Atit Shpirtin:

   një e vetme e gjithëpushtetshme

   Trini, përkrahi ata që luten. Amen.

 

Ant. sikur në Shërbesën e rëndomtë ose në ditën përkatëse të Kohës.

 

Ant. Ja ditët e pendesës, koha e faljes dhe e shpëtimit.

 

Psalmi 119 /118/

 

   XIX (145-152)

 

Me gjithë zemër të thërras, o Zot, më dëgjo, *

   dhe do t’i mbaj urdhërimet e tua.

Klitha drejt teje, më shpëto, *

   që t’i ruaj dëshmitë e tua.

 

Para agimit zgjohem e të thërras në ndihmë, *

   shpresoj në fjalën tënde.

Sytë e mi zgjohen para rojës së natës *

   për të përsiatur fjalët e tua.

Ma dëgjo zërin sipas mëshirës sate, o Zot, *

   e bëj të jetoj sipas gjyqit tënd.

U afruan ata që më salvojnë dijekeqas, *

   janë larg nga Ligji yt.

 

Por ti, o Zot, je afër, *

   besnike janë të gjitha urdhërimet e tua.

Që moti di për urdhërimet e tua, *

   se i themelove për amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ja ditët e pendesës, koha e faljes dhe e shpëtimit.

 

Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti, nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit por që ai të kthehet dhe të jetojë.

 

Psalmi 94 /93/

 

   Hyji u jep të drejtën shenjtërve

 

   Fëlligështarët nuk do të kenë pjesë në Mbretërinë e Hyjit... Zoti është hakmarrës për të gjitha këto... Hyji nuk na ka grishur për të bërë fëlligështi, por për të jetuar në shenjtëri (Krh. 1 Kor 6, 9; 1Sel 4, 6-7).

 

   I (1-11)

 

O Zot, Hyji shpagues, *

   dëftohu, o Hyji shpagues!

Çohu, Gjykatësi i dheut, *

   shpaguaji madhështorët!

 

Deri kur mëkatarët, o Zot, *

   deri kur do të galdojnë mëkatarët?

Do të shpotisin e do të flasin me përbuzje, *

   do të krenohen ata që bëjnë paudhësi?

 

E poshtërojnë popullin tënd, o Zot, *

   e shtypin pronën tënde,

vrasin vejushën e ardhacakun, *

   mbytin bonjakët

 

e thonë: »Zoti nuk sheh, *

   s’di gjë Hyji i Jakobit!«

 

Merrni vesh, o marrashët e popullit, *

   ju, o të marrë, kur do të zini mend?

Ai që krijoi veshin nuk do të dëgjojë? *

   Ai që përftoi syrin nuk do të shohë?

 

Ai që qorton popujt nuk do të ndëshkojë, *

   ai që ia mëson njeriut dijen?

Zoti i di mendimet e njerëzve: *

   ato janë të zbrazëta!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti, nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit por që ai të kthehet dhe të jetojë.

 

Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë: fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.

 

   II (12-23)

 

Lum ai njeri që ti e mëson, o Zot, *

   të cilit ti ia mëson Ligjin tënd,

për t’i dhënë paqe në ditë fatzeza *

   ndërkohë që bakeqit t’i hapet gropa.

 

Sepse Zoti nuk e përbuz popullin e vet, *

   as s’do të heqë dorë nga prona e vet,

sepse e drejta do t’i jepet drejtësisë *

   e pas saj do të shkojnë të gjithë zemërmirët.

 

Kush do të ngrihet për mua kundër keqbërësve? *

   Kush do të qëndrojë bashkë me mua kundër të paudhëve?

Po të mos e kisha pasur në ndihmë Zotin, *

   për pak shpirti im do të banonte në vendin e Heshtjes!

 

Kur unë kujtoja: »Më rrëshqiti këmba!«, *

   dashuria jote, o Zot, ma ngjiti dorën!

Kur në shpirtin tim grumbullohen vështirësitë, *

   ngushëllimet e tua ma gëzojnë zemrën.

 

A mund të shoqërohet me ty selia e paudhësisë *

   që stërhollon ligjin për të krijuar mjerim?

 

Sulen kundër jetës së të drejtit *

   e dënojnë gjakun e pafajshëm.

 

Por Hyji u bë kështjella ime, *

   Hyji është Qeta ku unë strehohem,

 

do t’i shpaguajë sipas paudhësisë së tyre, †

   me të keqen e tyre ai do t’i zhbijë, *

   farën do t’ua tretë Zoti, Hyji ynë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë: fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër Ez 18, 30b-32

 

   Kthehuni dhe ndrequni nga të gjitha paudhësitë tuaja dhe paudhësia s'do të jetë më shkak për rënien tuaj. Flakni larg jush të gjitha pabesitë tuaja, me të cilat u bëtë të pabesë e përtëriteni zemrën e shpirtin tuaj! Përse të vdisni, shtëpia e Izraelit? Unë nuk i kënaqem vdekjes së mëkatarit ‑ thotë Zoti Hyj. Kthehuni e jetoni!

 

   D Krijo në mua, o Zot, një zemër të pastër,

   C përtërije në mua një shpirt të qëndrueshëm.

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër Zak 1, 3b-4

 

   Kthehuni kah unë - thotë Zoti i Ushtrive, e edhe unë vetë do të kthehem kah ju - është fjala e Zotit të Ushtrive. - Mos u bëni si etërit tuaj, të cilëve u thoshin profetët e mëparshëm: ‘Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Kthehuni nga udhët tuaja të këqija e nga synimet tuaja të këqija.’ Por, ata s’dëgjuan as s’qenë në kujdes për mua, thotë Zoti.

 

   D Largoje shikimin prej mëkateve të mia,

   C shlyej të gjitha fajet e mia.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër Dan 4, 24b

 

   Shpërbleji mëkatet e tua me lëmoshë e paudhësitë e tua me mëshirë ndaj skamnorëve, e Zoti do t’i falë mëkatet e tua.

 

   D Shpirti i penduar të pëlqen, o Zot,

   C ti nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar.

 

   Lutja

 

   Bëj, po të lutemi, o Zot, ta fillojmë me agjërimet e shenjta udhën e kthimit të vërtetë, kështu që, me ndihmën e përkorjes kreshmore, të dalim ngadhënjyes në luftim kundër djallit, shpirtit të së keqes. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.