Ora e mesme
kreshmët – e enjte pas të mërkurës përhime
Ora e mesme
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ora e tretë
Himni
Me fe të Hyjit ne jetojmë,
me atë shpresë që prore besojmë,
nëpër hir të dashurisë
Krishtit lavde t’i këndojmë.
I çuar në orën e tretë
në flijimin e mundimeve,
mbi atë kryq që mbarti u var,
tërhoqi delen e humbur.
Të nënshtruar po të lutemi,
të lirë me anë të shëlbimit,
që të shkëpusë nga shekulli
ata që iu falën mëkatet.
Krishtin dhe Atin t’i lusim,
Shpirtin e Krishtit e të Atit,
një e vetme e gjithëpushtetshme,
Trini, ndihmo ata që luten. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Kur Krishti pati etje,
në atë orë që në kryq e ngjitën,
kush psalterin di të lexojë
etjes së drejtësisë t’i këndojë.
Bashkë me etje qoftë uri,
për atë që vdiq për ne,
edhe mëkati neveri,
e virtyti qoftë dëshirë.
Bagmi i Shpirtit Shenjt
sot mbi këngë e qeste ndikoftë,
që zjarrin e trupit ta ngrijë,
acarin e shpirtit ngrohtë.
Krishtin dhe Atin t’i lusim,
Shpirtin e Krishtit e të Atit;
një e vetme e gjithëpushtetshme
Trini, përkrah ata që luten. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Tri herë çdo tri orë për ne
numri i shenjtë përhapet,
në emrin e shenjtë të Jezusit
t’i lypim dhuntitë e faljes.
Ja rrëfimi i hajdutit
hirin e Krishtit fiton,
lavdi ynë dhe përkushtimi,
mëshirën meriton.
Me anë të kryqit humbet vdekja,
e pas territ kthehet drita:
si çahet terri i kobëve,
lulëzoftë mendja e ndritur.
Krishtin dhe Atin lusim,
të Krishtit e të Atit Shpirtin:
një e vetme e gjithëpushtetshme
Trini, përkrahi ata që luten. Amen.
Ant. Ja ditët e pendesës, koha e faljes dhe e shpëtimit.
Psalmi 119 /118/ XX (153-160)
Shikoje mjerimin tim e më liro, *
se nuk e kam harruar Ligjin tënd.
Mbroje çështjen time e më shpaguaj, *
për hir të Ligjit tënd më përtërit në jetë.
Larg është prej mëkatarëve shëlbimi, *
sepse nuk e çajnë kokën për urdhërimet e tua.
Mëshira jote është e madhe, o Zot, *
në fuqi të gjyqeve të tua më përtërit në jetë.
Shumë janë ata që më salvojnë e më poshtërojnë, *
por unë nuk iu shmanga dëshmive të tua.
I pashë ata që e lanë rrugën e m’u velën, *
sepse nuk i mbajnë fjalët e tua.
Shiko, o Zot, se i dua urdhërimet e tua, *
më kërthndez në jetë sipas dashurisë sate.
Për parim fjalët e tua kanë të vërtetën, *
të gjitha gjyqet e drejtësisë sate janë për amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ja ditët e pendesës, koha e faljes dhe e shpëtimit.
Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti, nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit por që ai të kthehet dhe të jetojë.
Psalmi 128 /127/ (1-6)
Paqja e Zotit në familjen besnike
“Zoti të bekoftë prej Sionit” do me thënë prej Kishës së tij (Arnobi).
Lum njeriu që e druan Zotin, *
që ecën udhëve të tija!
Do të ushqehesh prej punës së duarve të tua, *
i lumi ti, mirë do të kalosh!
Gruaja jote: vresht plot fruta *
në dhomat e shtëpisë sate;
djemtë e tu: pinjoj ulliri *
përreth tryezës sate!
Ja, se si bekohet njeriu që e druan Zotin! *
Të bekoftë Zoti prej Sionit
e pafsh lumturinë e Jerusalemit *
në të gjitha ditët e jetës sate
dhe i pafsh djemtë e djemve të tu! *
Paqja qoftë mbi Izraelin!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti, nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit por që ai të kthehet dhe të jetojë.
Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë: fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.
Psalmi 129 /128/ (1-8)
Rilind besimi në popullin e sprovuar
Kisha e shenjtërve flet për egjrën që duhet të tolerohet në mes të pjesëtarëve të saj (Krh. Shën Augustini).
Shpeshherë më luftuan që prej rinisë sime *
- le të thotë tashti Izraeli -
shpeshherë më luftuan që prej rinisë sime, *
por s’ia dolën dot kundër meje!
Mbi shpinën time lëvruan lavërtarët, *
bënë hulli të gjata!
Por Zoti i drejtë *
i këputi leqet e mëkatarëve.
U turpërofshin dhe u zmbrapsshin *
të gjithë ata që e urrejnë Sionin.
Bar pullazesh u bëfshin *
që thahet para se të nxirret,
me të cilin s’e mbush dorën ai që korr, *
as sqetullën ai që mbledh duajt,
e ata që kalojnë përbri nuk thonë: †
»Bekimi i Zotit qoftë mbi ju! *
Ju bekojmë në Emër të Zotit!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë: fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Is 55, 6-7
Kërkojeni Zotin deri sa mund të gjendet, thirreni në ndihmë deri sa është afër! Le ta lërë i patenzoni udhën e vet, njeriu i keq synimet e veta, le të kthehet te Zoti e ai do të ketë mëshirë për të, te Hyji ynë që është bujar në falje.
D Krijo në mua, o Zot, një zemër të pastër,
C përtërije në mua një shpirt të qëndrueshëm.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Lp 30, 2-3a
Kur të kthehesh prej tij dhe t’i dëgjosh urdhërimet e tija, pikë për pikë të gjitha që unë sot po t’i urdhëroj, me bijtë e tu me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd, atëherë Zoti, Hyji yt, do të ndryshojë fatin tënd, do të ketë mëshirë për ty, dhe përsëri do të të bashkojë prej të gjithë popujve nga të shpërndau më parë.
D Largoje shikimin prej mëkateve të mia,
C shlyej të gjitha fajet e mia.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Heb 10, 35-36
Mos e humbni, pra besimin! Ai ka shpërblim të madh! Vërtet, keni nevojë për qëndresë që, duke kryer vullnetin e Hyjit, t’i fitoni të mirat e premtuara.
D Shpirti i penduar të pëlqen, o Zot,
C ti nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar.
Lutja
Po të lutemi, o Zot, priju veprave tona me hirin tënd dhe përcilli me ndihmën tënde, kështu që, veprimtaria jonë të zë fill prej teje dhe me ndihmën tënde, të kryhet. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.