Ora e mesme
25 Dhjetor – Kërshëndellat
Ora e mesme
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ora e tretë
Himni
Tash neve, o Shpirti Shenjt,
një me Atin e Birin,
denjohu i gatshëm t’futesh
i reshur n’parzëm tonë.
Gojë, gjuhë, mendje, forcë, shqisa
të ushtojnë duke rrëfyer,
me zjarr t’flakrojë dashuria,
nxehtësia t’i ngrohë shokët.
Nëpër ty t’kuptojmë Atin,
të njohim edhe Birin,
ty Shpirtin e të dyve
t’besojmë në t’gjitha kohët. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
që sundon të gjitha sendet,
me ndriçim pajis mëngjesin
dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
Shuaji flakët e shamatave,
flake zjarrin e dëmprurësve,
jepu trupave shërimin,
dhe t’vërtetën paqe zemrave.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe ti Bir baras si Ati,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
i patrandur në ty mbahesh,
kohët e dritës së përditshme
përcakton me shumë mbarësi.
Dhe gjatë netëve lësho dritën,
që jeta të mos ndërpritet,
por çmimi i vdekjes shenjte
të jetë lavdia e përjetshme.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe, o Bir, baras si Ati,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ora e tretë
Ose und të përdoren himnet që vijojnë
Himni
Duke mbajtë radhë të sigurt,
me shpirt të drejtë të lypim
n’orën e tretë të ditës
lavdinë trefish t’virtytit.
Që ne banesë t’i bëhemi
Atij, Shpirtit Shenjt,
që dikur ndër apostuj
në këtë orë derdhi hiret.
Me këtë radhë duke ecur,
të gjitha i stisi bukur
Autori i mbretërisë së qiellit
për ne çmime t’amshueshme.
Hyjit Atë i qoftë lavdia
e Birit tij të vetëm
me Shpirtin Ngushëllues
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
T’i thurim lavde Zotit
gati me shpirt të ndezur;
në orën gjashtë të sjellur
na fton ne për t’u lutur.
Njëmend për hir të Kryqit,
në këtë besnikëve u jepet
lavdia e shpëtimit,
dhe flia e Qengjit t’lumtur.
Nga drita e tij e fortë
errësohet mesi i ditës;
të marrim me tërë shpirtin
hirin e këtij shpëtimi.
Hyjit Atë i qoftë lavdia
dhe Birit të tij t’vetëm
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e përhershëm. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Në fund të çdo tri orëve
shtjellur me ndihmë të Zotit,
Trini e Njëni e përsosur,
Atij i këndojmë devotshëm.
Misterin e shenjtë t’Hyjit
duke ruajtë n’zemër t’pastër,
rregull i Mësuesit Pjetër
zbuluar n’shenjë shpëtimi.
Dhe ne me shpirt të psalim
bashkuar me apostuj,
që ende bimët e dobëta
t’i ngrejnë me forcë të Krishtit.
Hyjit Atë i qoftë lavdia
dhe Birit të tij të vetëm
me Shpirtin Ngushëllimtar,
në shekujt e përhershëm. Amen.
Ora e tretë – Ora e gjashtë – Ora e nëntë
Ant. 1 Jozefi dhe Maria, nëna e Jezusit, mrekulloheshin për të gjitha ato që thuheshin për të.
Psalmi 19 /18 B/ (8-13. 15)
I përsosur është Ligji i Zotit, *
shpirtin përtërin;
për t’u besuar është Dëshmia e Zotit, *
të miturve u jep dijen.
Urdhërimet e Zotit janë të drejta, *
kënaqin zemrën;
urdhri i Zotit është i qartë, *
dritë u jep syve.
E panjollë është frika e Zotit, *
nuk ndërron në shekuj të shekujve;
gjyqet e Zotit janë të vërteta, *
të gjitha njënjë të drejta.
Më të çmueshme se ari, *
se më i pastri ar,
më të ëmbla se mjalti, *
se hoja që rrjedh mjaltë.
Shërbëtori yt me kujdes i mëson: *
t’i mbash ato është fitesë e madhe.
Porse kush i heton gabimet? *
Më pastro, o Zot, prej mëkateve të fshehta,
Të pëlqefshin, o Zot, *
fjalët e gojës sime,
edhe mendimi i zemrës sime para teje, *
o Zot, Ndihmësi im e Shëlbuesi im!
Ant. 1 Jozefi dhe Maria, nëna e Jezusit, mrekulloheshin për të gjitha ato që thuheshin për të.
Ant. 2 Maria i ruante me kujdes në zemër ngjarjet e mrekullueshme të birit të vet.
Psalmi 47 /46/ (2-10)
Duartrokitni, o popuj të gjithë, *
brohoritni Hyjit me zë gëzimi!
Sepse Hyji është i tejetlartë, i tmerrshëm, *
Mbreti i madh mbi tokën mbarë.
Popujt i vuri nën sundimin tonë, *
paganët nën këmbët tona.
Ai e rizgjodhi trashëgimin tonë për ne, *
nderin e Jakobit, të dashurit të vet.
Ngjitet Hyji me brohori, *
Zoti me zë trumbete.
Këndoni Hyjit, këndoni, *
këndoni mbretit tonë, këndoni!
Sepse Hyji është mbreti i mbarë tokës: *
këndoni këngë me mjeshtëri!
Hyji mbretëron mbi mbarë popujt, *
Hyji rri mbi fronin e vet të shenjtë.
Princat e popujve paganë bashkohen *
me popullin e Hyjit të Abrahamit,
sepse Hyjit i përkasin mburojat e botës, *
Ai është i lartësuar mbi të gjithë.
Ant. 2 Maria i ruante me kujdes në zemër ngjarjet e mrekullueshme të birit të vet.
Ant. 3 Sytë e mi e panë shëlbimin që e bëre gati në sytë e të gjithë popujve.
Psalmi 48 /47/ (2-15)
I madhërishëm është Zoti e tejet i lavdishëm, *
në qytetin e Hyjit tonë!
Mali i tij i shenjtë, kodrinë e bukur, *
gëzimi i mbarë botës:
Mali Sion, në veriun e skajshëm, *
Qyteti i Mbretit të madh,
Hyji në pirgjet e tija *
u tregua kështjellë e pathyeshme.
Dhe ja, u bashkuan mbretërit, *
sulmuan së bashku,
posa panë, u rrudhën, *
e, të hutuar, ikën praptazi.
Aty i kapën të dridhurat *
si dhimbjet e lindëses,
ishin si stuhia e lindjes *
që i thyen anijet e Tarsisit.
Siç kemi pas dëgjuar, tani po shohim,
në qytetin e Zotit të Ushtrive, †
në qytetin e Hyjit tonë *
- Hyji e themeloi për amshim.
Po e kujtojmë, o Hyj, mëshirën tënde *
në mesin e Tempullit tënd.
Sikurse Emri yt, o Hyj, ashtu edhe lavdia jote †
arrin deri në skajin e botës, *
e djathta jote është plot drejtësi.
Le të galdojë mali i Sionit, †
le të brohorasin qytetet e Judës *
për shkak të gjyqeve të tua!
Silluni rreth e rreth Sionit,
përshkojeni kryq e tërthor, *
numërojani kullat e tija,
vëreni mirë muret e tija, †
vëzhgoni hollë pallatet e tija *
që të mund t’i tregoni breznisë së ardhshme:
Ky është Hyji, Hyji ynë †
për amshim e në shekuj të shekujve; *
Ai na prin në amshim.
Ant. 3 Sytë e mi e panë shëlbimin që e bëre gati në sytë e të gjithë popujve.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Tit 2, 11-12
U duk hiri i Hyjit që u sjell shëlbimin të gjithë njerëzve. Ai na mëson t’i biem mohit pabesimit dhe dëshirave të shekullit për të jetuar në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht.
D Zoti e kujtoi dashurinë e tij, aleluja,
C dhe besnikërinë e tij ndaj shtëpisë së Izraelit, aleluja.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër 1 Gjn 4, 9
Ja si u dëftua dashuria e Hyjit në ne: Hyji e dërgoi në botë një të Vetmin Birin e vet që ne të jetojmë në saje të tij.
D Kufijtë e botës e panë, aleluja,
C shëlbimin e Hyjit tonë, aleluja.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Vap 10, 36
Hyji u dërgoi Fjalën e vet izraelitëve dhe ua shpalli Ungjillin e paqes përmes Jezu Krishtit që është Zotëria i të gjithëve.
D Dashuria dhe besnikëria takohen, aleluja,
C paqja dhe drejtësia përqafohen, aleluja.
Lutja
O Hyj, ti që denjësinë e natyrës njerëzore e trajtove mrekullisht, dhe mrekullisht e përtërive, bëj, po të lutemi, të bëhemi pjesëtarë të Hyjnisë së Jezu Krishtit, i cili u denjua të marrë pjesë në natyrën tonë njerëzore. Ai që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.