Ora e mesme
Java e Katërt e Kohës së rëndomtë
Java IV e Psalterit
E martë
Ora e mesme
E Tretë – e gjashtë – e nëntë
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Ora e tretë
Himni
Tash për ne, o Shpirt Shenjt,
me Atin një e me Birin,
denjohu të ndërhysh i gatshëm
në kraharorin tonë i shkrirë.
Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
ta rrëfejnë me të madhe
me zjarr dashuria të ndizet
flakërimi të ngrohë t’afërmit.
Na bëj që ta kuptojmë Atin,
të njohim edhe Birin,
të dy edhe ty Shpirtin
të besojmë në çdo kohë. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
që sundon të gjitha sendet,
me ndriçim pajis mëngjesin
dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
Shuaji flakët e shamatave,
flake zjarrin e dëmprurësve,
jepu trupave shërimin,
dhe të vërtetën paqe zemrave.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe ti Bir baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
i patrandur në ty mbahesh,
kohët e dritës së përditshme
përcakton me shumë mbarësi.
Dhe gjatë netëve lësho dritën,
që të mos ndërpritet jeta,
por çmimi i vdekjes shenjte
lavdia e përjetshme të jetë.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe, o Bir, baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ant. 1 Tani e njihni urdhrin tim: ecni sipas tij e do të jeni të lumtur.
Psalmi 119 /118/ XVIII (137-144)
I drejtë je, o Zot, *
edhe gjyqet e tua janë të drejta.
Ti e ke dhënë Ligjin tënd të drejtë *
dhe shumë besnik.
Zelli im po më shkrin *
kur shoh se armiqtë e mi i kanë harruar fjalët e tua.
Fjalët e tua janë me zjarr të sprovuara, *
prandaj shërbëtori yt i do ato.
Jam i ri edhe i përbuzur, *
por nuk i kam harruar urdhërimet e tua.
Drejtësia jote, drejtësi e përhershme, *
Ligji yt është i vërtetë.
Vuajta shumë dhe pata vështirësi, *
urdhërimet e tua janë kënaqja ime.
Dëshmitë e tua janë drejtësi e amshueshme, *
më bëj të kuptoj e do të kem jetë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Tani e njihni urdhrin tim: ecni sipas tij e do të jeni të lumtur.
Ant. 2 Le të arrijë te ti urata ime, o Zot.
Psalmi 88 /87/ Urata e një njeriu të sëmurë rëndë
Kjo është ora juaj dhe pushteti i territ (Lk 22, 53).
I (2-8)
O Zot, Hyji i shpëtimit tim, *
ditë e natë hedh kushtrim para teje.
Le të mbërrijë te ti urata ime, *
vëru vesh dënesave të mia.
Sepse shpirti im është plot me vuajtje, *
jeta ime është në grykën e varrit;
po më mbajnë me ata që zbresin në gropë, *
jam porsi ai për të cilin s’ka më ndihmë:
i lirë si ata që vdiqën, *
porsi të vrarët që pushojnë në varre,
të cilët ti më nuk i kujton, *
që janë shkëputur nga dora jote.
Më plandose në shpellë pa fund, *
në errësirë e në hijen e vdekjes.
Felgrimi yt rëndon mbi mua, *
valët e tua i hodhe mbi mua.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Le të arrijë te ti urata ime, o Zot.
Ant. 3 Prej teje kërkoj ndihmë, o Zot, mos e fsheh fytyrën tënde para meje.
II (9-19)
Prej meje i largove të njohurit e mi, *
për ta më bëre të jem i neveritshëm,
jam i mbyllur, jashtë s’mund të dal, *
prej mjerimit sytë e mi po shteren.
Gjithë ditën në ndihmë të thërras, o Zot, *
duart e mia drejt teje i shtrij.
Vallë për të vdekur bën ti mrekulli? *
A thua hijet ngrihen për të lëvduar?
Flet ndokush për mirësinë tënde në varr, *
për besën tënde në vendin e shkatërrimit?
Në errësirë njihen mrekullitë e tua, *
në vend të harresës drejtësia jote?
E unë, o Zot, prej teje kërkoj ndihmë, *
urata ime në mëngjes mbërrin para teje.
Pse, o Zot, e përbuz shpirtin tim? *
Përse fytyrën tënde e fsheh para meje?
I mjerë jam dhe vdes që prej fëmijërisë sime, *
më këputi barra e tmerrimeve të tua.
Përmbi mua kaluan hidhërimet e tua, *
përdhe më shtruan provat e tua!
Më kanë rrethuar pa pushim si uji, *
grumbullohen mbi mua njëherësh.
M’i largove mik e të afërm, *
bëj shoqëri veç me errësirën.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Prej teje kërkoj ndihmë, o Zot, mos e fsheh fytyrën tënde para meje.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër 1 Gjn 3, 17-18
Kush i ka të mirat e kësaj bote dhe e sheh vëllain e vet në ngushticë dhe e mbyll zemrën e vet para tij - në ç’mënyrë dashuria e Hyjit qëndron në të? Fëmijëzit e mi, mos të duam me fjalë e me gjuhë, por me vepra e në të vërtetë!
D Lum ai që e ka zemrën e mirë dhe bujare:
C i drejti do të jetë i bekuar përgjithmonë.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti që në orën e tretë ua dhurove apostujve Shpirtin Ngushëllues, na jep edhe neve flakën e gjallë të dashurisë sate, që të mund të japim dëshmi të mirë para të gjithë njerëzve. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Lp 30, 11. 14
Ky urdhër që unë po ta jap sot, nuk është tepër i vështirë për ty as nuk është tepër larg teje.
Jo, Fjala është krejtësisht afër teje, mu në gojën tënde, në zemrën tënde që ta zbatosh!
D Fjala jote është dritëz për hapat e mi
C dhe dritë gjatë rrugës sime.
Lutja
O Hyj, ti që apostullit Pjetër ia zbulove dëshirën tënde për t’i bashkuar të gjithë popujt në një Kishë të vetme, bekoje punën tonë të përditshme dhe bëj që ajo t'i shërbejë planit tënd të shëlbimit të të gjithë njerëzve. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Is 55, 10-11
Sikurse zbret shiu e bora nga qielli e atje nuk kthehet, por e ujit tokën, e zbrun dhe i jep fuqi të blerojë, i jep bujkut farën dhe bukën për ushqim, kështu edhe fjala ime që del prej gojës sime, s'do të kthehet tek unë pa fryt, pa pasë kryer gjithçka më pëlqen dhe pa pasë zbatuar atë për çka e nisa.
D Hyji e dërgon përmbi tokë fjalën e vet,
C lajmi i tij vrapon me shpejtësi.
Lutja
O Hyj, ti që e dërgove engjëllin tënd te Korneli centurion për t’ia treguar udhën e shëlbimit, bëj që të bashkëpunojmë në shëlbimin e të gjithë njerëzve, kështu që, të bashkuar në Kishën tënde, të mund t’ia arrijmë lavdisë sate. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.