Ora e mesme

Java e Katërt e Kohës së rëndomtë

 

Java IV e Psalterit

 

E mërkurë

 

Ora e mesme

 

E Tretë – e gjashtë – e nëntë

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

Ora e tretë

 

   Himni

 

   Tash për ne, o Shpirt Shenjt,

   me Atin një e me Birin,

   denjohu të ndërhysh i gatshëm

   në kraharorin tonë i shkrirë.

 

   Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,

   ta rrëfejnë me të madhe

   me zjarr dashuria të ndizet

   flakërimi të ngrohë t’afërmit.

 

   Na bëj që ta kuptojmë Atin,

   të njohim edhe Birin,

   të dy edhe ty Shpirtin

   të besojmë në çdo kohë. Amen.

 

Ora e gjashtë

 

   Himni

 

   Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,

   që sundon të gjitha sendet,

   me ndriçim pajis mëngjesin

   dhe me zjarr shkëlqen mesditën.

 

   Shuaji flakët e shamatave,

   flake zjarrin e dëmprurësve,

   jepu trupave shërimin,

   dhe të vërtetën paqe zemrave.

 

   Bëj, o Atë tërë drejtësi,

   dhe ti Bir baras me Atin,

   bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar

   që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

Ora e nëntë

 

   Himni

 

   Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,

   i patrandur në ty mbahesh,

   kohët e dritës së përditshme

   përcakton me shumë mbarësi.

 

   Dhe gjatë netëve lësho dritën,

   që të mos ndërpritet jeta,

   por çmimi i vdekjes shenjte

   lavdia e përjetshme të jetë.

 

   Bëj, o Atë tërë drejtësi,

   dhe, o Bir, baras me Atin,

   bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,

   të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

Ant. 1 Klitha drejt teje, o Zot, më shpëto: shpresoj në fjalën tënde.

 

   Psalmi 119 /118/ XIX (145-152)

 

Me gjithë zemër të thërras, o Zot, më dëgjo, *

   dhe do t’i mbaj urdhërimet e tua.

Klitha drejt teje, më shpëto, *

   që t’i ruaj dëshmitë e tua.

 

Para agimit zgjohem e të thërras në ndihmë, *

   shpresoj në fjalën tënde.

Sytë e mi zgjohen para rojës së natës *

   për të përsiatur fjalët e tua.

Ma dëgjo zërin sipas mëshirës sate, o Zot, *

   e bëj të jetoj sipas gjyqit tënd.

U afruan ata që më salvojnë dijekeqas, *

   janë larg nga Ligji yt.

 

Por ti, o Zot, je afër, *

   besnike janë të gjitha urdhërimet e tua.

Që moti di për urdhërimet e tua, *

   se i themelove për amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Klitha drejt teje, o Zot, më shpëto: shpresoj në fjalën tënde.

 

Ant. 2 Zoti i njeh mendimet e njerëzve: ato janë të kota.

 

   Psalmi 94 /93/ Hyji ua jep të drejtën shenjtërve

 

   Fëlligështarët nuk do të kenë pjesë në Mbretërinë e Hyjit... Zoti është hakmarrës për të gjitha këto... Hyji nuk na ka grishur për të bërë fëlligështi, por për të jetuar në shenjtëri. (Krh. 1 Kor 6, 9; 1 Sel 4, 6-7).

 

   I (1-11)

 

O Zot, Hyji shpagues, *

   dëftohu, o Hyji shpagues!

Çohu, Gjykatësi i dheut, *

   shpaguaji madhështorët!

 

Deri kur mëkatarët, o Zot, *

   deri kur do të galdojnë mëkatarët?

Do të shpotisin e do të flasin me përbuzje, *

   do të krenohen ata që bëjnë paudhësi?

 

E poshtërojnë popullin tënd, o Zot, *

   e shtypin pronën tënde,

vrasin vejushën e ardhacakun, *

   mbytin bonjakët

 

e thonë: »Zoti nuk sheh, *

   s’di gjë Hyji i Jakobit!«

 

Merrni vesh, o marrashët e popullit, *

   ju, o të marrë, kur do të zini mend?

Ai që krijoi veshin nuk do të dëgjojë? *

   Ai që përftoi syrin nuk do të shohë?

 

Ai që qorton popujt nuk do të ndëshkojë, *

   ai që ia mëson njeriut dijen?

Zoti i di mendimet e njerëzve: *

   ato janë të zbrazëta!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Zoti i njeh mendimet e njerëzve: ato janë të kota.

 

Ant. 3 Hyji u bë kështjella ime, Hyji është Çeta ku unë strehohem.

 

   II (12-23)

 

Lum ai njeri që ti e mëson, o Zot, *

   të cilit ti ia mëson Ligjin tënd,

për t’i dhënë paqe në ditë fatzeza *

   ndërkohë që bakeqit t’i hapet gropa.

 

Sepse Zoti nuk e përbuz popullin e vet, *

   as s’do të heqë dorë nga prona e vet,

sepse e drejta do t’i jepet drejtësisë *

   e pas saj do të shkojnë të gjithë zemërmirët.

 

Kush do të ngrihet për mua kundër keqbërësve? *

   Kush do të qëndrojë bashkë me mua kundër të paudhëve?

Po të mos e kisha pasur në ndihmë Zotin, *

   për pak shpirti im do të banonte në vendin e Heshtjes!

 

Kur unë kujtoja: »Më rrëshqiti këmba!«, *

   dashuria jote, o Zot, ma ngjiti dorën!

Kur në shpirtin tim grumbullohen vështirësitë, *

   ngushëllimet e tua ma gëzojnë zemrën.

 

A mund të shoqërohet me ty selia e paudhësisë *

   që stërhollon ligjin për të krijuar mjerim?

 

Sulen kundër jetës së të drejtit *

   e dënojnë gjakun e pafajshëm.

Por Hyji u bë kështjella ime, *

   Hyji është Qeta ku unë strehohem,

 

do t’i shpaguajë sipas paudhësisë së tyre, †

   me të keqen e tyre ai do t’i zhbijë, *

   farën do t’ua tretë Zoti, Hyji ynë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Hyji u bë kështjella ime, Hyji është Çeta ku unë strehohem.

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër 1 Kor 10, 24. 31

 

   Askush të mos e kërkojë interesin e vet, por interesin e tjetrit.

   Pra, në qoftë se hani, në qoftë se pini, në qoftë se edhe çkado tjetër bëni, bëni gjithçka në lavdi të Hyjit.

 

   D Është e drejtë ta lavdërojmë Zotin,

   C të këndojmë psalme ty, o i Tejetlartë.

 

   Lutja

 

   O Zot, Atë i shenjtë, Hyj besnik, ti që e dërgove Shpirtin Shenjt të premtuar prej Birit tënd, që ta bashkonte njerëzimin e shpërndarë për shkak të mëkatit, bëj që të jemi në botë ndërtues të vërtetë të njësisë dhe të paqes. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër Kol 3, 17

 

   Çkado që të thoni dhe të bëni, le të jetë në nder të Emrit të Jezusit Zot, duke iu falënderuar me anë të Tij Hyjit Atë.

 

   D Ty të kushtoj fli falënderimi,

   C dhe e madhëroj Emrin tënd, o Zot.

 

   Lutja

 

   O Hyj i madh dhe i mëshirshëm, ti që na dhuron pushimin nga lodhja së përditshme, na ndihmo në dobësinë tonë që të mund ta përfundojmë punën që e kemi filluar. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër Kol 3, 23-24

 

   Çfarëdo pune që të bëni, bëjeni me vullnet, si ta bënit për Zotin e jo për njerëz, të sigurt se do të merrni prej Zotit trashëgimin si shpërblim. Zotëria është Krishti; shërbeni Atij!

 

   D O Zot, pjesa e së mirës sime dhe gota ime,

   C në duart e tua është jeta ime.

 

   Lutja

 

   O Zot Jezu Krisht, ti që për t’i shëlbuar të gjithë njerëzit, i shtrive krahët e tu përmbi kryq, pranoje dhuratën e punës sonë dhe bëj që e gjithë jeta jonë të jetë e shenjtë dhe dëshmi e shëlbimit tënd. Ti që jeton

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.