Ora e mesme

5 shkurt, Shën Agata, virgjër dhe martire

 

E enjte

 

Ora e mesme

 

E Tretë – e gjashtë – e nëntë

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

Ora e tretë

 

   Himni

 

   Tash për ne, o Shpirt Shenjt,

   me Atin një e me Birin,

   denjohu të ndërhysh i gatshëm

   në kraharorin tonë i shkrirë.

 

   Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,

   ta rrëfejnë me të madhe

   me zjarr dashuria të ndizet

   flakërimi të ngrohë t’afërmit.

 

   Na bëj që ta kuptojmë Atin,

   të njohim edhe Birin,

   të dy edhe ty Shpirtin

   të besojmë në çdo kohë. Amen.

 

Ora e gjashtë

 

   Himni

 

   Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,

   që sundon të gjitha sendet,

   me ndriçim pajis mëngjesin

   dhe me zjarr shkëlqen mesditën.

 

   Shuaji flakët e shamatave,

   flake zjarrin e dëmprurësve,

   jepu trupave shërimin,

   dhe të vërtetën paqe zemrave.

 

   Bëj, o Atë tërë drejtësi,

   dhe ti Bir baras me Atin,

   bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar

   që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

Ora e nëntë

 

   Himni

 

   Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,

   i patrandur në ty mbahesh,

   kohët e dritës së përditshme

   përcakton me shumë mbarësi.

 

   Dhe gjatë netëve lësho dritën,

   që të mos ndërpritet jeta,

   por çmimi i vdekjes shenjte

   lavdia e përjetshme të jetë.

 

   Bëj, o Atë tërë drejtësi,

   dhe, o Bir, baras me Atin,

   bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,

   të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

Ant. 1 Nëse më doni, mbani urdhërimet e mia, thotë Zoti.

 

   Psalmi 119 /118/ XX (153-160)

 

Shikoje mjerimin tim e më liro, *

   se nuk e kam harruar Ligjin tënd.

Mbroje çështjen time e më shpaguaj, *

   për hir të Ligjit tënd më përtërit në jetë.

 

Larg është prej mëkatarëve shëlbimi, *

   sepse nuk e çajnë kokën për urdhërimet e tua.

Mëshira jote është e madhe, o Zot, *

   në fuqi të gjyqeve të tua më përtërit në jetë.

 

Shumë janë ata që më salvojnë e më poshtërojnë, *

   por unë nuk iu shmanga dëshmive të tua.

I pashë ata që e lanë rrugën e m’u velën, *

   sepse nuk i mbajnë fjalët e tua.

 

Shiko, o Zot, se i dua urdhërimet e tua, *

   më kërthndez në jetë sipas dashurisë sate.

Për parim fjalët e tua kanë të vërtetën, *

   të gjitha gjyqet e drejtësisë sate janë për amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Nëse më doni, mbani urdhërimet e mia, thotë Zoti.

 

Ant. 2 Të bekoftë Zoti, e do të gëzosh paqe për çdo ditë të jetës sate.

 

   Psalmi 128 /127/ (1-6) Paqja e Zotit në familjen besnike

 

   “Zoti të bekoftë prej Sionit” domethënë prej Kishës së tij (Arnobi).

 

Lum njeriu që e druan Zotin, *

   që ecën udhëve të tij!

Do të ushqehesh prej punës së duarve të tua, *

   i lumi ti, mirë do të kalosh!

 

Gruaja jote: vresht plot fruta *

   në dhomat e shtëpisë sate;

djemtë e tu: pinjoj ulliri *

   përreth tryezës sate!

Ja, se si bekohet njeriu që e druan Zotin! *

   Të bekoftë Zoti prej Sionit

e pafsh lumturinë e Jerusalemit *

   në të gjitha ditët e jetës sate

 

dhe i pafsh djemtë e djemve të tu! *

   Paqja qoftë mbi Izraelin!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Të bekoftë Zoti, e do të gëzosh paqe për çdo ditë të jetës sate.

 

Ant. 3 Zoti, Hyji i drejtë, i këput leqet e mëkatarëve.

 

   Psalmi 129 /128/ (1-8) Rilind besimi në popullin e sprovuar

 

   Kisha e shenjtërve flet për egjrën që duhet të tolerohet në mes të pjesëtarëve të saj (Krh. Shën Augustini).

 

Shpeshherë më luftuan që prej rinisë sime *

   - le të thotë tashti Izraeli -

shpeshherë më luftuan që prej rinisë sime, *

   por s’ia dolën dot kundër meje!

 

Mbi shpinën time lëvruan lavërtarët, *

   bënë hulli të gjata!

Por Zoti i drejtë *

   i këputi leqet e mëkatarëve.

 

U turpërofshin dhe u zmbrapsshin *

   të gjithë ata që e urrejnë Sionin.

Bar pullazesh u bëfshin *

   që thahet para se të nxirret,

 

me të cilin s’e mbush dorën ai që korr, *

   as sqetullën ai që mbledh duajt,

 

e ata që kalojnë përbri nuk thonë: †

   »Bekimi i Zotit qoftë mbi ju! *

   Ju bekojmë në Emër të Zotit!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Zoti, Hyji i drejtë, i këput leqet e mëkatarëve.

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër 1 Gjn 3, 23-24

 

   Ky është urdhri i tij: që të besojmë në Emrin e Birit të tij - në Jezu Krishtin dhe ta duam njëri-tjetrin, si Ai na urdhëroi. Kush i mban urdhërimet e tija, mbetet në Hyjin dhe Hyji në të. Me këtë e dimë se Ai mbetet në ne me anë të Shpirtit që na e ka dhënë.

 

   D Përkrahe njeriun e drejtë, o Zot,

   C ti që i shqyrton zemrat dhe mendjet.

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër Urt 1, 1-2

 

   Duani drejtësinë, ju që gjykoni dheun, ushqeni ndjenja mirësie ndaj Hyjit dhe kërkojeni atë në thjeshtësinë e zemrës, sepse atë e gjejnë ata që s'e tundojnë dhe Ai u dëftohet atyre që besojnë në Të.

 

   D Shpreso në Zotin, dhe bëje të mirën:

   C dhe do të jetosh i lumtur në tokën tënde.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër Heb 12, 1b-2

 

   Ta flakim tej çdo barrë dhe mëkatin që na pengon dhe të vrapojmë me qëndresë në luftim që na u caktua, me shikim të drejtuar mbi Autorin dhe Përkryesin e fesë, Jezusin, i cili, në vend të gëzimit që i takonte, duroi kryqin duke e përbuzur turpin dhe ndenj në të djathtën e fronit të Hyjit.

 

   D Unë shpresoj në Zotin,

   C shpirti im shpreson në fjalën e tij.

 

   Lutja

 

   Na nxjerrtë, o Zot, faljen e mëkateve tona ndërmjetësia e shën Agatës, virgjër e martire; që shkëlqen në Kishën qoftë për qëndresën në martirizim qoftë me virgjërinë e pacenuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.