Ora e mesme

Java e Katërt e Kohës së rëndomtë

 

Java IV e Psalterit

 

E shtunë

 

Ora e mesme

 

E Tretë – e gjashtë – e nëntë

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

Ora e tretë

 

   Himni

 

   Tash për ne, o Shpirti i Shenjtë,

   me Atin një e me Birin,

   denjohu të ndërhysh i gatshëm

   në kraharorin tonë i shkrirë.

 

   Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,

   ta rrëfejnë me të madhe

   me zjarr dashuria të ndizet

   flakërimi të ngrohë t’afërmit.

 

   Na bëj që ta kuptojmë Atin,

   të njohim edhe Birin,

   të dy edhe ty Shpirtin

   të besojmë në çdo kohë. Amen.

 

Ora e gjashtë

 

   Himni

 

   Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,

   që sundon të gjitha sendet,

   me ndriçim pajis mëngjesin

   dhe me zjarr shkëlqen mesditën.

 

   Shuaji flakët e shamatave,

   flake zjarrin e dëmprurësve,

   jepu trupave shërimin,

   dhe të vërtetën paqe zemrave.

 

   Bëj, o Atë tërë drejtësi,

   dhe ti Bir baras me Atin,

   bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar

   që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

Ora e nëntë

 

   Himni

 

   Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,

   i patrandur në ty mbahesh,

   kohët e dritës së përditshme

   përcakton me shumë mbarësi.

 

   Dhe gjatë netëve lësho dritën,

   që të mos ndërpritet jeta,

   por çmimi i vdekjes shenjte

   lavdia e përjetshme të jetë.

 

   Bëj, o Atë tërë drejtësi,

   dhe, o Bir, baras me Atin,

   bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,

   të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

Ant. 1 E paça në ndihmë të djathtën tënde, o Zot, sepse i zgjodha urdhërimet e tua.

 

   Psalmi 119 /118/ XXII (169-176)

 

Le të arrijë te ti, o Zot, britma ime, *

   ma ndriço mendjen sipas fjalës sate.

Le të dalë lutja ime para fytyrës sate, *

   më liro ashtu si ma ke dhënë fjalën.

 

Buzët e mia do ta këndojnë këngën e lavdit *

   sepse ti m’i mësove rregulloret e tua.

Gjuha ime le ta këndojë fjalën tënde, *

   sepse të gjitha urdhërimet e tua janë të drejta.

 

E paça në ndihmë të djathtën tënde, *

   sepse i zgjodha urdhërimet e tua.

E dëshiroj shumë, o Zot, shëlbimin tënd, *

   kënaqësia ime është Ligji yt.

 

Do të jetojë shpirti im dhe do të të lavdërojë, *

   në ndihmë do t’i kem gjyqet e tua.

U enda poshtë-lart porsi delja e humbur, *

   kërkoje shërbëtorin tënd

   sepse urdhërimet e tua nuk i kam harruar.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 E paça në ndihmë të djathtën tënde, o Zot, sepse i zgjodha urdhërimet e tua.

 

Ant. 2 Mbretëria jote, o Zot, në shekuj të shekujve.

 

   Psalmi 45 /44/ Dasma e Mbretit

 

   Rreth mesnatës u dha lajmi: Ja, dhëndri! Dilni përpara (Mt 25, 6).

 

I (2-10)

 

Nga zemra më burojnë fjalët e këndshme, †

   këngën time ia kushtoj mbretit: *

   gjuha ime si lapsi i shkruesit të shpejtë!

 

Ti je i bukur, më i pashmi ndër bijtë e njerëzve, †

   u zbraz hiri në buzët e tua, *

   prandaj Hyji të bekoi për amshim.

 

Ngjeshe shpatën në ijë, o trimi i trimave, *

   vishu me shkëlqim e me madhëri!

 

Për të mbrojtur të vërtetën, butësinë e të drejtën *

   e të të mësojë të bësh emnesë e djathta jote!

 

Të mprehta janë shigjetat e tua †

   në zemra të armiqve të mbretit! *

   Popujt do të bien nën sundimin tënd.

 

Froni yt, o Hyj, në shekuj të shekujve, *

   skeptër drejtësie skeptri i mbretërisë sate!

Ti e do drejtësinë, ti e urren padrejtësinë, †

   prandaj të shuguroi Hyji, Hyji yt, *

   me vaj gëzimi çmoskëndin ndër shokët e tu.

 

U vjen era mirrë, aloejë e kasje petkave të tua, *

   në pallate - asht elefanti, harpat të argëtojnë.

Bija mbretërish janë në përcjelljen tënde, *

   në të djathtë të qëndron mbretëresha,

   në ar Ofiri e ngrirë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Mbretëria jote, o Zot, në shekuj të shekujve.

 

Ant. 3 Ja qyteti i shenjtë, Jerusalemi i ri, i shkëlqyeshëm si nusja për Zotërinë e saj.

 

   II (11-18)

 

Më vështro, o bijë, shih e dëgjo: *

   harroje popullin tënd dhe shtëpinë e babës tënd,

atëherë mbretit do t’i pëlqejë bukuria jote. *

   Ai është zotëria yt, nderoje atë!

 

Populli i Tirit vjen me dhurata, *

   përkrahjen tënde e dëshirojnë princat e popullit.

 

E lavdishme është bija e mbretit përbrenda, *

   e mbështjellë me petk të qëndisur me ar.

 

Në petka lara-lara ia sjellin mbretit, *

   përcjellja e saj, shoqet e saja. vajza.

Me hare u prijnë e me brohori, *

   ja, po hyjnë në pallatet e mbretit!

 

Në vend të etërve të tu do t’i kesh fëmijët, *

   do t’i vësh princa mbi mbarë dheun.

 

Do të bëj të përmendet emri yt *

   prej breznie në brezni;

prandaj edhe popujt do të të lavdërojnë *

   në amshim e në shekuj të shekujve.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ja qyteti i shenjtë, Jerusalemi i ri, i shkëlqyeshëm si nusja për Zotërinë e saj.

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër Dan 6, 27b-28

 

   Hyji ynë është Hyji i gjallë, ai është i amshueshëm! Mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim, sundimi i tij deri në amshim! Ai është çlirues e shëlbues, që bën shenja e mrekulli në qiell e mbi tokë!

 

   D Ejani dhe shikoni veprat e Zotit,

   C ai është i shenjtë dhe i madhërishëm

   në mes të të gjitha kombeve.

 

   Lutja

 

   O Hyj, Atë i gjithëpushtetshëm, jepi dritën e Shpirtit Shenjt kësaj familjeje të bashkuar në Emrin tënd, që, e mbrojtur prej sulmeve të armikut, të gëzohet gjithmonë në lavdinë tënde. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër Rom 15, 5-7

 

   Hyji që jep qëndresën dhe ngushëllimin, bëftë që ju të jeni plotësisht në përkim njëri me tjetrin sikurse dëshiron Jezu Krishti, në mënyrë që, një mendimi e një goje, ta lëvdoni Hyjin, Atin e Zotit tonë, Jezu Krishtit.

   Prandaj, pranoni njëri‑tjetrin në shoqëri sikurse Krishti ju pranoi ju për lavdinë e Hyjit.

 

   D Zoti e do popullin e vet,

   C të përvuajturve u jep fitoren.

 

   Lutja

 

   O Zot, zjarr dashurie, na e dhuro flakën e Shpirtit tënd që të të duam ty mbi çdo gjë dhe vëllezërit tanë me dashurinë tënde. Nëpër Krishtin.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër Fil 4, 8. 9

 

   O vëllezër, mundohuni të keni për zemër gjithçka është e vërtetë, gjithçka është e ndershme, gjithçka është e drejtë, gjithçka është e pastër, gjithçka është e shenjtë, gjithçka është e denjë për dashuri, gjithçka është e denjë për lavdi, gjithçka është virtyt. Dhe Hyji që jep paqen do të jetë me ju.

 

   D Të madhëroj, Hyji im dhe mbreti im,

   C përgjithmonë e bekoj Emrin tënd.

 

   Lutja

 

   Dëgjoje, o Hyj, lutjen tonë me ndërmjetësinë e së lumes Virgjërës Mari dhe na e jep paqen tënde, që në çdo ditë të jetës sonë të mund të kushtohemi me gëzim në shërbimin tënd dhe t’ia arrijmë lumturisë së mbretërisë sate. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.