Ora e mesme
Java e Pestë e Kohës së rëndomtë
Java I e Psalterit
E Tretë – e gjashtë – e nëntë
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Ora e tretë
Tash për ne, o Shpirt Shenjt,
me Atin një e me Birin,
denjohu të ndërhysh i gatshëm
në kraharorin tonë i shkrirë.
Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
ta rrëfejnë me të madhe
me zjarr dashuria të ndizet
flakërimi të ngrohë t’afërmit.
Na bëj që ta kuptojmë Atin,
të njohim edhe Birin,
të dy edhe ty Shpirtin
të besojmë në çdo kohë. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
që sundon të gjitha sendet,
me ndriçim pajis mëngjesin
dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
Shuaji flakët e shamatave,
flake zjarrin e dëmprurësve,
jepu trupave shërimin,
dhe të vërtetën paqe zemrave.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe ti Bir baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
i patrandur në ty mbahesh,
kohët e dritës së përditshme
përcakton me shumë mbarësi.
Dhe gjatë netëve lësho dritën,
që të mos ndërpritet jeta,
por çmimi i vdekjes shenjte
lavdia e përjetshme të jetë.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe, o Bir, baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ant. 1 I bekuar je ti, o Zot, ma trego vullnetin tënd.
Psalmi 119 /118/ (9-16)
Si do ta ruajë të pastër djaloshi udhën e vet? *
Duke i zbatuar fjalët e tua.
Të kërkoj me gjithë fuqinë e shpirtit tim: *
mos lejo t’u shmangem urdhërimeve të tua.
Fjalët e tua i fsheha në zemrën time, *
që të mos gaboj kundër teje.
I bekuar je, o Zot, *
ma mëso vullnetin tënd.
Me buzët e mia i shpall një nga një *
të gjitha gjyqet e gojës sate.
Më shumë i gëzohem udhës së dëshmive të tua *
se pasurisë tejet të madhe.
Do të ushtrohem në urdhërimet e tua, *
do t’i kujtoj udhët e tua.
Do të kënaqem në rregulloret e tua, *
s’do ta harroj fjalën tënde.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 I bekuar je ti, o Zot, ma trego vullnetin tënd.
Ant. 2 Udhëhiqi hapat e mi brenda shtigjeve të tua, o Zot.
Psalmi 17 /16/ I (1-9) Hyji është shpresa e të pafajshmit të përndjekur
Ai, në ditët e jetës së vet këtu mbi tokë, i kushtoi urata dhe lutje me ofshame të mëdha dhe me lot Atij që mundte ta shpëtonte nga vdekja, dhe qe vështruar për shkak të nënshtrimit të vet (Heb 5, 7).
Dëgjoje, o Zot, çështjen time të drejtë, *
vështroje lutjen time,
Vëri vesh lutjes sime *
që del nga buzët joshtiracake.
Prej teje le të më vijë vendimi gjykues, *
sepse vetëm sytë e tu shikojnë të drejtën.
Sprovoje zemrën time, vëreje atë natën, *
më sprovo me zjarr: në mua nuk do të gjesh padrejtësi.
Goja ime s’gabon siç veprojnë njerëzit, *
në saje të fjalëve të buzëve të tua
iu shmanga udhës së mujsharit.
Mbaj hapat e mi brenda shtigjeve të tua, *
që këmbët të mos më marrakoten.
Në ndihmë të thërras ty, o Hyj, e më vështro, *
ma prir veshin tënd e dëgjo fjalët e mia,
madhëroje mbi mua dashurinë tënde, †
ti që i shpëton nga armiku *
ata që shpresojnë në të djathtën tënde.
Më ruaj porsi bebëzën e syrit, *
më fsheh nën hijen e krahëve të tu,
prej syve të të pabesëve që po më përndjekin. *
Armiqtë e mi të tërbuar po më rrethojnë gjithkah.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Udhëhiqi hapat e mi brenda shtigjeve të tua, o Zot.
Ant. 3 Ngrihu, o Zot, dhe shpëtoje jetën time.
II (10-15)
Nga zemra e padhimbshme *
goja u flet kreni.
Ja, po më afrohen tani po më rrethojnë *
m’i ngulën sytë për të më përplasur për tokë.
Të ngjashëm me luanin e gatshëm për pre, *
më zogun e luanit që rri gati në pritë.
Ngrihu, o Zot, deli para, përplase përdhe, *
me shpatën tënde ma shpëto jetën prej të paudhit!
Prej vdekatarëve nga dora jote, o Zot, *
prej vdekatarëve që s’kanë pjesë në jetë.
Mbushua, ani, me të mirat e tua barkun, †
le të ngopen edhe fëmijët e tyre *
e le të teprojë edhe për foshnjat e tyre!
E unë në pafajësi do ta shikoj fytyrën tënde, *
e një ditë, kur të zgjohem,
do të kënaqem me praninë tënde.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ngrihu, o Zot, dhe shpëtoje jetën time.
Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese
Ora e tretë
Leximi i shkurtër 1 Pjt 1, 13-14
Shpirtërisht të gatshëm, rrini zgjuar dhe ngulni tërë shpresën tuaj në hirin që ju sjell Zbulesa e Jezu Krishtit. Porsi fëmijë të dëgjueshëm, mos u përshtatni dëshirave të mëparshme, kur ishit në padijeni.
D M’i trego, o Zot, udhët e tua,
C e më udhëheq shtigjeve të tua.
Lutja
O Zot, Atë i shenjtë, Hyj besnik, ti që e dërgove Shpirtin Shenjt të premtuar nga Biri yt, që ta bashkonte njerëzimin e shpërndarë për shkak të mëkatit, bëj që të jemi në botë ndërtues të njësisë dhe të paqes. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër 1 Pjt 1, 15-16
Sikurse është Shenjt Ai që ju ka thirrur, ashtu edhe ju jini të shenjtë në tërë jetën tuaj. Sepse shkruan: “Të jeni të shenjtë sikurse edhe vetë jam i shenjtë.”
D Meshtarët e tu le të vishen me drejtësi
C dhe të devotshmit e tu le të këndojnë nga gëzimi.
Lutja
O Hyj i madh dhe i mëshirshëm, ti që na dhuron pushimin nga lodhja e përditshme, na ndihmo në dobësinë tonë që të mund ta përfundojmë punën që e kemi filluar. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Jak 4, 7-8. 10
Nënshtrohuni, pra Hyjit! Kundërshtoni djallit dhe do të largohet prej jush! Afrohuni Hyjit edhe Ai do t’ju afrohet juve! Pastroni duart, o mëkatarë! Pastroni zemrat, o njerëz dy mendjesh! Përuluni para Hyjit dhe Ai do t’ju lartësojë.
D Sytë e Zotit janë përmbi ata që e druajnë,
C mbi ata që shpresojnë në dashurinë e tij.
Lutja
O Zot Jezu Krisht, ti që për t’i shëlbuar të gjithë njerëzit, i shtrive krahët e tu përmbi kryq, pranoje dhuratën e punës sonë dhe bëj që e gjithë jeta jonë të jetë e shenjtë dhe dëshmi e shëlbimit tënd. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.