Ora e mesme

Java e Pestë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E premte

 

Ora e mesme

 

E Tretë – e gjashtë – e nëntë

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

Ora e tretë

 

   Himni

 

   Tash për ne, o Shpirt Shenjt,

   me Atin një e me Birin,

   denjohu të ndërhysh i gatshëm

   në kraharorin tonë i shkrirë.

 

   Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,

   ta rrëfejnë me të madhe

   me zjarr dashuria të ndizet

   flakërimi të ngrohë t’afërmit.

 

   Na bëj që ta kuptojmë Atin,

   të njohim edhe Birin,

   të dy edhe ty Shpirtin

   të besojmë në çdo kohë. Amen.

 

Ora e gjashtë

 

   Himni

 

   Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,

   që sundon të gjitha sendet,

   me ndriçim pajis mëngjesin

   dhe me zjarr shkëlqen mesditën.

 

   Shuaji flakët e shamatave,

   flake zjarrin e dëmprurësve,

   jepu trupave shërimin,

   dhe të vërtetën paqe zemrave.

 

   Bëj, o Atë tërë drejtësi,

   dhe ti Bir baras me Atin,

   bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar

   që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

Ora e nëntë

 

   Himni

 

   Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,

   i patrandur në ty mbahesh,

   kohët e dritës së përditshme

   përcakton me shumë mbarësi.

 

   Dhe gjatë netëve lësho dritën,

   që të mos ndërpritet jeta,

   por çmimi i vdekjes shenjte

   lavdia e përjetshme të jetë.

 

   Bëj, o Atë tërë drejtësi,

   dhe, o Bir, baras me Atin,

   bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,

   të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

Ant. 1 Vrapoj udhës së urdhërimeve të tua, o Zot, sepse ti ma ke zgjeruar zemrën.

 

   Psalmi 119 /118/ IV (25-32)

 

Shpirti im hiqet zvarrë nëpër pluhur: *

   më përtërij sipas zotimit që më dhe.

I kam treguar udhët e mia e ti më dëgjove: *

   m’i mëso rregulloret e tua.

 

Bëj ta kuptoj udhën e urdhërimeve të tua *

   e do t’i kujtoj mrekullitë e tua.

Prej trishtimit shpirti im qan me lot, *

   më forco shpirtërisht sipas premtimit që më dhe.

 

Më mbaj larg nga udha e rrenës, *

   më pajis me Ligjin tënd.

E kam zgjedhur udhën e së vërtetës, *

   në zemër i kam urdhërimet e tua.

 

Jam lidhur pas vendimeve të tua, o Zot, *

   mos lejo të turpërohem.

Vrapoj udhës së urdhërimeve të tua, *

   sepse ti ma ke shndritur zemrën.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Vrapoj udhës së urdhërimeve të tua, o Zot, sepse ti ma ke zgjeruar zemrën.

 

Ant. 2 Shpresoj në ty, o Zot, nuk kam se si të rrëzohem.

 

   Psalmi 26 /25/ (1-12) Urata e njeriut të pafajshëm

 

   Hyji na zgjodhi në Krishtin para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer (Ef 1, 4).

 

Më jep të drejtën, o Zot, sepse jetoj në pafajësi, *

   i mbështetur në ty nuk kam se si të ligështohem.

 

Më shqyrto, o Zot, e më vër në provë, *

   m’i pastro me zjarr veshka e zemër!

 

Para sysh e kam dashurinë tënde, *

   jetoj e veproj sipas drejtësisë sate.

 

Nuk rri me njerëz të këqij *

   as s’bëj shoqëri me njerëz shtiracakë.

I urrej mbledhjet e të paudhëve, *

   e me njerëz të pabesë nuk do të rri.

 

Në pafajësi i laj duart e mia *

   e rreth i sillem lterit tënd, o Zot,

për ta shpallur botërisht lavdinë tënde, *

   për t’i kumtuar të gjitha mrekullitë e tua.

 

O Zot, e dua shtëpinë ku ti banon *

   dhe vendin ku qëndron Lavdia jote.

Mos e shoqëro shpirtin tim me atë të mëkatarëve *

   as jetën time me atë të gjakësorëve.

 

Në duart e tyre është paudhësia, *

   e djathta e tyre është plot dhurata.

E unë jetoj në pafajësinë time, *

   më shpërble, o Zot, e ki dhembje për mua.

 

Tashmë këmba ime shkel në udhë të drejtë: *

   në bashkime do ta bekoj Zotin.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Shpresoj në ty, o Zot, nuk kam se si të rrëzohem.

 

Ant. 3. Në Zotin e vura shpresën time dhe Ai ma dha ndihmën e vet.

 

   Psalmi 28 /27/ (1-3. 6-9) Lutje dhe falënderim

 

   O Atë, të falënderoj që ma dëgjove uratën (Gjn 11, 41).

 

Të thërras në ndihmë, o Zot, *

   Hyji im, mos rri shurdh ndaj meje,

sepse po ndenje shurdh ndaj meje *

   do të bëhem si ata që zbresin në varr.

 

Dëgjoje zërin e lutjes sime *

   kur me afsh të thërras në ndihmë,

kur i ngre duart e mia *

   në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.

 

Mos më merr me mëkatarë *

   e me ata që bëjnë të keqen:

flasin për paqe me të afërmit e vet, *

   kurse në zemër përbluajnë të keqen.

 

Qoftë bekuar Zoti *

   që e dëgjoi zërin e lutjes sime.

 

Zoti është ndihma ime, mbrojtësi im, †

   në të shpreson shpirti im dhe gjeta ndihmë: *

   zemra më gëzohet e me këngën time e falënderoj.

 

Zoti është fuqia e popullit të vet, *

   kështjellë shpëtimi për të shuguruarin e vet.

Shpëtoje popullin tënd e bekoje trashëgimin tënd: *

   priju e ngriji deri në amshim!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Në Zotin e vura shpresën time dhe Ai ma dha ndihmën e vet.

 

   Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër Fil 2, 2-4

 

   Ma plotësoni gëzimin: jetoni në marrëveshje, kini të njëjtën dashuri, jini një zemre, një mendimi! Mos bëni asgjë për kryelartësi, as për mendje të madhe, por, me përvujtëri mbani njëri‑tjetrin më të madh se veten. Mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e të tjerëve.

 

   D Shtigjet e Zotit janë e vërtetë dhe hir

   C për ata që e mbajnë ligjin dhe besëlidhjen e tij.

 

   Lutja

 

   O Zot Jezu Krisht, ty në orën e tretë të çuan në mundimet e kryqit për shëlbimin e mbarë botës, në mirësinë tënde fali mëkatet tona të kaluara dhe në të ardhmen na mbro prej së keqes. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër 2 Kor 13, 4

 

   Vërtet, Krishti qe kryqëzuar për shkak të dobësisë, por jeton në saje të fuqisë së Hyjit. Po, edhe ne jemi të ligshtë në Të, por do të jetojmë në Të në saje të fuqisë së Hyjit.

 

   D Jam i lodhur dhe i rraskapitur, o Zot:

   C bëj që të jetoj me anë të fjalës sate.

 

   Lutja

 

   O Zot Jezu Krisht, ti në orën e gjashtë, kur terri po e mbulonte botën, qe gozhduar në kryq, fli e pafajshme për shëlbimin tonë, na e dhuro përherë atë dritë që i udhëheq njerëzit në udhën e jetës së pasosur. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër Kol 3, 12-13

 

   Vishuni, pra, mbasi jeni të zgjedhurit e Hyjit, shenjtër e të dashur me zemër të dhimbshme, me mirësi, me përvujtëri, me butësi, me duresë. Duroni njëri‑tjetrin dhe falni njëri‑tjetrin në qoftë se ndokush ka ndonjë ankim kundër tjetrit. Sikurse Zoti ju fali ju, po ashtu bëni edhe ju!

 

   D I mirë dhe i mëshirshëm është Zoti,

   C i ngadalshëm në hidhërim e i madh në dashuri.

 

   Lutja

 

   O Zot Jezu Krisht, ti që cubit të penduar i dhe hir të kalonte prej kryqit në lavdinë e mbretërisë sate, pranoje rrëfimin e përvuajtur të mëkateve tona dhe në çastin e vdekjes na e hap edhe neve derën e parajsës. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.