Ora e mesme
Java e gjashtë e Kohës së rëndomtë
Java II e Psalterit
E diel
Ora e mesme
E Tretë – e gjashtë – e nëntë
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Ora e tretë
Himni
Tash për ne, o Shpirt Shenjt,
me Atin një e me Birin,
denjohu të ndërhysh i gatshëm
në kraharorin tonë i shkrirë.
Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,
ta rrëfejnë me të madhe
me zjarr dashuria të ndizet
flakërimi të ngrohë t’afërmit.
Na bëj që ta kuptojmë Atin,
të njohim edhe Birin,
të dy edhe ty Shpirtin
të besojmë në çdo kohë. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
që sundon të gjitha sendet,
me ndriçim pajis mëngjesin
dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
Shuaji flakët e shamatave,
flake zjarrin e dëmprurësve,
jepu trupave shërimin,
dhe të vërtetën paqe zemrave.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe ti Bir baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
i patrandur në ty mbahesh,
kohët e dritës së përditshme
përcakton me shumë mbarësi.
Dhe gjatë netëve lësho dritën,
që të mos ndërpritet jeta,
por çmimi i vdekjes shenjte
lavdia e përjetshme të jetë.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe, o Bir, baras me Atin,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.
Ant. 1 Zoti më mballon kullotave të gjelbra, më prin në ujëra të qeta, aleluja.
Psalmi 23 /22/ (1-6) Bariu i mirë
Qengji do t'i kullosë dhe do t'i çojë në burimet e ujërave të jetës (Zb 7, 17).
Zoti është bariu im, *
asgjë nuk më mungon.
Më mballon kullotave të gjelbra,
më prin në ujëra të qeta, *
shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta *
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, †
s’trembem nga e keqja *
sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba *
për mua janë ngushëllim.
Ti ma shtron tryezën përpara *
ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen, *
gotën ma mbush plot e përplot.
Hiri dhe mirësia do të më përcjellin *
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit *
derisa të jem gjallë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Zoti më mballon kullotave të gjelbra, më prin në ujëra të qeta, aleluja.
Ant. 2 I madh është për ne Emri yt, o Zot.
Psalmi 76 /75/ Këngë ngadhënjimi pas fitores
Do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe me madhëri të madhe (Mt 24, 30).
I (2-7)
I njohur është Hyji në Jude, *
i madh është Emri i tij në Izrael.
Në Salem është tenda e tij, *
vendbanimi i tij në Sion.
Atje ai i theu shigjetat e harkut, *
shqytin, shpatën e luftën.
Shkëlqen, o i Madhërishëm, *
mbi malet e presë!
Qenë rrëmbyer të fortët, gjumi i kapi, *
asnjë trim s’diti t’i përdorë duart e veta
nga kërcënimi yt, Hyji i Jakobit, *
shtang mbetën qerre e kalë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 I madh është për ne Emri yt, o Zot.
Ant. 3 Zoti do të ngrihet në gjyq, dhe do ta shëlbojë tokën, aleluja.
II (8-13)
Ti je i tmerrshëm e kush mund të të bëjë ballë? *
Atëherë kur shfrenohet felgrimi yt!
Nga qielli e jep vendimin gjykatës; *
Toka u trand dhe heshti,
kur të ngrihet Hyji në gjyq *
për t’i shpëtuar të përvujtët e dheut.
Të goditurit nga felgrimi yt të lavdërojnë, *
të shpëtuarit nga felgrimi do të të bëjnë festë.
Bëni kushte dhe plotësojani Zotit, Hyjit tuaj, *
të gjithë ju përreth tij jepni dhurata të Tmerrshmit,
Atij që ua merr frymën princave, *
që është tmerr për mbretërit e tokës.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Zoti do të ngrihet në gjyq, dhe do ta shëlbojë tokën, aleluja.
Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Rom 5, 1-2. 5.
Të shfajësuar me anë të fesë, jemi në paqe me Hyjin nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin fituam hirin, në të cilin tani jemi dhe me të cilin mburremi, sepse shpresojmë se do të kemi pjesë në lumturinë e Hyjit. Shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua.
D Do t’i këndoj gjithmonë dashurisë së Zotit,
C do ta shpall besnikërinë e tij në shekuj.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Rom 8, 26
Shpirti Shenjt na ndihmon në paaftësinë tonë, sepse ne nuk dimë as çka të kërkojmë me lutje si duhet, por vetë Shpirti Shenjt lutet për ne me ofshame të patregueshme.
D Britma ime le të arrijë te ti, o Zot:
C me fjalën tënde më bëj të urtë.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër 2 Kor 1, 21-22
Ai që na forcon në Krishtin, ne edhe ju, dhe na shuguron me vaj të shenjtë, është Hyji. Ai gjithashtu na vulosi dhe na e dha në zemrat tona pengun ‑ Shpirtin Shenjt.
D Zoti është drita ime dhe shëlbimi im,
C Zoti e mbron jetën time.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shtoje në ne fenë, shpresën e dashurinë, dhe për të fituar çka na premton, bëj të duam çka na urdhëron. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.