Ora e mesme

Java e gjashtë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E martë

 

Ora e mesme

 

E Tretë – e gjashtë – e nëntë

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

Ora e tretë

 

   Himni

 

   Tash për ne, o Shpirt Shenjt,

   me Atin një e me Birin,

   denjohu të ndërhysh i gatshëm

   në kraharorin tonë i shkrirë.

 

   Gojë, gjuhë, mend shqise e forcë,

   ta rrëfejnë me të madhe

   me zjarr dashuria të ndizet

   flakërimi të ngrohë t’afërmit.

 

   Na bëj që ta kuptojmë Atin,

   të njohim edhe Birin,

   të dy edhe ty Shpirtin

   të besojmë në çdo kohë. Amen.

 

Ora e gjashtë

 

   Himni

 

   Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,

   që sundon të gjitha sendet,

   me ndriçim pajis mëngjesin

   dhe me zjarr shkëlqen mesditën.

 

   Shuaji flakët e shamatave,

   flake zjarrin e dëmprurësve,

   jepu trupave shërimin,

   dhe të vërtetën paqe zemrave.

 

   Bëj, o Atë tërë drejtësi,

   dhe ti Bir baras me Atin,

   bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar

   që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

Ora e nëntë

 

   Himni

 

   Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,

   i patrandur në ty mbahesh,

   kohët e dritës së përditshme

   përcakton me shumë mbarësi.

 

   Dhe gjatë netëve lësho dritën,

   që të mos ndërpritet jeta,

   por çmimi i vdekjes shenjte

   lavdia e përjetshme të jetë.

 

   Bëj, o Atë tërë drejtësi,

   dhe, o Bir, baras me Atin,

   bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,

   të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

 

Ant. 1 Shtegtar në tokë, e ruaj ligjin tënd, o Zot.

 

   Psalmi 119 /118/ VII (49-56)

 

Të të bjerë ndër mend zotimi që i dhe shërbëtorit tënd, *

   me të cilin më ke dhënë shpresë.

Në vështirësinë time e kam këtë ngushëllim *

   sepse fjala jote ma përtëriti jetën.

 

Krenarët po më përqeshin së tepërmi, *

   por unë nuk i shmangem Ligjit tënd.

I kujtoj, o Zot, gjyqet e tua të lashta *

   dhe në to gjej ngushëllim.

 

Unë zemërohem tepër në mëkatarë *

   që i shmangen Ligjit tënd.

Këngë janë për mua urdhërimet e tua, *

   në dheun e shtegtimit tim.

 

Natën e kujtoj, o Zot, Emrin tënd, *

   dhe e zbatoj Ligjin tënd.

E mua më ndodh kështu, *

   sepse i mbaj urdhërimet e tua.

 

Ant. 1 Shtegtar në tokë, e ruaj ligjin tënd, o Zot.

 

Ant. 2 Hyji do ta riatdhesojë popullin e vet, dhe ne do të jetojmë në gëzim.

 

   Psalmi 53 /52/ (1-7) Marria i njeriut të patenzonë

 

   Të gjithë mëkatuan dhe u përjashtuan nga lumturia e Hyjit ‑ e me hirin e tij, të gjithë e fituan falas drejtësinë (Rom 3, 23. 24).

 

Tha i marri në zemrën e vet: »S'ka Hyj!« †

   njerëzit u prishën, bëjnë vepra të urryeshme: *

   s’ka më njeri që bën mirë!

 

Prej qiellit Hyji vështron mbi bijtë e Adamit, †

   për të parë a ka ndonjë të ndershëm, *

   ndonjë që kërkon Hyjin.

 

Të gjithë e lanë rrugën, *

   të gjithë së bashku u prishën,

s'është asnjë që të bëjë mirë, *

   - s'mbeti pasha një!

 

Po a s'e kuptojnë keqbërësit †

   që e gëlltisin popullin tim si kafshatë buke *

   e Hyjin nuk e thërrasin në ndihmë?

 

U drodhën nga frika ku frikë nuk kishte. †

   Hyji i shpërndau eshtrat e sulmuesve të tu, *

   të turpëruar do të mbesin, sepse Hyji i përbuzi.

 

Kush do t'ia japë prej Sionit shpëtimin Izraelit? †

   Kur Hyji ta riatdhesojë popullin e vet nga robëria, *

   do të gëzojë Jakobi, do të galdojë Izraeli.

 

Ant. 2 Hyji do ta riatdhesojë popullin e vet, dhe ne do të jetojmë në gëzim.

 

Ant. 3 Hyji është ndihma ime, Zoti më përkrah.

 

   Psalmi 54 /53/ (3-6. 8-9) Uratë Hyjit që jep drejtësi

 

   Tani shpirtin e kam të tronditur e ç'të them? O Atë, më shpëto nga kjo orë? Porse, fill për këtë erdha në këtë orë! O Atë, jepi lavdi Emrit tënd! (Gjn 12, 27-28).

 

Më shpëto, o Hyj, pashë Emrin tënd, *

   me fuqinë tënde mbroje të drejtën time.

O Hyj, vështroje lutjen time, *

   prire veshin nga fjalët e gojës sime!

 

Sepse krenarët u çuan kundër meje, †

   mizorët kërkojnë të ma marrin shpirtin: *

   për Hyjin ata s’kanë kujdes.

 

Por, ja, Hyji po më vjen në ndihmë, *

   shpirtin tim ai po e merr ndore.

 

E unë me ëndje do të të kushtoj fli, *

   do ta lavdëroj Emrin tënd, o Zot, sepse është i mirë,

sepse ti më shpëtove nga çdo vështirësi, *

   me përbuzje syri im i shikon armiqtë.

 

Ant. 3 Hyji është ndihma ime, Zoti më përkrah.

 

   Në orët e tjera përdoren psalmet e tjera plotësuese

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër 1 Kor 12, 4-6

 

   Dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë ‑ edhe shërbesat në përhapje të Ungjillit janë të ndryshme, por Zoti është i njëjtë ‑ po edhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme, por Hyji është i njëjtë ‑ Ai bën gjithçka në të gjithë.

 

   D Shëlbimi i Zotit është afër atyre që e druajnë,

   C lavdia e tij do të banojë në tokën tonë.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti që në orën e tretë u dhurove apostujve Shpirtin Ngushëllues, na jep edhe neve flakën e gjallë të dashurisë sate, që të mund të japim dëshmi të mirë para të gjithë njerëzve. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër 1 Kor 12, 12-13

 

   Vërtet, në një të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm, si hebrenjtë ashtu grekët, si robërit ashtu edhe të lirët dhe të gjithë e kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt.

 

   D O Atë i shenjtë, në dashurinë tënde

   ki kujdes për ne:

   C dhe me ty do të jetojmë në bashkim të përsosur.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti që Pjetrit apostull ia zbulove dëshirën tënde për t’i bashkuar të gjithë popujt në një Kishë të vetme, bekoje punën tonë të përditshme dhe bëj që ajo t'i shërbejë planit tënd të shëlbimit të të gjithë njerëzve. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër 1 Kor 12, 24b. 25-26

 

   Hyji ashtu e ka përbërë trupin, sa që gjymtyrës së fundit i ka dhënë më shumë nder, që të mos ketë përçarje në trup, por që gjymtyrët barazi të kujdesen njëra për tjetrën. Dhe, nëse vuan një gjymtyrë, vuajnë së bashku të gjitha gjymtyrët; e nëse nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të.

 

   D Na bashko, o Zot, prej të gjitha kombeve,

   C që ta lavdërojmë emrin tënd të shenjtë.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti që e dërgove engjëllin tënd te Korneli centurion për t’ia treguar udhën e shëlbimit, bëj që të bashkëpunojmë në shëlbimin e të gjithë njerëzve, në mënyrë që, të bashkuar në Kishën tënde, të mund t’ia arrijmë lavdisë sate. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.