Ora e mesme

Java e parë e kreshmëve - E Diel

 

Ora e mesme

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ora e tretë

 

   Himni

 

   Me fe të Hyjit ne jetojmë,

   me atë shpresë që prore besojmë,

   nëpër hir të dashurisë

   Krishtit lavde t’i këndojmë.

 

   I çuar në orën e tretë

   në flijimin e mundimeve,

   mbi atë kryq që mbarti u var,

   tërhoqi delen e humbur.

 

   Të nënshtruar po të lutemi,

   të lirë me anë të shëlbimit,

   që të shkëpusë nga shekulli

   ata që iu falën mëkatet.

 

   Krishtin dhe Atin t’i lusim,

   Shpirtin e Krishtit e të Atit,

   një e vetme e gjithëpushtetshme,

   Trini, ndihmo ata që luten. Amen.

 

Ora e gjashtë

 

   Himni

 

   Kur Krishti pati etje,

   në atë orë që në kryq e ngjitën,

   kush psalterin di të lexojë

   etjes së drejtësisë t’i këndojë.

 

   Bashkë me etje qoftë uri,

   për atë që vdiq për ne,

   edhe mëkati neveri,

   e virtyti qoftë dëshirë.

 

   Bagmi i Shpirtit Shenjt

   sot mbi këngë e qeste ndikoftë,

   që zjarrin e trupit ta ngrijë,

   acarin e shpirtit ngrohtë.

 

   Krishtin dhe Atin t’i lusim,

   Shpirtin e Krishtit e të Atit;

   një e vetme e gjithëpushtetshme

   Trini, përkrah ata që luten. Amen.

 

Ora e nëntë

 

   Himni

 

   Tri herë çdo tri orë për ne

   numri i shenjtë përhapet,

   në emrin e shenjtë të Jezusit

   t’i lypim dhuntitë e faljes.

 

   Ja rrëfimi i hajdutit

   hirin e Krishtit fiton,

   lavdi ynë dhe përkushtimi,

   mëshirën meriton.

 

   Me anë të kryqit humbet vdekja,

   e pas territ kthehet drita:

   si çahet terri i kobëve,

   lulëzoftë mendja e ndritur.

 

   Krishtin dhe Atin lusim,

   të Krishtit e të Atit Shpirtin:

   një e vetme e gjithëpushtetshme

   Trini, përkrahi ata që luten. Amen.

 

Ant. Ja ditët e pendesës, koha e faljes dhe e shpëtimit.

 

   Psalmi 118 /117/ I (1-9) Kënga e gëzimit dhe e fitores

 

   Jezusi është 'guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit' (Vap 4, 11).

 

Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *

   sepse e amshuar është dashuria e tij!

 

Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *

   e amshuar është dashuria e tij!

 

Le të thotë tani shtëpia e Aronit, *

   e amshuar është dashuria e tij!

 

Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, *

   e amshuar është dashuria e tij!

 

Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, *

   Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.

 

Zoti është me mua, *

   s’druaj se ka ç’më bën njeriu.

Me mua është Zoti, ndihmëtari im, *

   për asgjë i bëj armiqtë e mi.

 

Më mirë është të strehohesh te Zoti *

   se të kesh besim në njerëz.

Më mirë është të strehohesh te Zoti, *

   se të kesh besim në princa.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ja ditët e pendesës, koha e faljes dhe e shpëtimit.

 

Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti, nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit por që ai të kthehet dhe të jetojë.

 

   II (10-18)

 

Më rrethuan të gjithë paganët, *

   i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit.

Rreth e përqark më rrethuan, *

   por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.

 

Më rrethuan porsi bletët, †

   porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, *

   por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.

 

Më shtynë, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, *

   Por Zoti qe ndihma ime.

Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, *

   ai është shpëtimtari im.

 

Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi, *

   në tendat e të drejtëve:

 

»E djathta e Zotit u madhërua! †

   E djathta e Zotit më lartësoi! *

   E djathta e Zotit u madhërua!«

 

S’do të vdes, të jetoj dua, *

   do t’i kumtoj veprat e Zotit!

Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, *

   por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti, nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit por që ai të kthehet dhe të jetojë.

 

Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë: fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.

 

   III (19-29)

 

M’i hapni dyert e drejtësisë, *

   dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.

Ja, këtu është dera e Zotit; *

   nëpër të do të hyjnë të drejtët.

 

Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, *

   dhe u bëre Shpëtimtari im.

Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *

   erdhi e u bë guri i këndit;

Zoti e bëri këtë gjë: *

   sa mrekulli për sytë tanë!

 

Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: *

   të galdojmë e të gëzojmë në të!

 

Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, *

   deh, o Zot, jep të mbarën!

 

Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! *

   Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.

 

Hyji është Zot, ai na ndriçoi: †

   rendituni të gëzuar në reshtin kremtor *

   me rrema në dorë deri në ballë të altarit!

 

Ti je Hyji im, ty të falënderoj, *

   Ti je Hyji im, unë të madhëroj!

 

Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *

   sepse e amshuar është dashuria e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë: fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.

 

   Në orët tjera përdoren psalmet tjera plotësuese (fq. 1354).

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër 1 Sel 4, 1. 7

 

   Vëllezër, ju lutemi ngrohtësisht dhe ju përbejmë në Zotin Jezus që, sikurse mësuat prej nesh si duhet të jetoni për t'i pëlqyer Hyjit, ashtu edhe jetoni që të përparoni edhe më tepër. Jo po, Hyji nuk na ka grishur për të bërë fëlligështi, por për të jetuar në shenjtëri.

 

   D Krijo në mua, o Zot, një zemër të pastër,

   C përtërije në mua një shpirt të qëndrueshëm.

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër Is 30, 15. 18

 

   Kështu tha Zoti Hyj, Shenjti i Izraelit: “Në kthim e në paqe është shpëtimi juaj, në kthjelltësi e në shpresë është forca juaj.” Zoti pret t'ju përdëllejë, prandaj ngritet për t'ju bërë mëshirë, sepse Zoti është Hyj drejtësie: lum ata që shpresojnë në të.

 

   D Largoje shikimin prej mëkateve të mia,

   C shlyej të gjitha fajet e mia.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër Lp 4, 29-31

 

   Do ta kërkosh Zotin, Hyjin tënd; do ta gjesh nëse do ta kërkosh me gjithë zemër e me gjithë shpirt. Pasi në vështirësinë tënde të kanë ndodhur të gjitha këto që janë parathënë, dikur do të kthehesh te Zoti, Hyji yt, dhe atëherë do ta dëgjosh zërin e tij, sepse Zoti, Hyji yt, është Hyj i mëshirshëm. Ai nuk do të heqë dorë prej teje, as nuk do të të shfarosë krejtësisht, as nuk do ta qesë në harresë besëlidhjen, në të cilën iu përbetua etërve të tu.

 

   D Shpirti i penduar të pëlqen, o Zot,

   C ti nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm bëj që me përjetimin e sivjetshëm të Kreshmëve të përparojmë në kuptimin e mësimeve të Krishtit dhe ta shtiem në veprim me jetën tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.