Ora e mesme

Java e parë e kreshmëve - E hënë

 

Ora e mesme

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ora e tretë

 

   Himni

 

   Me fe të Hyjit ne jetojmë,

   me atë shpresë që prore besojmë,

   nëpër hir të dashurisë

   Krishtit lavde t’i këndojmë.

 

   I çuar në orën e tretë

   në flijimin e mundimeve,

   mbi atë kryq që mbarti u var,

   tërhoqi delen e humbur.

 

   Të nënshtruar po të lutemi,

   të lirë me anë të shëlbimit,

   që të shkëpusë nga shekulli

   ata që iu falën mëkatet.

 

   Krishtin dhe Atin t’i lusim,

   Shpirtin e Krishtit e të Atit,

   një e vetme e gjithëpushtetshme,

   Trini, ndihmo ata që luten. Amen.

 

Ora e gjashtë

 

   Himni

 

   Kur Krishti pati etje,

   në atë orë që në kryq e ngjitën,

   kush psalterin di të lexojë

   etjes së drejtësisë t’i këndojë.

 

   Bashkë me etje qoftë uri,

   për atë që vdiq për ne,

   edhe mëkati neveri,

   e virtyti qoftë dëshirë.

 

   Bagmi i Shpirtit Shenjt

   sot mbi këngë e qeste ndikoftë,

   që zjarrin e trupit ta ngrijë,

   acarin e shpirtit ngrohtë.

 

   Krishtin dhe Atin t’i lusim,

   Shpirtin e Krishtit e të Atit;

   një e vetme e gjithëpushtetshme

   Trini, përkrah ata që luten. Amen.

 

Ora e nëntë

 

   Himni

 

   Tri herë çdo tri orë për ne

   numri i shenjtë përhapet,

   në emrin e shenjtë të Jezusit

   t’i lypim dhuntitë e faljes.

 

   Ja rrëfimi i hajdutit

   hirin e Krishtit fiton,

   lavdi ynë dhe përkushtimi,

   mëshirën meriton.

 

   Me anë të kryqit humbet vdekja,

   e pas territ kthehet drita:

   si çahet terri i kobëve,

   lulëzoftë mendja e ndritur.

 

   Krishtin dhe Atin lusim,

   të Krishtit e të Atit Shpirtin:

   një e vetme e gjithëpushtetshme

   Trini, përkrahi ata që luten. Amen.

 

Ant. Ja ditët e pendesës, koha e faljes dhe e shpëtimit.

 

   Psalmi 19 /18 B/ (8-13. 15) Lavdi Hyjit, Zotëruesit të ligjit

 

   Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell (Mt 5, 48).

 

I përsosur është Ligji i Zotit, *

   shpirtin përtërin;

për t’u besuar është Dëshmia e Zotit, *

   të miturve u jep dijen.

 

Urdhërimet e Zotit janë të drejta, *

   kënaqin zemrën;

urdhri i Zotit është i qartë, *

   dritë u jep syve.

 

E panjollë është frika e Zotit, *

   nuk ndërron në shekuj të shekujve;

gjyqet e Zotit janë të vërteta, *

   të gjitha njënjë të drejta.

 

Më të çmueshme se ari, *

   se më i pastri ar,

më të ëmbla se mjalti, *

   se hoja që rrjedh mjaltë.

Shërbëtori yt me kujdes i mëson: *

   t’i mbash ato është fitesë e madhe.

Porse kush i heton gabimet? *

   Më pastro, o Zot, prej mëkateve të fshehta,

 

Të pëlqefshin, o Zot, *

   fjalët e gojës sime,

edhe mendimi i zemrës sime para teje, *

   o Zot, Ndihmësi im e Shëlbuesi im!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ja ditët e pendesës, koha e faljes dhe e shpëtimit.

 

Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti, nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit por që ai të kthehet dhe të jetojë.

 

   Psalmi 7 Urata e të drejtit të përndjekur

 

   Qe: Gjykatësi qëndron para derës (Jak 5, 9).

 

   I (2-10)

 

Ndore tënde, o Zot, Hyji im! *

   Më shpëto prej të gjithë salvuesve të mi e më liro

që të mos ma rrëmbejnë shpirtin porsi luani *

   që shqyen kur s’ka kush të shpëtojë!

 

Por, o Zot, Hyji im, nëse veprova kështu: *

   nëse gjendet padrejtësi në duart e mia,

nëse ia ktheva me të keqe bamirësit tim, *

   nëse e kurseva salvuesin e padrejtë,

 

më ndjektë armiku e më pushtoftë: †

   jetën time përdhe e shqelmoftë, *

   nderin tim pluhur e bëftë!

 

Ngrihu, o Zot, në felgrimin tënd, †

   ngrihu kundër tërbimit të armiqve të mi, *

   ngrihu, Hyji im, në gjyqin që caktove!

 

Le të të rrethojë kuvendi i popujve, *

   por ti prej së larti sillu kundër tij!

 

Zoti vendos mbi çështjet e popujve! †

   Më gjyko, o Zot, sipas drejtësisë sime, *

   dhe sipas pafajësisë sime.

 

Le të zhbihet fajësia e mëkatarëve, †

   lart ngrite të drejtin, Hyji i drejtë, *

   që shqyrton zemrat e veshkat!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti, nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit por që ai të kthehet dhe të jetojë.

 

Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë: fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.

 

   II (11-18)

 

Mburoja ime është në Hyjin *

   që i shpëton zemërdrejtët.

Hyji është gjykatës i drejtë, *

   i fortë dhe çdo ditë ndizet felgrimi i tij.

 

Vallë, a s’do ta mprehë përsëri shpatën e vet, *

   s’do ta ngrehë harkun e s’do ta mbajë gati?

Gati i bëri armët vdekjeprurëse, *

   shigjetat e veta flakë i skuqi!

 

Ja, bakeqi lindi padrejtësinë: *

   ngjizi shpirtligësinë e lindi tradhtinë.

Hapi gropën dhe e thelloi: *

   ai vetë bie në gropën që çel.

 

Shpirtligësia e tij do të bjerë mbi krye të tij, *

   dhuna e tij do t’i bjerë në majë të kokës së tij!

E unë do ta lavdëroj Zotin, sepse është i drejtë, *

   lavde do t’i këndoj Emrit të të Lartit Zot.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë: fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër Urt 11, 23-24

 

   Ti, o Zot, ke dhimbje për gjithçka pse gjithçka mundesh, ti bën kinse s'i sheh mëkatet e njerëzve që ata të pendohen. Vërtet, ti do gjithçka është dhe s'urren asgjë që ke krijuar: sepse, po ta kishe urryer ndonjë send, nuk e kishe krijuar.

 

   D Krijo në mua, o Zot, një zemër të pastër,

   C përtërije në mua një shpirt të qëndrueshëm.

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër Ez 18, 23

 

   Vallë, a thua i kënaqem vdekjes së mëkatarit ‑ është fjala e Zotit Hyj ‑ e jo që të kthehet nga sjellja e vet e të jetojë?

 

   D Largoje shikimin prej mëkateve të mia,

   C shlyej të gjitha fajet e mia.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër Krh. Is 58, 7

 

   Ndaje bukën tënde me të uriturin, merri në shtëpinë tënde skamnorët e të pashtëpitë? Kur ta shohësh të zhveshurin, vishe dhe mos e përbuz farefisin tënd.

 

   D Shpirti i penduar të pëlqen, o Zot,

   C ti nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar.

 

   Lutja

 

   Na kthe kah ti, o Zot, Shëlbuesi ynë, dhe me dijen qiellore na mëso, që vepra pendestare e Kreshmëve të na vlejë për shpirt. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.