Ora e mesme
Java e parë e kreshmëve - E mërkurë
Ora e mesme
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ora e tretë
Himni
Me fe të Hyjit ne jetojmë,
me atë shpresë që prore besojmë,
nëpër hir të dashurisë
Krishtit lavde t’i këndojmë.
I çuar në orën e tretë
në flijimin e mundimeve,
mbi atë kryq që mbarti u var,
tërhoqi delen e humbur.
Të nënshtruar po të lutemi,
të lirë me anë të shëlbimit,
që të shkëpusë nga shekulli
ata që iu falën mëkatet.
Krishtin dhe Atin t’i lusim,
Shpirtin e Krishtit e të Atit,
një e vetme e gjithëpushtetshme,
Trini, ndihmo ata që luten. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Kur Krishti pati etje,
në atë orë që në kryq e ngjitën,
kush psalterin di të lexojë
etjes së drejtësisë t’i këndojë.
Bashkë me etje qoftë uri,
për atë që vdiq për ne,
edhe mëkati neveri,
e virtyti qoftë dëshirë.
Bagmi i Shpirtit Shenjt
sot mbi këngë e qeste ndikoftë,
që zjarrin e trupit ta ngrijë,
acarin e shpirtit ngrohtë.
Krishtin dhe Atin t’i lusim,
Shpirtin e Krishtit e të Atit;
një e vetme e gjithëpushtetshme
Trini, përkrah ata që luten. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Tri herë çdo tri orë për ne
numri i shenjtë përhapet,
në emrin e shenjtë të Jezusit
t’i lypim dhuntitë e faljes.
Ja rrëfimi i hajdutit
hirin e Krishtit fiton,
lavdi ynë dhe përkushtimi,
mëshirën meriton.
Me anë të kryqit humbet vdekja,
e pas territ kthehet drita:
si çahet terri i kobëve,
lulëzoftë mendja e ndritur.
Krishtin dhe Atin lusim,
të Krishtit e të Atit Shpirtin:
një e vetme e gjithëpushtetshme
Trini, përkrahi ata që luten. Amen.
Ant. Ja ditët e pendesës, koha e faljes dhe e shpëtimit.
Psalmi 119 /118/ II (9-16)
Si do ta ruajë të pastër djaloshi udhën e vet? *
Duke i zbatuar fjalët e tua.
Të kërkoj me gjithë fuqinë e shpirtit tim: *
mos lejo t’u shmangem urdhërimeve të tua.
Fjalët e tua i fsheha në zemrën time, *
që të mos gaboj kundër teje.
I bekuar je, o Zot, *
ma mëso vullnesën tënde.
Me buzët e mia i shpall një nga një *
të gjitha gjyqet e gojës sate.
Më shumë i gëzohem udhës së dëshmive të tua *
se pasurisë tejet të madhe.
Do të ushtrohem në urdhërimet e tua, *
do t’i kujtoj udhët e tua.
Do të kënaqem në rregulloret e tua, *
s’do ta harroj fjalën tënde.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ja ditët e pendesës, koha e faljes dhe e shpëtimit.
Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti, nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit por që ai të kthehet dhe të jetojë.
Psalmi 17 /16/ I (1-9) Hyji është shpresa e të pafajshmit të përndjekur
Ai, në ditët e jetës së vet këtu mbi tokë, i kushtoi urata dhe lutje me ofshame të mëdha dhe me lot Atij që mundte ta shpëtonte nga vdekja dhe qe vështruar për shkak të nënshtrimit të vet (Heb 5, 7).
Dëgjoje, o Zot, çështjen time të drejtë, *
vështroje lutjen time,
Vëri vesh lutjes sime *
që del nga buzët joshtiracake.
Prej teje le të më vijë vendimi gjykues, *
sepse vetëm sytë e tu shikojnë të drejtën.
Sprovoje zemrën time, vëreje atë natën, *
më sprovo me zjarr: në mua nuk do të gjesh padrejtësi.
Goja ime s’gabon siç veprojnë njerëzit, *
në saje të fjalëve të buzëve të tua
iu shmanga udhës së mujsharit.
Mbaj hapat e mi brenda shtigjeve të tua, *
që këmbët të mos më marrakoten.
Në ndihmë të thërras ty, o Hyj, më vështro, *
ma prir veshin tënd e dëgjo fjalët e mia,
madhëroje mbi mua dashurinë tënde, †
ti që i shpëton nga armiku *
ata që shpresojnë në të djathtën tënde.
Më ruaj porsi bebëzën e syrit, *
më fsheh nën hijen e krahëve të tu,
prej syve të të pabesëve që po më përndjekin. *
Armiqtë e mi të tërbuar po më rrethojnë gjithkah.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti, nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit por që ai të kthehet dhe të jetojë.
Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë: fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.
II (10-15)
Nga zemra e padhimbshme *
goja u flet kreni.
Ja, po më afrohen tani po më rrethojnë *
m’i ngulën sytë për të më përplasur për tokë.
Të ngjashëm me luanin e gatshëm për pre, *
më zogun e luanit që rri gati në pritë.
Ngrihu, o Zot, deli para, përplase përdhe, *
me shpatën tënde ma shpëto jetën prej të paudhit!
Prej vdekatarëve nga dora jote, o Zot, *
prej vdekatarëve që s’kanë pjesë në jetë.
Mbushua, ani, me të mirat e tua barkun, †
le të ngopen edhe fëmijët e tyre *
e le të teprojë edhe për foshnjat e tyre!
E unë në pafajësi do ta shikoj fytyrën tënde, *
e një ditë, kur të zgjohem,
do të kënaqem me praninë tënde.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë: fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.
Në orët tjera përdoren psalmet tjera plotësuese (fq. 1354).
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Ez 18, 30b-32
Kthehuni dhe ndrequni nga të gjitha paudhësitë tuaja dhe paudhësia s'do të jetë më shkak për rënien tuaj. Flakni larg jush të gjitha pabesitë tuaja, me të cilat u bëtë të pabesë e përtëriteni zemrën e shpirtin tuaj! Përse të vdisni, shtëpia e Izraelit? Unë nuk i kënaqem vdekjes së mëkatarit ‑ thotë Zoti Hyj. Kthehuni e jetoni!
D Krijo në mua, o Zot, një zemër të pastër,
C përtërije në mua një shpirt të qëndrueshëm.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Zak 1, 3b-4
Kthehuni kah unë - thotë Zoti i Ushtrive, e edhe unë vetë do të kthehem kah ju - është fjala e Zotit të Ushtrive. - Mos u bëni si etërit tuaj, të cilëve u thoshin profetët e mëparshëm: ‘Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Kthehuni nga udhët tuaja të këqija e nga synimet tuaja të këqija.’ Por, ata s’dëgjuan as s’qenë në kujdes për mua, thotë Zoti.
D Largoje shikimin prej mëkateve të mia,
C shlyej të gjitha fajet e mia.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Dan 4, 24b
Shpërbleji mëkatet e tua me lëmoshë e paudhësitë e tua me mëshirë ndaj skamnorëve, e Zoti do t’i falë mëkatet tua.
D Shpirti i penduar të pëlqen, o Zot,
C ti nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar.
Lutja
Shikoje, po të lutemi, o Zot, me mirësi përkushtimin e popullit tënd, dhe bëj që me mbajtje të frenojë trupin e me vepra të mira të ushqejë shpirtin. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.