Ora e mesme
Java e parë e kreshmëve - E premte
Ora e mesme
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ora e tretë
Himni
Me fe të Hyjit ne jetojmë,
me atë shpresë që prore besojmë,
nëpër hir të dashurisë
Krishtit lavde t’i këndojmë.
I çuar në orën e tretë
në flijimin e mundimeve,
mbi atë kryq që mbarti u var,
tërhoqi delen e humbur.
Të nënshtruar po të lutemi,
të lirë me anë të shëlbimit,
që të shkëpusë nga shekulli
ata që iu falën mëkatet.
Krishtin dhe Atin t’i lusim,
Shpirtin e Krishtit e të Atit,
një e vetme e gjithëpushtetshme,
Trini, ndihmo ata që luten. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Kur Krishti pati etje,
në atë orë që në kryq e ngjitën,
kush psalterin di të lexojë
etjes së drejtësisë t’i këndojë.
Bashkë me etje qoftë uri,
për atë që vdiq për ne,
edhe mëkati neveri,
e virtyti qoftë dëshirë.
Bagmi i Shpirtit Shenjt
sot mbi këngë e qeste ndikoftë,
që zjarrin e trupit ta ngrijë,
acarin e shpirtit ngrohtë.
Krishtin dhe Atin t’i lusim,
Shpirtin e Krishtit e të Atit;
një e vetme e gjithëpushtetshme
Trini, përkrah ata që luten. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Tri herë çdo tri orë për ne
numri i shenjtë përhapet,
në emrin e shenjtë të Jezusit
t’i lypim dhuntitë e faljes.
Ja rrëfimi i hajdutit
hirin e Krishtit fiton,
lavdi ynë dhe përkushtimi,
mëshirën meriton.
Me anë të kryqit humbet vdekja,
e pas territ kthehet drita:
si çahet terri i kobëve,
lulëzoftë mendja e ndritur.
Krishtin dhe Atin lusim,
të Krishtit e të Atit Shpirtin:
një e vetme e gjithëpushtetshme
Trini, përkrahi ata që luten. Amen.
Ant. Ja ditët e pendesës, koha e faljes dhe e shpëtimit.
Psalmi 119 /118/ IV (25-32)
Shpirti im hiqet zvarrë nëpër pluhur: *
më përtërij sipas zotimit që më dhe.
I kam treguar udhët e mia e ti më dëgjove: *
m’i mëso rregulloret e tua.
Bëj ta kuptoj udhën e urdhërimeve të tua *
e do t’i kujtoj mrekullitë e tua.
Prej trishtimit shpirti im qan me lot, *
më forco shpirtërisht sipas premtimit që më dhe.
Më mbaj larg nga udha e rrenës, *
më pajis me Ligjin tënd.
E kam zgjedhur udhën e së vërtetës, *
në zemër i kam urdhërimet e tua.
Jam lidhur pas vendimeve të tua, o Zot, *
mos lejo të turpërohem.
Vrapoj udhës së urdhërimeve të tua, *
sepse ti ma ke shndritur zemrën.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ja ditët e pendesës, koha e faljes dhe e shpëtimit.
Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti, nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit por që ai të kthehet dhe të jetojë.
Psalmi 26 /25/ (1-12) Urata e njeriut të pafajshëm
Hyji na zgjodhi në Krishtin para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer (Ef 1, 4).
Më jep të drejtën, o Zot, sepse jetoj në pafajësi, *
i mbështetur në ty nuk kam se si të ligështohem.
Më shqyrto, o Zot, e më vër në provë, *
m’i pastro me zjarr veshka e zemër!
Para sysh e kam dashurinë tënde, *
jetoj e veproj sipas drejtësisë sate.
Nuk rri me njerëz të këqij *
as s’bëj shoqëri me njerëz shtiracakë.
I urrej mbledhjet e të paudhëve, *
e me njerëz të pabesë nuk do të rri.
Në pafajësi i laj duart e mia *
e rreth i sillem altarit tënd, o Zot,
për ta shpallur botërisht lavdinë tënde, *
për t’i kumtuar të gjitha mrekullitë e tua.
O Zot, e dua shtëpinë ku ti banon *
dhe vendin ku qëndron Lavdia jote.
Mos e shoqëro shpirtin tim me atë të mëkatarëve *
as jetën time me atë të gjakësorëve.
Në duart e tyre është paudhësia, *
e djathta e tyre është plot dhurata.
E unë jetoj në pafajësinë time, *
më shpërble, o Zot, e ki dhembje për mua.
Tashmë këmba ime shkel në udhë të drejtë: *
në bashkime do ta bekoj Zotin.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti, nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit por që ai të kthehet dhe të jetojë.
Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë: fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.
Psalmi 28 /27/ (1-3. 6-9) Lutje dhe falënderim
O Atë, të falënderoj që ma dëgjove uratën (Gjn 11, 41).
Të thërras në ndihmë, o Zot, *
Hyji im, mos rri shurdh ndaj meje,
sepse po ndenje shurdh ndaj meje *
do të bëhem si ata që zbresin në varr.
Dëgjoje zërin e lutjes sime *
kur me afsh të thërras në ndihmë,
kur i ngre duart e mia *
në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.
Mos më merr me mëkatarë *
e me ata që bëjnë të keqen:
flasin për paqe me të afërmit e vet, *
kurse në zemër përbluajnë të keqen.
Qoftë bekuar Zoti *
që e dëgjoi zërin e lutjes sime.
Zoti është ndihma ime, mbrojtësi im, †
në të shpreson shpirti im dhe gjeta ndihmë: *
zemra më gëzohet e me këngën time e falënderoj.
Zoti është fuqia e popullit të vet, *
kështjellë shpëtimi për të shuguruarin e vet.
Shpëtoje popullin tënd e bekoje trashëgimin tënd: *
priju e ngriji deri në amshim!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë: fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.
Në orët tjera përdoren psalmet tjera plotësuese (fq. 1354).
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Is 55, 3
Ma vini veshin e ejani tek unë, më dëgjoni e shpirti juaj do të jetojë! Me ju do të lidh Besëlidhje të përhershme, po, do t’i ruaj të mirat e Davidit.
D Krijo në mua, o Zot, një zemër të pastër,
C përtërije në mua një shpirt të qëndrueshëm.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Krh. Jer 3, 12. 14a
Kthehu, thotë Zoti, dhe nuk do ta kthej fytyrën time prej jush, sepse unë jam i mëshirshëm, e nuk do ta mbaj hidhërimin përgjithmonë. Kthehuni, o bij që u ngritët kundër meje, ‑ thotë Zoti ‑ sepse unë jam Zoti juaj.
D Largoje shikimin prej mëkateve të mia,
C shlyej të gjitha fajet e mia.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Jak 1, 27
Besimi i pastër dhe i patëmetë para Hyjit Atë është ky: kujdesi për bonjakë dhe për gra të veja në vështirësitë e tyre dhe ruajtja e pastër e vetvetes nga kjo botë.
D Shpirti i penduar të pëlqen, o Zot,
C ti nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar.
Lutja
Bëj, po të lutemi, o Zot, që besimtarët e tu të qëndrojnë në përgatitjen e Pashkëve, kështu që, pendesa trupore, të cilën e morëm mbi vete botërisht, t’i vlejë çdonjërit prej nesh për të mirën shpirtërore. Nëpër Krishtin Zotin tonë
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.