Ora e mesme
Java e parë e kreshmëve - E shtunë
Ora e mesme
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ora e tretë
Himni
Me fe të Hyjit ne jetojmë,
me atë shpresë që prore besojmë,
nëpër hir të dashurisë
Krishtit lavde t’i këndojmë.
I çuar në orën e tretë
në flijimin e mundimeve,
mbi atë kryq që mbarti u var,
tërhoqi delen e humbur.
Të nënshtruar po të lutemi,
të lirë me anë të shëlbimit,
që të shkëpusë nga shekulli
ata që iu falën mëkatet.
Krishtin dhe Atin t’i lusim,
Shpirtin e Krishtit e të Atit,
një e vetme e gjithëpushtetshme,
Trini, ndihmo ata që luten. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Kur Krishti pati etje,
në atë orë që në kryq e ngjitën,
kush psalterin di të lexojë
etjes së drejtësisë t’i këndojë.
Bashkë me etje qoftë uri,
për atë që vdiq për ne,
edhe mëkati neveri,
e virtyti qoftë dëshirë.
Bagmi i Shpirtit Shenjt
sot mbi këngë e qeste ndikoftë,
që zjarrin e trupit ta ngrijë,
acarin e shpirtit ngrohtë.
Krishtin dhe Atin t’i lusim,
Shpirtin e Krishtit e të Atit;
një e vetme e gjithëpushtetshme
Trini, përkrah ata që luten. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Tri herë çdo tri orë për ne
numri i shenjtë përhapet,
në emrin e shenjtë të Jezusit
t’i lypim dhuntitë e faljes.
Ja rrëfimi i hajdutit
hirin e Krishtit fiton,
lavdi ynë dhe përkushtimi,
mëshirën meriton.
Me anë të kryqit humbet vdekja,
e pas territ kthehet drita:
si çahet terri i kobëve,
lulëzoftë mendja e ndritur.
Krishtin dhe Atin lusim,
të Krishtit e të Atit Shpirtin:
një e vetme e gjithëpushtetshme
Trini, përkrahi ata që luten. Amen.
Ant. Ja ditët e pendesës, koha e faljes dhe e shpëtimit.
Psalmi 119 /118/ V (33-40)
Ma trego, o Zot, udhën e ligjeve të tua, *
dhe unë do ta mbaj gjithmonë. –
Më jep kuptim që ta mbaj Ligjin tënd *
e do ta zbatoj me gjithë zemrën time.
Më prij udhës së urdhërimeve të tua, *
sepse në të e kam Kënaqësinë time.
Prire zemrën time drejt urdhërimeve të tua *
e jo drejt lakmimit të pasurisë.
Largoji sytë e mi të mos e shohin kotësinë, *
më përtërij në udhën tënde.
Plotësoja shërbëtorit tënd premtimin tënd *
që ua dhe atyre që të druajnë.
Më shpëto nga çnderimi që aq fort i trembem, *
sepse gjyqet e tua janë të mrekullueshme.
Oh, sa fort i dua urdhërimet e tua, *
më përtërij në drejtësinë tënde!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ja ditët e pendesës, koha e faljes dhe e shpëtimit.
Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti, nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit por që ai të kthehet dhe të jetojë.
Psalmi 34 /33/ Zoti është shpëtimi i të drejtëve
E keni sprovuar se Zoti është i mirë (1Pjt 2, 3).
I (2-11)
Përherë do ta bekoj Zotin, *
në gojën time përherë lavdi i tij.
Shpirti im mburret në Zotin: *
le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.
Bashkë me mua jepni lavdi Zotit, *
le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
E kërkova Zotin e ai më dëgjoi *
edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.
Shikojeni atë e do të ndriçoheni *
fytyra juaj nuk do të turpërohet.
Ja, ky skamnor e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi *
dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tija.
Engjëlli i Zotit ngreh llogore rreth atyre *
që e kanë frikë dhe i shpëton.
Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti! *
I lumi ai që shpreson në të!
Nderojeni Zotin, ju shenjtërit e tij, *
s’u mungon gjë atyre që e druajnë.
Pasanikët u varfëruan dhe patën uri, *
ata që kërkojnë Zotin do të kenë çdo të mirë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti, nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit por që ai të kthehet dhe të jetojë.
Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë: fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.
II (12-23)
Ejani, o bij, e më dëgjoni: *
do t’jua mësoj frikën e Zotit.
A e dëshiron jetën, o njeri? *
A dëshiron ditë të shumta për të gëzuar të mirat?
Rrudhe gjuhën tënde prej së keqes, *
gojën tënde prej fjalëve gënjeshtare.
Ik prej së keqes e bëj të mirën, *
kërkoje paqen e ndiqe atë!
Sytë e Zotit këqyrin të drejtët, *
veshët e tij ua dëgjojnë ofshamat.
Fytyra e Zotit është kundër keqbërësve *
për ta zhdukur prej dheut kujtimin e tyre.
Klithin të drejtët, Zoti i dëgjon, *
i liron prej të gjitha vështirësive të tyre.
Zoti është ngjat atyre që pendohen me zemër, *
i shpëton shpirtpërgrirët.
Sado të vështira të ketë i drejti, *
prej të gjithave do ta shpëtojë Zoti.
Zoti i ruan eshtrat e tyre: *
asnjë prej tyre nuk do t’u thyhet.
E keqja e vet do ta vrasë bakeqin, *
e do ta paguajnë ata që e urrejnë të drejtin.
Zoti e shpaguan shpirtin e shërbëtorëve të vet, *
nuk do të ndëshkohen ata që shpresojnë në të.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë: fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.
Në orët tjera përdoren psalmet tjera plotësuese (fq. 1354).
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Zb 3, 19-20
Unë i qortoj dhe i ndëshkoj ata që i dua. Ji, pra, i zellshëm dhe kthehu! Ja, para derës qëndroj dhe trokas: kush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, do të hyj tek ai dhe me të do të ha darkë dhe ai me mua.
D Krijo në mua, o Zot, një zemër të pastër,
C përtërije në mua një shpirt të qëndrueshëm.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Krh. Is 44, 21-22.
Kujtoje këtë gjë, se je shërbëtori im! Unë të kam trajtuar, je shërbëtori im, o Izrael, ti nuk do të më gënjesh! I kam tretur porsi renë fajet e tua, porsi mjegullën mëkatet e tua, kthehu tek unë, sepse të kam shpërblyer.
D Largoje shikimin prej mëkateve të mia,
C shlyej të gjitha fajet e mia.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Gal 6, 7b-8
Hyji nuk lejon të vihet në lojë! Çka kush mbjell, atë edhe do të korrë! Kush mbjell në trup të vet, nga trupi do të korrë shkatërrimin, e kush mbjell në Shpirt, nga Shpirti do të korrë jetën e pasosur.
D Shpirti i penduar të pëlqen, o Zot,
C ti nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar.
Lutja
O Atë i amshuar, silli zemrat tona kah ti, që gjithmonë të kërkojmë të mirën e domosdoshme, të ushtrojmë veprat e dashurisë dhe të jemi të gatshëm në kryerje të shërbesës sate. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.