Ora e mesme
Java e tretë e kreshmëve – e martë
Ora e mesme
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ora e tretë
Himni
Me fe të Hyjit ne jetojmë,
me atë shpresë që prore besojmë,
nëpër hir të dashurisë
Krishtit lavde t’i këndojmë.
I çuar në orën e tretë
në flijimin e mundimeve,
mbi atë kryq që mbarti u var,
tërhoqi delen e humbur.
Të nënshtruar po të lutemi,
të lirë me anë të shëlbimit,
që të shkëpusë nga shekulli
ata që iu falën mëkatet.
Krishtin dhe Atin t’i lusim,
Shpirtin e Krishtit e të Atit,
një e vetme e gjithëpushtetshme,
Trini, ndihmo ata që luten. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Kur Krishti pati etje,
në atë orë që në kryq e ngjitën,
kush psalterin di të lexojë
etjes së drejtësisë t’i këndojë.
Bashkë me etje qoftë uri,
për atë që vdiq për ne,
edhe mëkati neveri,
e virtyti qoftë dëshirë.
Bagmi i Shpirtit Shenjt
sot mbi këngë e qeste ndikoftë,
që zjarrin e trupit ta ngrijë,
acarin e shpirtit ngrohtë.
Krishtin dhe Atin t’i lusim,
Shpirtin e Krishtit e të Atit;
një e vetme e gjithëpushtetshme
Trini, përkrah ata që luten. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Tri herë çdo tri orë për ne
numri i shenjtë përhapet,
në emrin e shenjtë të Jezusit
t’i lypim dhuntitë e faljes.
Ja rrëfimi i hajdutit
hirin e Krishtit fiton,
lavdi ynë dhe përkushtimi,
mëshirën meriton.
Me anë të kryqit humbet vdekja,
e pas territ kthehet drita:
si çahet terri i kobëve,
lulëzoftë mendja e ndritur.
Krishtin dhe Atin lusim,
të Krishtit e të Atit Shpirtin:
një e vetme e gjithëpushtetshme
Trini, përkrahi ata që luten. Amen.
Ant. Ja ditët e pendesës, koha e faljes dhe e shpëtimit.
Psalmi 119 /118/ XIII (97-104)
Sa shumë e dua, o Zot, Ligjin tënd: *
gjithë ditën e bluaj me mend!
Urdhri yt më bëri më të dijshëm se armiqtë e mi, *
sepse gjithmonë është me mua.
Jam më i dijshëm se të gjithë mësuesit e mi, *
sepse i kujtoj urdhërimet e tua.
Më i dijshëm jam edhe se pleqtë, *
sepse i mbaj urdhërimet e tua.
Larg i mbaj këmbët e mia nga çdo udhë e së keqes *
për t’i ruajtur urdhërimet e tua.
Nuk u shmangem gjyqeve të tua, *
sepse ti ma dhe Ligjin.
Sa të ëmbla janë për qiellzën time fjalët e tua, *
më të ëmbla se mjalti për gojën time.
Me anë të urdhërimeve të tua fitoj urtinë, *
prandaj urrej çdo udhë gënjeshtre.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ja ditët e pendesës, koha e faljes dhe e shpëtimit.
Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti, nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit por që ai të kthehet dhe të jetojë.
Psalmi 74 /73/ Vajtim për shkatërrimin e Tempullit
I (1-12)
Mos i druani ata që vrasin trupin (Mt 10, 28).
Përse, o Hyj, të na përbuzësh deri në mbarim, *
të ndizet flakë felgrimi yt kundër deleve të kullotës sate?
Të të bjerë në mend bashkësia jote *
që e fitove qysh në fillim,
fisi që e bëre pronë për vete *
dhe mali Sion ku e vendose banesën tënde.
Drejtoji hapat e tu nga rrënoja e përhershme, *
- gjë s’la pa shkretuar armiku në Shenjtërore!
Armiqtë e tu ulërijnë midis kuvendit tënd, *
i vunë shenjat e veta për shenja!
Na u dukën si ata që në pyll të dendur sjellin sakicë, *
me sakica e sëpata i dërmuan dyert e tija.
Me zjarr e dogjën Shenjtëroren tënde, *
të rrafshuar përdhe e dhunuan banesën e Emrit tënd.
Thanë në zemrën e vet: »T’i shfarosim të gjithë së bashku!« *
I dogjën të gjitha vendet e shenjta në vend!
Nuk i shohim me shenjat tona, profet më nuk ka, *
dhe askush ndër ne s’di se deri kur kështu...
Deri kur, o Hyj, do të të poshtërojë armiku, *
përgjithmonë do ta përbuzë armiku Emrin tënd?
Përse e rrudh ti dorën tënde, *
të djathtën tënde pse po e mban në ijë?
E pra Hyji është mbreti ynë që nga fillimi, *
ai që çliron mbi tokë:
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti, nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit por që ai të kthehet dhe të jetojë.
Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë: fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.
II (13-23)
Ti me fuqinë tënde detin e ndave, *
u copëtove kokën përbindëshave të ujit.
Ia shtype kryet Leviatanit, *
ua dhe për ushqim përbindëshave të detit!
Ti bëre të rrjedhë burim e përrua, *
ti thave lumenjtë e pashtershëm.
Jotja është dita, jotja është nata, *
ti i krijove yjet edhe Diellin.
Ti i caktove kufijtë e Tokës, *
ti i përftove verën edhe dimrin.
Mos e harro këtë: armiku e vuri në lojë Zotin, *
një popull i marrë përbuzi Emrin tënd.
Mos ua jep bishave jetën e atyre që të lavdërojnë, *
mos e harro kurrë jetën e skamnorëve të tu!
Shiko me mirësi mbi Besëlidhjen tënde, *
sepse shpellat e vendit u bënë banesa dhune.
Mos lejo që i mjeri të kthehet i turpëruar: *
i vobekti dhe skamnori le ta lëvdojë Emrin tënd!
Çohu, o Hyj, mbroje çështjen tënde, *
mos i harro poshtërimet që i marri t’i bën gjithë ditën.
Mos e harro britmën e armiqve të tu: *
rropama e kundërshtarëve gjithnjë ngrihet tek ti.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë: fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.
Në orët tjera përdoren psalmet tjera plotësuese (fq. 1354).
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Jl 2, 17
Ndërmjet tremes e të lterit le të qajnë priftërinjtë shërbëtorët e Zotit e le të thonë: Fale, o Zot, popullin tënd, mos lejo të turpërohet prona jote e të sundojnë mbi të paganët!
D Krijo në mua, o Zot, një zemër të pastër,
C përtërije në mua një shpirt të qëndrueshëm.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Jer 3, 25b
Mëkatuam kundër Zotit, Hyjit tonë, ne edhe etërit tanë prej rinisë e deri më sot e s'e dëgjuam zërin e Zotit, Hyjit tonë!
D Largoje shikimin prej mëkateve të mia,
C shlyej të gjitha fajet e mia.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Is 58, 1-2
Bërtit me zë të lartë e mos pusho, porsi bori lartësoje zërin tënd! Shpallja popullit tim fajet e tija, shtëpisë së Jakobit mëkatet e tija. Sepse ata më kërkojnë ditë për ditë dhe dëshirojnë t'i njohin udhët e mia, porsi populli që vepron drejtësinë që nuk e harron të drejtën e Hyjit të vet. Kërkojnë prej meje gjyq të drejtë, dëshirojnë të jenë afër Hyjit
D Shpirti i penduar të pëlqen, o Zot,
C ti nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar.
Lutja
Mos na mungoftë kurrë, o Zot, hiri yt, por gjithmonë na e sjelltë ndihmën tënde për t’u kushtuar plotësisht shërbesës sate. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.