Ora e mesme

Java e Katërt e kreshmëve – e hënë

 

Ora e mesme

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ora e tretë

 

   Himni

 

   Me fe të Hyjit ne jetojmë,

   me atë shpresë që prore besojmë,

   nëpër hir të dashurisë

   Krishtit lavde t’i këndojmë.

 

   I çuar në orën e tretë

   në flijimin e mundimeve,

   mbi atë kryq që mbarti u var,

   tërhoqi delen e humbur.

 

   Të nënshtruar po të lutemi,

   të lirë me anë të shëlbimit,

   që të shkëpusë nga shekulli

   ata që iu falën mëkatet.

 

   Krishtin dhe Atin t’i lusim,

   Shpirtin e Krishtit e të Atit,

   një e vetme e gjithëpushtetshme,

   Trini, ndihmo ata që luten. Amen.

 

Ora e gjashtë

 

   Himni

 

   Kur Krishti pati etje,

   në atë orë që në kryq e ngjitën,

   kush psalterin di të lexojë

   etjes së drejtësisë t’i këndojë.

 

   Bashkë me etje qoftë uri,

   për atë që vdiq për ne,

   edhe mëkati neveri,

   e virtyti qoftë dëshirë.

 

   Bagmi i Shpirtit Shenjt

   sot mbi këngë e qeste ndikoftë,

   që zjarrin e trupit ta ngrijë,

   acarin e shpirtit ngrohtë.

 

   Krishtin dhe Atin t’i lusim,

   Shpirtin e Krishtit e të Atit;

   një e vetme e gjithëpushtetshme

   Trini, përkrah ata që luten. Amen.

 

Ora e nëntë

 

   Himni

 

   Tri herë çdo tri orë për ne

   numri i shenjtë përhapet,

   në emrin e shenjtë të Jezusit

   t’i lypim dhuntitë e faljes.

 

   Ja rrëfimi i hajdutit

   hirin e Krishtit fiton,

   lavdi ynë dhe përkushtimi,

   mëshirën meriton.

 

   Me anë të kryqit humbet vdekja,

   e pas territ kthehet drita:

   si çahet terri i kobëve,

   lulëzoftë mendja e ndritur.

 

   Krishtin dhe Atin lusim,

   të Krishtit e të Atit Shpirtin:

   një e vetme e gjithëpushtetshme

   Trini, përkrahi ata që luten. Amen.

 

Ant. Ja ditët e pendesës, koha e faljes dhe e shpëtimit.

 

   Psalmi 119 /118/ XVII (129-136) Meditim i fjalës së Zotit në ligj

 

   Dashuria është zbatimi i përsosur i Ligjit (Rom 13, 10).

 

Të mrekullueshme janë dëshmitë e tua, *

   prandaj i mban shpirti im.

Zbulesa e fjalëve të tua ndriçon: *

   të miturit i bën të urtë.

 

Hap gojën e marr frymë *

   i mallëngjyer për porositë e tua.

Kthehu prej meje e ki mëshirë për mua *

   ti që je i drejtë për ata që e duan Emrin tënd.

 

Drejtoji hapat e mi sipas fjalës sate, *

   të mos më sundojë asnjë e keqe.

Më shpëto prej shpifjeve të njerëzve, *

   që t’i ruaj urdhërimet e tua.

 

Ndrite fytyrën tënde mbi shërbëtorin tënd *

   dhe m’i mëso urdhërimet e tua.

Sytë e mi derdhën rrëke lotësh, *

   sepse nuk mbahet Ligji yt.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ja ditët e pendesës, koha e faljes dhe e shpëtimit.

 

Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti, nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit por që ai të kthehet dhe të jetojë.

 

   Psalmi 82 /81/ (1-8) Kundër gjyqtarëve të padrejtë

 

   Gjykatësi im është Zoti: prandaj, mos gjykoni para kohe, para se të vijë Zoti (1 Kor 4, 5).

 

Hyji u ngrit në kuvendin hyjnor, *

   po gjykon midis hyjnorëve.

»Deri kur do të gjykoni padrejtësisht *

   e krah do t’u mbani të paudhëve?

 

Dilni zot të ligshtit e të mjerit, *

   jepjani të drejtën të përvujtit e skamnorit!

Lironi të ndrydhurin e të vobektin, *

   shpëtojeni prej thonjve të të paudhit!«

 

Por ata s’kuptojnë, vesh nuk marrin, †

   ecin nëpër errësirë; *

   po lëkunden të gjitha themelet e tokës!

 

E pra, unë thashë: »Ju jeni zota, *

   bij të Tejetlartit të gjithë!«

Por të gjithë do të vdisni si njerëzit, *

   poshtë do të bini si një, ju, o princa!

Ngrihu, o Hyj, gjykoje tokën, *

   sepse me të drejtë je Pronari i të gjitha kombeve!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti, nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit por që ai të kthehet dhe të jetojë.

 

Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë: fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.

 

   Psalmi 120 /119/ (1-7) Dëshira për paqen e rrezikuar prej të paudhëve

 

   Ai është Paqja jonë, erdhi t'ju kumtojë paqen juve që ishit larg edhe atyre që ishin ngjat (Krh. Ef 2, 14. 17. 16).

 

Në ngushticë e thirra në ndihmë Zotin *

   dhe ai më dëgjoi.

 

Më shpëto, o Zot, prej buzëve gënjeshtare, *

   prej gjuhës qëllimisht gënjyese.

 

Vallë, ç’duhet të të jepet *

   ose si të shpaguhesh, o gjuhë qëllimisht gënjyese?

Shigjeta luftëtari të mprehta, *

   të skuqura me gaca pishash!

 

I mjeri unë që rri në Mosok *

   dhe banoj në tendat e Cedarit!

Tepër gjatë jetoi shpirti im me këta *

   që e urrejnë paqen!

 

Unë jam për paqe, por kur flas, *

   ata kërkojnë luftë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë: fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër Urt 11, 23-24

 

   Ti, o Zot, ke dhimbje për gjithçka pse gjithçka mundesh, ti bën kinse s'i sheh mëkatet e njerëzve që ata të pendohen. Vërtet, ti do gjithçka është dhe s'urren asgjë që ke krijuar: sepse, po ta kishe urryer ndonjë send, nuk e kishe krijuar.

 

   D Krijo në mua, o Zot, një zemër të pastër,

   C përtërije në mua një shpirt të qëndrueshëm.

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër Ez 18, 23

 

   Vallë, a thua i kënaqem vdekjes së mëkatarit ‑ është fjala e Zotit Hyj ‑ e jo që të kthehet nga sjellja e vet e të jetojë?

 

   D Largoje shikimin prej mëkateve të mia,

   C shlyej të gjitha fajet e mia.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër Krh. Is 58, 7

 

   Ndaje bukën tënde me të uriturin, merri në shtëpinë tënde skamnorët e të pashtëpitë? Kur ta shohësh të zhveshurin, vishe dhe mos e përbuz farefisin tënd.

 

   D Shpirti i penduar të pëlqen, o Zot,

   C ti nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar.

 

   Lutja

 

   O Zot, ti që e përtërin botën me sakramente të madhërueshme, po të lutemi, drejtoje Kishën tënde me dije të amshuar dhe mos ia mungo ndihmën tënde të përkohshme. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.