Ora e mesme
Java e Katërt e kreshmëve – e martë
Ora e mesme
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ora e tretë
Himni
Me fe të Hyjit ne jetojmë,
me atë shpresë që prore besojmë,
nëpër hir të dashurisë
Krishtit lavde t’i këndojmë.
I çuar në orën e tretë
në flijimin e mundimeve,
mbi atë kryq që mbarti u var,
tërhoqi delen e humbur.
Të nënshtruar po të lutemi,
të lirë me anë të shëlbimit,
që të shkëpusë nga shekulli
ata që iu falën mëkatet.
Krishtin dhe Atin t’i lusim,
Shpirtin e Krishtit e të Atit,
një e vetme e gjithëpushtetshme,
Trini, ndihmo ata që luten. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
Kur Krishti pati etje,
në atë orë që në kryq e ngjitën,
kush psalterin di të lexojë
etjes së drejtësisë t’i këndojë.
Bashkë me etje qoftë uri,
për atë që vdiq për ne,
edhe mëkati neveri,
e virtyti qoftë dëshirë.
Bagmi i Shpirtit Shenjt
sot mbi këngë e qeste ndikoftë,
që zjarrin e trupit ta ngrijë,
acarin e shpirtit ngrohtë.
Krishtin dhe Atin t’i lusim,
Shpirtin e Krishtit e të Atit;
një e vetme e gjithëpushtetshme
Trini, përkrah ata që luten. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Tri herë çdo tri orë për ne
numri i shenjtë përhapet,
në emrin e shenjtë të Jezusit
t’i lypim dhuntitë e faljes.
Ja rrëfimi i hajdutit
hirin e Krishtit fiton,
lavdi ynë dhe përkushtimi,
mëshirën meriton.
Me anë të kryqit humbet vdekja,
e pas territ kthehet drita:
si çahet terri i kobëve,
lulëzoftë mendja e ndritur.
Krishtin dhe Atin lusim,
të Krishtit e të Atit Shpirtin:
një e vetme e gjithëpushtetshme
Trini, përkrahi ata që luten. Amen.
Ant. Ja ditët e pendesës, koha e faljes dhe e shpëtimit.
Psalmi 119 /118/ XVIII (137-144)
I drejtë je, o Zot, *
edhe gjyqet e tua janë të drejta.
Ti e ke dhënë Ligjin tënd të drejtë *
dhe shumë besnik.
Zelli im po më shkrin *
kur shoh se armiqtë e mi i kanë harruar fjalët e tua.
Fjalët e tua janë me zjarr të sprovuara, *
prandaj shërbëtori yt i do ato.
Jam i ri edhe i përbuzur, *
por nuk i kam harruar urdhërimet e tua.
Drejtësia jote, drejtësi e përhershme, *
Ligji yt është i vërtetë.
Vuajta shumë dhe pata vështirësi, *
urdhërimet e tua janë kënaqja ime.
Dëshmitë e tua janë drejtësi e amshueshme, *
më bëj të kuptoj e do të kem jetë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ja ditët e pendesës, koha e faljes dhe e shpëtimit.
Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti, nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit por që ai të kthehet dhe të jetojë.
Psalmi 88 /87/ Urata e një njeriu të sëmurë rëndë
Porse kjo është ora juaj dhe pushteti i territ (Lk 22, 53).
I (2-8)
O Zot, Hyji i shpëtimit tim, *
ditë e natë hedh kushtrim para teje.
Le të mbërrijë tek ti urata ime, *
vëru vesh dënesave të mia.
Sepse shpirti im është plot me vuajtje, *
jeta ime është në grykën e varrit;
po më mbajnë me ata që zbresin në gropë, *
jam porsi ai për të cilin s’ka më ndihmë:
i lirë si ata që vdiqën, *
porsi të vrarët që pushojnë në varre,
të cilët ti më nuk i kujton, *
që janë shkëputur nga dora jote.
Më plandose në shpellë pa fund, *
në errësirë e në hijen e vdekjes.
Felgrimi yt rëndon mbi mua, *
valët e tua i hodhe mbi mua.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti, nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit por që ai të kthehet dhe të jetojë.
Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë: fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.
II (9-19)
Prej meje i largove të njohurit e mi, *
për ta më bëre të jem i neveritshëm,
jam i mbyllur, jashtë s’mund të dal, *
prej mjerimit sytë e mi po shteren.
Gjithë ditën në ndihmë të thërras, o Zot, *
duart e mia drejt teje i shtrij.
Vallë për të vdekur bën ti mrekulli? *
A thua hijet ngrihen për të lëvduar?
Flet ndokush për mirësinë tënde në varr, *
për besën tënde në vendin e shkatërrimit?
Në errësirë njihen mrekullitë e tua, *
në vend të harresës drejtësia jote?
E unë, o Zot, prej teje kërkoj ndihmë, *
urata ime në mëngjes mbërrin para teje.
Pse, o Zot, e përbuz shpirtin tim? *
Përse fytyrën tënde e fsheh para meje?
I mjerë jam dhe vdes që prej fëmijërisë sime, *
më këputi barra e tmerrimeve të tua.
Përmbi mua kaluan hidhërimet e tua, *
përdhe më shtruan provat e tua!
Më kanë rrethuar pa pushim si uji, *
grumbullohen mbi mua njëherësh.
M’i largove mik e të afërm, *
bëj shoqëri veç me errësirën.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë: fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Jl 2, 17
Ndërmjet tremes e të lterit le të qajnë priftërinjtë shërbëtorët e Zotit e le të thonë: Fale, o Zot, popullin tënd, mos lejo të turpërohet prona jote e të sundojnë mbi të paganët!
D Krijo në mua, o Zot, një zemër të pastër,
C përtërije në mua një shpirt të qëndrueshëm.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Jer 3, 25b
Mëkatuam kundër Zotit, Hyjit tonë, ne edhe etërit tanë prej rinisë e deri më sot e s'e dëgjuam zërin e Zotit, Hyjit tonë!
D Largoje shikimin prej mëkateve të mia,
C shlyej të gjitha fajet e mia.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Is 58, 1-2
Bërtit me zë të lartë e mos pusho, porsi bori lartësoje zërin tënd! Shpallja popullit tim fajet e tija, shtëpisë së Jakobit mëkatet e tija. Sepse ata më kërkojnë ditë për ditë dhe dëshirojnë t'i njohin udhët e mia, porsi populli që vepron drejtësinë që nuk e harron të drejtën e Hyjit të vet. Kërkojnë prej meje gjyq të drejtë, dëshirojnë të jenë afër Hyjit.
D Shpirti i penduar të pëlqen, o Zot,
C ti nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar.
Lutja
Ky ushtrim kreshmor në jetën e krishterë, i përgatittë, o Zot, zemrat e besimtarëve të tu, që t’i përjetojnë si duhet misteret e Pashkëve dhe t’ua kumtojnë vëllezërve shëlbimin tënd. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.