Ora e mesme

Java e pestë e kreshmëve – enjte

 

Ora e mesme

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ora e tretë

 

   Himni

 

   Me fe të Hyjit ne jetojmë,

   me atë shpresë që prore besojmë,

   nëpër hir të dashurisë

   Krishtit lavde t’i këndojmë.

 

   I çuar në orën e tretë

   në flijimin e mundimeve,

   mbi atë kryq që mbarti u var,

   tërhoqi delen e humbur.

 

   Të nënshtruar po të lutemi,

   të lirë me anë të shëlbimit,

   që të shkëpusë nga shekulli

   ata që iu falën mëkatet.

 

   Krishtin dhe Atin t’i lusim,

   Shpirtin e Krishtit e të Atit,

   një e vetme e gjithëpushtetshme,

   Trini, ndihmo ata që luten. Amen.

 

Ora e gjashtë

 

   Himni

 

   Kur Krishti pati etje,

   në atë orë që në kryq e ngjitën,

   kush psalterin di të lexojë

   etjes së drejtësisë t’i këndojë.

 

   Bashkë me etje qoftë uri,

   për atë që vdiq për ne,

   edhe mëkati neveri,

   e virtyti qoftë dëshirë.

 

   Bagmi i Shpirtit Shenjt

   sot mbi këngë e qeste ndikoftë,

   që zjarrin e trupit ta ngrijë,

   acarin e shpirtit ngrohtë.

 

   Krishtin dhe Atin t’i lusim,

   Shpirtin e Krishtit e të Atit;

   një e vetme e gjithëpushtetshme

   Trini, përkrah ata që luten. Amen.

 

Ora e nëntë

 

   Himni

 

   Tri herë çdo tri orë për ne

   numri i shenjtë përhapet,

   në emrin e shenjtë të Jezusit

   t’i lypim dhuntitë e faljes.

 

   Ja rrëfimi i hajdutit

   hirin e Krishtit fiton,

   lavdi ynë dhe përkushtimi,

   mëshirën meriton.

 

   Me anë të kryqit humbet vdekja,

   e pas territ kthehet drita:

   si çahet terri i kobëve,

   lulëzoftë mendja e ndritur.

 

   Krishtin dhe Atin lusim,

   të Krishtit e të Atit Shpirtin:

   një e vetme e gjithëpushtetshme

   Trini, përkrahi ata që luten. Amen.

 

Ant. Ja ditët e pendesës, koha e faljes dhe e shpëtimit.

 

   Psalmi 119 /118/ III (17-24)

 

Bëja këtë të mirë shërbëtorit tënd: *

   që të jetoj e ta mbaj fjalën tënde.

M’i hap sytë të shikoj *

   mrekullitë e ligjit tënd.

 

Ravgues jam unë përmbi dhe, *

   mos i fsheh para meje urdhërimet e tua.

Shpirti im meket gjithherë *

   prej dëshirës së gjyqeve të tua.

 

Ti u kërcënohesh krenarëve: *

   të mallkuar janë ata që u shmangen urdhërimeve të tua.

Më liro nga poshtërimi e turpi, *

   sepse i ruaj dëshmitë e tua.

 

Nëse edhe princat bëjnë mbledhje e flasin kundër meje, *

   shërbëtori yt ushtrohet në rregulloret e tua.

Sepse dëshmitë e tua janë kënaqja ime, *

   rregulloret e tua këshilltarët e mi.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ja ditët e pendesës, koha e faljes dhe e shpëtimit.

 

Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti, nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit por që ai të kthehet dhe të jetojë.

 

   Psalmi 25 /24/ Urata për falje dhe për shpëtim

 

   Shpresa nuk turpëron (Rom 5, 5).

 

   I (1-11)

 

Te ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim! †

   Hyji im, në ty shpresoj: mos lejo të turpërohem! *

   të mos ngihen në mua armiqtë e mi,

 

dhe askush që shpreson në ty mos u turpëroftë! *

   Turpi i mbuloftë ata që për asgjë tradhtojnë.

 

Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua *

   e m’i mëso shtigjet e tua.

 

Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso, †

   sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im, *

   në ty shpresoj gjithmonë.

 

Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot, *

   dhe dashuria jote që është e amshueshme.

 

Mos i kujto fajet e rinisë sime e paudhësitë: †

   të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate *

   - për hir të mirësisë sate, o Zot.

 

I ëmbël e i drejtë është Zoti, *

   mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,

të përvujtëve u prin në drejtësi, *

   të butëve ua mëson udhën e vet.

 

Të gjitha udhët e Zotit janë mëshirë dhe e vërtetë *

   për ata që mbajnë Besëlidhjen e tij e urdhërimet.

Pashë Emrin tënd, o Zot, *

   ma fal mëkatin: njëmend është i madh.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Unë jam i Gjalli, thotë Zoti, nuk e dëshiroj vdekjen e mëkatarit por që ai të kthehet dhe të jetojë.

 

Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë: fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.

 

   II (12-22)

 

A ka njeri që e druan Zotin? *

   Vetë Zoti ia mëson udhën që duhet të marrë.

Ai do ta kalojë jetën në mirëqenie, *

   pasardhësit e tij do ta trashëgojnë dheun.

 

Miqësisht sillet Zoti me ata që e druajnë, *

   për t’ua njoftuar Besëlidhjen e vet.

Sytë e mi përherë i drejtoj te Hyji, *

   sepse ai i nxjerr këmbët e mia prej lakut.

 

Më shiko, o Zot, e ki dhembje për mua, *

   sepse jam i vetmuar e i mjerë.

Lehtësoji dhembjet e zemrës sime *

   e më nxirr nga vështirësitë e mia.

 

Shihe përvujtërimin tim dhe mundimin *

   dhe m’i fal të gjitha fajet e mia.

Shikoji armiqtë e mi: seç u shumuan *

   dhe më urrejnë me urrejtje të tërbuar!

 

Ruaje shpirtin tim dhe më shpëto; *

   mos lejo të turpërohem pasi jam në ndoren tënde.

Le të më mbrojë pafajësia dhe drejtësia, *

   sepse në ty e kam vënë shpresën.

 

Shpëtoje, o Hyj, Izraelin *

   prej të gjitha vështirësive të tija.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ne jemi të qëndrueshëm në provë: fuqia jonë është drejtësia e Hyjit.

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër Heb 4, 14-15

 

   Mbasi e kemi Kryepriftin e Madh, Jezusin, Birin e Hyjit i cili i ka përshkuar qiejt - të jemi të palëkundshëm në dëshmimin e fesë! Sepse, nuk kemi Kryeprift që nuk mund të ketë dhimbje për dobësitë tona, mbasi ai vetë i ka sprovuar të gjitha sikurse ne, me përjashtim vetëm të mëkatit.

 

   D Krijo në mua, o Zot, një zemër të pastër,

   C përtërije në mua një shpirt të qëndrueshëm.

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër Heb 7, 26-27

 

   Vërtet, një Kryeprift i tillë edhe na lypej ta kishim: i shenjtë, i pafajshëm, i panjollë, i ndarë nga mëkatarët dhe më i madhërueshëm se qiejt - i cili s’ka nevojë, sikurse ata kryepriftërinjtë tjerë, të kushtojë si një ditë për ditë fli më parë për faje të veta dhe pastaj për faje të popullit. Këtë Ai e bëri njëherë e përgjithmonë kur e flijoi vetveten, Jezu Krishti Zoti ynë.

 

   D Largoje shikimin prej mëkateve të mia,

   C shlyej të gjitha fajet e mia.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër Heb 9, 11-12

 

   Erdhi Krishti, Kryeprifti i të mirave që do të vijnë. Dhe, nëpër një tendë më të madhe dhe më të përsosur, të punuar jo me dorë - d.m.th. jo të kësaj krijese dhe nëpër gjak jo të cjepve dhe të mëzetërve, por nëpër gjak të vet, hyri njëherë e përgjithmonë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve dhe fitoi shpërblimin përfundimtar.

 

   D Shpirti i penduar të pëlqen, o Zot,

   C ti nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërrmuar.

 

   Lutja

 

   Ndihmoj, o Zot, dhe mbroj vazhdimisht besimtarët e tu që shpresojnë në mëshirën tënde, kështu që të pastruar prej njollës së mëkatit, të qëndrojnë në jetë shenjtërie dhe ta fitojnë trashëgimin e premtimit tënd. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.