Ora e mesme
Java e Madhe - E DielA E LARIT
Ora e mesme
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Himni
Gëzimet e lumnisë së epër
galdoftë bota e besnikëve,
Jezus, Shëlbuesi i të gjithëve,
shuan princin e vdekjes.
Rremba palmash e ullinjsh
duke mbajtur udhës turma,
"Lavdi birit të Davidit"
kumbojnë zëra të qartë.
Prandaj princit të epër
t’i dalim të gjithë përpara;
e me valle lavdie,
të mbajmë palma stolie.
E garat tona të shpejta,
t’lartësojnë me dhunti të lume,
që në çdo kohë falënderje
ne duhet t’i kushtojmë.
Hyjit Atë i qoftë lavdia
edhe Birit të tij të vetëm
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
në gjithë shekujt e përjetshëm. Amen.
Ant. Para festës së Pashkëve, Jezusi, pasi që e njihte orën e vet, i deshi të vetët deri në fund.
Psalmi 23 /22/ (1-6) Bariu i mirë
Qengji do t'i kullosë dhe do t'i çojë në burimet e ujërave të jetës (Zb 7, 17).
Zoti është bariu im, *
asgjë nuk më mungon.
Më mballon kullotave të gjelbra,
më prin në ujëra të qeta, *
shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta *
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, †
s’trembem nga e keqja *
sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba *
për mua janë ngushëllim.
Ti ma shtron tryezën përpara *
ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen, *
gotën ma mbush plot e përplot.
Hiri dhe mirësia do të më përcjellin *
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit *
derisa të jem gjallë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Para festës së Pashkëve, Jezusi, pasi që e njihte orën e vet, i deshi të vetët deri në fund.
Ant. Sikurse Ati më njeh mua, ashtu edhe unë e njoh Atin; dhe jap jetën për grigjën time.
Psalmi 76 /75/ Këngë ngadhënjimi pas fitores
Do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe me madhëri të madhe (Mt 24, 30).
I (2-7)
I njohur është Hyji në Jude, *
i madh është Emri i tij në Izrael.
Në Salem është tenda e tij, *
vendbanimi i tij në Sion.
Atje ai i theu shigjetat e harkut, *
shqytin, shpatën e luftën.
Shkëlqen, o i Madhërishëm, *
mbi malet e presë!
Qenë rrëmbyer të fortët, gjumi i kapi, *
asnjë trim s’diti t’i përdorë duart e veta
nga kërcënimi yt, Hyji i Jakobit, *
shtang mbetën qerre e kalë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Sikurse Ati më njeh mua, ashtu edhe unë e njoh Atin; dhe jap jetën për grigjën time.
Ant. Për mua të jetoj është Krishti, e të vdes fitim; lavdia ime është kryqi i Zotit tim Jezu Krishtit.
II (8-13)
Ti je i tmerrshëm e kush mund të të bëjë ballë? *
Atëherë kur shfrenohet felgrimi yt!
Nga qielli e jep vendimin gjykatës; *
Toka u trand dhe heshti,
kur të ngrihet Hyji në gjyq *
për t’i shpëtuar të përvujtët e dheut.
Të goditurit nga felgrimi yt të lavdërojnë, *
të shpëtuarit nga felgrimi do të të bëjnë festë.
Bëni kushte dhe plotësojani Zotit, Hyjit tuaj, *
të gjithë ju përreth tij jepni dhurata të Tmerrshmit,
Atij që ua merr frymën princave, *
që është tmerr për mbretërit e tokës.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Për mua të jetoj është Krishti, e të vdes fitim; lavdia ime është kryqi i Zotit tim Jezu Krishtit.
Në orët tjera përdoren psalmet tjera plotësuese (fq. 1354).
Ora e tretë
Leximi i shkurtër 2 Kor 4, 10-11
Gjithmonë i mbartim në trupin tonë grahmat e vdekjes së Jezusit, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë. Sepse, gjithmonë të gjallë, jemi gati të vdesim për dashurinë e Jezusit, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë të vdekshëm.
D U dhurua në flijim, sepse vetë dëshiroi:
C dhe nuk e hapi gojën.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër 1 Pjt 4, 13-14
Gëzohuni si pjesëtarë të mundimeve të Krishtit që edhe në Ditën e Zbulesës së lavdisë së tij të mund të galdoni me hare. Të lumët ju në qoftë se ju fyejnë për shkak të Emrit të Krishtit, sepse Shpirti i Lavdisë, i Hyjit, pushon në ju.
D Ai e mori mbi vete dobësinë tonë,
C u vesh me padrejtësinë tonë.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër 1 Pjt 5, 10-11
Hyji, burimi i çdo hiri, i cili ju grishi në lumturinë e vet të amshuar në Jezu Krishtin, Ai, mbasi të vuani për pak kohë, do t’ju përsosë, do t’ju përforcojë, do t’ju japë fuqi dhe do t’ju bëjë të patrandshëm. Ai sundoftë në shekuj të shekujve. Amen!
D E nderojmë kryqin që u ngrit për ne:
C e adhurojmë shenjën e shëlbimit tonë.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti që, për t’i dhënë njerëzimit shembullin e përvujtërisë, deshe që Shëlbuesi ynë të mishërohej dhe të vdiste në kryq, bëj me mirësi, që, t’i përngjajmë atij në duresë e të marrim pjesë në të ngjallurit e tij. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.