Ora e mesme

Java e madhe – E martë

 

Ora e mesme

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Himni

 

   Gëzimet e lumnisë së epër

   galdoftë bota e besnikëve,

   Jezus, Shëlbuesi i të gjithëve,

   shuan princin e vdekjes.

 

   Rremba palmash e ullinjsh

   duke mbajtur udhës turma,

   "Lavdi birit të Davidit"

   kumbojnë zëra të qartë.

 

   Prandaj princit të epër

   t’i dalim të gjithë përpara;

   e me valle lavdie,

   të mbajmë palma stolie.

 

   E garat tona të shpejta,

   t’lartësojnë me dhunti të lume,

   që në çdo kohë falënderje

   ne duhet t’i kushtojmë.

 

   Hyjit Atë i qoftë lavdia

   edhe Birit të tij të vetëm

   bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar

   në gjithë shekujt e përjetshëm. Amen.

 

Ant. Para festës së Pashkëve, Jezusi, pasi që e njihte orën e vet, i deshi të vetët deri në fund.

 

   Psalmi 119 /118/ VII (49-56)

 

Të të bjerë ndër mend zotimi që i dhe shërbëtorit tënd, *

   me të cilin më ke dhënë shpresë.

Në vështirësinë time e kam këtë ngushëllim *

   sepse fjala jote ma përtëriti jetën.

 

Krenarët po më përqeshin së tepërmi, *

   por unë nuk i shmangem Ligjit tënd.

I kujtoj, o Zot, gjyqet e tua të lashta *

   dhe në to gjej ngushëllim.

 

Unë zemërohem tepër në mëkatarë *

   që i shmangen Ligjit tënd.

Këngë janë për mua urdhërimet e tua, *

   në dheun e shtegtimit tim.

 

Natën e kujtoj, o Zot, Emrin tënd, *

   dhe e zbatoj Ligjin tënd.

E mua më ndodh kështu, *

   sepse i mbaj urdhërimet e tua.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Para festës së Pashkëve, Jezusi, pasi që e njihte orën e vet, i deshi të vetët deri në fund.

 

Ant. Sikurse Ati më njeh mua, ashtu edhe unë e njoh Atin; dhe jap jetën për grigjën time.

 

   Psalmi 53 /52/ (1-7) Budallallëku i njeriut të patenzonë

 

   Të gjithë mëkatuan dhe u përjashtuan nga lumturia e Hyjit ‑ e me hirin e tij, të gjithë e fituan falas drejtësinë (Rom 3, 23. 24).

 

Tha i marri në zemrën e vet: »S'ka Hyj!« †

   njerëzit u prishën, bëjnë vepra të urryeshme: *

   s’ka më njeri që bën mirë!

 

Prej qiellit Hyji vështron mbi bijtë e Adamit, †

   për të parë a ka ndonjë të ndershëm, *

   ndonjë që kërkon Hyjin.

 

Të gjithë e lanë rrugën, *

   të gjithë së bashku u prishën,

s'është asnjë që të bëjë mirë, *

   - s'mbeti pasha një!

 

Po a s'e kuptojnë keqbërësit †

   që e gëlltisin popullin tim si kafshatë buke *

   e Hyjin nuk e thërrasin në ndihmë?

 

U drodhën nga frika ku frikë nuk kishte. †

   Hyji i shpërndau eshtrat e sulmuesve të tu, *

   të turpëruar do të mbesin, sepse Hyji i përbuzi.

 

Kush do t'ia japë prej Sionit shpëtimin Izraelit? †

   Kur Hyji ta riatdhesojë popullin e vet nga robëria, *

   do të gëzojë Jakobi, do të galdojë Izraeli.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Sikurse Ati më njeh mua, ashtu edhe unë e njoh Atin; dhe jap jetën për grigjën time.

 

Ant. Për mua të jetoj është Krishti, e të vdes fitim; lavdia ime është kryqi i Zotit tim Jezu Krishtit.

 

   Psalmi 54 /53/ (3-6. 8-9) Uratë Hyjit që jep drejtësi

 

   Tani shpirtin e kam të tronditur e ç'të them? O Atë, më shpëto nga kjo orë? Porse, fill për këtë erdha në këtë orë! O Atë, jepi lavdi Emrit tënd! (Gjn 12, 27-28).

 

Më shpëto, o Hyj, pashë Emrin tënd, *

   me fuqinë tënde mbroje të drejtën time.

O Hyj, vështroje lutjen time, *

   prire veshin nga fjalët e gojës sime!

 

Sepse krenarët u çuan kundër meje, †

   mizorët kërkojnë të ma marrin shpirtin: *

   për Hyjin ata s’kanë kujdes.

 

Por, ja, Hyji po më vjen në ndihmë, *

   shpirtin tim ai po e merr ndore.

 

E unë me ëndje do të të kushtoj fli, *

   do ta lavdëroj Emrin tënd, o Zot, sepse është i mirë,

sepse ti më shpëtove nga çdo vështirësi, *

   me përbuzje syri im i shikon armiqtë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Për mua të jetoj është Krishti, e të vdes fitim; lavdia ime është kryqi i Zotit tim Jezu Krishtit.

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër Krh. 1 Kor 1, 18-19

 

   Predikimi për kryqin, për ata që dënohen, është marri, kurse, për ne të shëlbuarit, është fuqia e Hyjit. Sepse është në Shkrimin e shenjtë: 'Do ta asgjësoj dijen e të dijshmëve, do ta bëj të kotë urtinë e të urtëve.'

 

   D U dhurua në flijim, sepse vetë dëshiroi:

   C dhe nuk e hapi gojën.

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër 1 Kor 1, 22-24

 

   E, ndërsa hebrenjtë kërkojnë mrekulli e grekët lypin urti, ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar ‑ për hebrenj shkandull e për paganë marri, kurse për të grishurit ‑ si për hebrenj si për grekë ‑ Krishtin ‑ fuqinë e Hyjit dhe dijen e Hyjit.

 

   D Ai e mori mbi vete dobësinë tonë,

   C u vesh me padrejtësinë tonë.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër 1 Kor 1, 25. 27a

 

   Çka në Hyjin duket marri, është më e dijshme se njerëzit e çka në Hyjin duket dobësi, është më e fuqishme se njerëzit.

   Por, Hyji zgjodhi të marrët në sy të botës për t'i turpëruar të mençurit, dhe të dobëtit në sy të botës i zgjodhi Hyji, për t'i turpëruar të fortit.

 

   D E nderojmë kryqin që u ngrit për ne:

   C e adhurojmë shenjën e shëlbimit tonë.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, bëj që ashtu t’i kremtojmë misteret e mundimeve të Zotit, që të mund të fitojmë faljen e mëkateve. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.