Ora e mesme
Java e madhe – E mërkurë
Ora e mesme
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Himni
Gëzimet e lumnisë së epër
galdoftë bota e besnikëve,
Jezus, Shëlbuesi i të gjithëve,
shuan princin e vdekjes.
Rremba palmash e ullinjsh
duke mbajtur udhës turma,
"Lavdi birit të Davidit"
kumbojnë zëra të qartë.
Prandaj princit të epër
t’i dalim të gjithë përpara;
e me valle lavdie,
të mbajmë palma stolie.
E garat tona të shpejta,
t’lartësojnë me dhunti të lume,
që në çdo kohë falënderje
ne duhet t’i kushtojmë.
Hyjit Atë i qoftë lavdia
edhe Birit të tij të vetëm
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
në gjithë shekujt e përjetshëm. Amen.
Ant. Para festës së Pashkëve, Jezusi, pasi që e njihte orën e vet, i deshi të vetët deri në fund.
Psalmi 119 /118/ VIII (57-64)
Zoti është pjesa e trashëgimit tim: *
e dhashë fjalën t’i mbaj urdhërimet e tua.
T’u përluta me gjithë fuqi të zemrës: *
ki dhembje për mua sipas fjalës që më dhe.
I shqyrtova hollë udhët e mia *
dhe i ktheva hapat e mi në urdhërime të tua.
Nxitova e nuk vonova *
për t’i zbatuar urdhërimet e tua.
Më rrethuan leqet e të patenzonëve, *
nuk e harrova Ligjin tënd.
Në mesnatë ngrihem për të të thur lavdí *
për shkak të vendimeve të tua të drejta.
Jam mik me të gjithë ata që të druajnë, *
me ata që i zbatojnë urdhërimet e tua.
Plot është toka, o Zot, me dashurinë tënde, *
m’i mëso rregulloret e tua.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Para festës së Pashkëve, Jezusi, pasi që e njihte orën e vet, i deshi të vetët deri në fund.
Ant. Sikurse Ati më njeh mua, ashtu edhe unë e njoh Atin; dhe jap jetën për grigjën time.
Psalmi 55 /54/ (2-15. 17-24) Miku që tradhton
O Judë, a me të puthur po e tradhton Birin e njeriut? (Lk 22, 48).
I (2-12)
Vështroje, O Hyj, lutjen time, †
mos u fsheh para uratës sime, *
më prano e më vështro,
se në mjerimin tim u shkriva në vaj, *
prej britmës së armikut, prej ndrydhjes së mizorit.
Hedhin mbi mua paudhësi, *
më sulmojnë me tërbim.
Dridhet zemra ime në mua, *
më përshkoi tmerri i vdekjes.
Frikë e tmerr erdhën mbi mua, *
më mbuloi një rrëqethje e rëndë.
Thashë: »Kush do të më japë krahë porsi pëllumbit *
për të fluturuar e për të gjetur pushim?
Larg, larg do të fluturoja, *
në shkretëtirë do të banoja.
Do ta prisja atë që më shpëton *
nga furia e erës dhe e stuhisë.«
Shpërndaji, o Zot, pështjelloju gjuhët, *
sepse shoh dhunë e grindje në qytet.
Ditën, natën qarkullojnë mbi mure, †
në qytet paudhësi, vuajtje e prita, *
nuk mungojnë në sheshe mujshi e tradhti.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Sikurse Ati më njeh mua, ashtu edhe unë e njoh Atin; dhe jap jetën për grigjën time.
Ant. Për mua të jetoj është Krishti, e të vdes fitim; lavdia ime është kryqi i Zotit tim Jezu Krishtit.
II (13-15. 17-24)
Sepse po të më shante armiku, *
disi do të duroja,
të ishte ngritur kundër meje ai që më urren, *
disi do të fshihesha para tij,
por qe ti, o njeri, shoku im, *
miku im, i njohuri im,
me të cilin bëra shoqëri të ngushtë: *
bashkë me turma shkonim në Shtëpinë e Hyjit!
Por unë do ta thërras në ndihmë Hyjin, *
Zoti do të më japë shpëtim.
Në mbrëmje, në mëngjes, në mesditë
do të dënes i trishtuar *
e ai do të ma dëgjojë zërin.
Ai do të më shpëtojë, paqe do të më japë †
prej atyre që më sulmojnë: *
sepse të panumërt janë kundërshtarët e mi.
Hyji do të dëgjojë, do t’i përvujtërojë ata *
Ai që është para të gjitha jetëve.
Për ata kthim nuk ka *
e Hyjin s’e druan!
Secili ngre dorën kundër miqve të vet, *
shkel e thyen besën e dhënë.
Më të butë se tëlyeni e kanë gojën, *
zemrën e kanë të gatshme për luftim,
fjalët i kanë më të buta se vaji, *
e ata - shpatë të nxjerra nga milli!
Lëshoja kujdesin tënd Zotit †
e Ai do të të japë fuqi: *
kurrë s’do të lejojë të bjerë poshtë i drejti.
Ata, o Hyj, që janë gjakpirës e shpirtkëqij *
plandosi në gropën e varrit
që të mos jetojnë as gjysmën e ditëve të veta! *
Por unë do të shpresoj në ty, o Zot!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Për mua të jetoj është Krishti, e të vdes fitim; lavdia ime është kryqi i Zotit tim Jezu Krishtit.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër 1 Tim 2, 4-6
Vullneti i Hyjit është që të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe t'ia arrijnë njohjes të së vërtetës. Sepse, Hyji është një i vetëm, një i vetëm është edhe Ndërmjetësi midis Hyjit e njerëzve: Njeriu ‑ Jezu Krishti, i cili e flijoi vetveten si shpërblim për të gjithë njerëzit. Këtë dëshmi Ai e dha në kohën e caktuar.
D U dhurua në flijim, sepse vetë dëshiroi:
C dhe nuk e hapi gojën.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Rom 15, 3
Krishti nuk kërkoi t'i pëlqejë vetvetes, por, sikurse është në Shkrimin e shenjtë: 'Sharjet e atyre që të shanin ty, ranë mbi mua.'
D Ai e mori mbi vete dobësinë tonë,
C u vesh me padrejtësinë tonë.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Heb 9, 28
Krishti u flijua vetëm një herë për të shlyer mëkatet e të gjithëve, kurse herën e dytë - jo më në lidhje me mëkate - do t’u duket atyre që e presin për të qenë shëlbuar.
D E nderojmë kryqin që u ngrit për ne:
C e adhurojmë shenjën e shëlbimit tonë.
Lutja
O Hyj, ti deshe që Njëlinduri Biri yt të pësojë për ne mundimet e Kryqit për të na liruar prej pushtetit të armikut, bëj që ne, shërbëtoret e tu, ta fitojmë hirin e të ngjallurit. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.