Ora e mesme
Java e madhe – E enjtë
Ora e mesme
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Himni
Gëzimet e lumnisë së epër
galdoftë bota e besnikëve,
Jezus, Shëlbuesi i të gjithëve,
shuan princin e vdekjes.
Rremba palmash e ullinjsh
duke mbajtur udhës turma,
"Lavdi birit të Davidit"
kumbojnë zëra të qartë.
Prandaj princit të epër
t’i dalim të gjithë përpara;
e me valle lavdie,
të mbajmë palma stolie.
E garat tona të shpejta,
t’lartësojnë me dhunti të lume,
që në çdo kohë falënderje
ne duhet t’i kushtojmë.
Hyjit Atë i qoftë lavdia
edhe Birit të tij të vetëm
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
në gjithë shekujt e përjetshëm. Amen.
Ant. Para festës së Pashkëve, Jezusi, pasi që e njihte orën e vet, i deshi të vetët deri në fund.
Psalmi 119 /118/ IX (65-72)
I bëre mirë, o Zot, shërbëtorit tënd *
ashtu si ia dhe fjalën.
Ma mëso mirësinë, urtinë e dijen, *
sepse u besoj urdhërimeve të tua.
Para se sprovova vuajtjen u enda larg teje, *
por tani unë e mbaj fjalën tënde.
Ti je i mirë e bën mirë, *
ma mëso vullnesën tënde.
Krenarët përbluajnë kundër meje tradhti, *
por unë me gjithë zemër do t’i mbaj urdhërimet e tua.
U trash zemra e tyre si dhjami, *
ndërsa unë kënaqem në Ligjin tënd.
Është mirë për mua që vuajta, *
kështu do ta mësoj vullnesën tënde.
Më i mirë është për mua Ligji yt *
se me mijëra ar e argjend.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Para festës së Pashkëve, Jezusi, pasi që e njihte orën e vet, i deshi të vetët deri në fund.
Ant. Sikurse Ati më njeh mua, ashtu edhe unë e njoh Atin; dhe jap jetën për grigjën time.
Psalmi 56 /55/ (2-7b. 9-14) Shpresa në fjalën e Zotit
Përshkruhet Krishti në mundim (Shën Jeronimi).
Ki mëshirë për mua, o Hyj, se po më shkel armiku, *
sulmuesi im po më ngushton gjithë ditën.
Armiqtë e mi po më shqelmojnë çdo ditë *
e sulmuesit e mi janë tepër shumë, o i Tejetlartë!
Atë ditë që do të më kapë frika, *
në Ty do ta vë shpresën!
Në Hyjin, të cilit ia lavdëroj fjalën, †
në Hyjin e kam vënë shpresën, nuk trembem: *
çka mund të më bëjë njeriu?
Çdo ditë m’i shpjegojnë mbrapsht fjalët, *
s’mendojnë tjetër pos për të ma bërë shpellën:
kallin grindje, më vënë pusi, m’i ruajnë hapat, *
mendojnë kryet të ma hanë!
Ti i ke numëruar ditët e mërgimit tim, †
lotët e mi mblidhi në rrëshiqin tënd! *
A thua s’janë të shkruar në librin tënd?
Atëherë armiqtë e mi do të zmbrapsen †
kur ta kërkoj ndihmën tënde, *
sepse e di mirë se Hyji është me mua.
I jap lavdi premtimit të Hyjit, *
e madhëroj premtimin e Zotit.
Në Hyjin kam vënë shpresën, nuk do të trembem: *
çka mund të më bëjë njeriu?
Me ty, o Hyj, më lidhin kushtet e mia, †
do të të kushtoj fli falënderjeje, *
sepse ma ke shpëtuar jetën prej vdekjes,
këmbët e mia prej rrëzimit †
që të mund të eci në praninë e Hyjit, *
në dritën e të gjallëve.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Sikurse Ati më njeh mua, ashtu edhe unë e njoh Atin; dhe jap jetën për grigjën time.
Ant. Për mua të jetoj është Krishti, e të vdes fitim; lavdia ime është kryqi i Zotit tim Jezu Krishtit.
Psalmi 57 /56/ (2-12) Lutja e mëngjesit në vuajtje
Ky psalm bën fjalë për mundimin e Zotërisë (Shën Augustini).
Ki mëshirë për mua, o Hyj, ki mëshirë për mua, *
sepse shpirti im mbështetet në Ty,
po strehohem nën hijen e krahëve të tu *
derisa të më kalojë rreziku i pritës.
Do ta thërras në ndihmë Hyjin e Tejetlartë, *
Hyjin që më bën mirë.
Do të ma dërgojë ndihmën prej qiellit e do të më shpëtojë, †
do t’i turpërojë ata që më shtypin, *
Hyji do ta dërgojë mëshirën e të vërtetën e vet.
Shpirti im banon midis luanëve *
që i përpijnë bijtë e njerëzve.
Dhëmbët e tyre heshta e shigjeta, *
gjuha e tyre shpatë e mprehtë.
Lartësohu, o Hyj, përmbi qiell, *
përmbi mbarë tokën lavdia jote!
Këmbëve të mia u vunë leqe, *
e ngushtuan shpirtin tim, –
para meje e hapën gropën: *
ata vetë ranë brenda!
Zemra ime është gati, o Hyj, *
gati është zemra ime:
do të këndoj, këngës do t’ia them! *
Zgjohu, lavdia ime,
Zgjohu, o harpë e cetër, *
dua ta zgjoj agimin!
Do të të lavdëroj ndër popuj, o Zot, *
ty do të të këndoj ndër kombe.
Sepse u madhërua deri në qiell dashuria jote, *
e deri në re e vërteta jote!
Lartësohu, o Hyj, përmbi qiell, *
përmbi mbarë tokën lavdia jote!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Për mua të jetoj është Krishti, e të vdes fitim; lavdia ime është kryqi i Zotit tim Jezu Krishtit.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër Heb 4, 14-15
Mbasi e kemi Kryepriftin e Madh, Jezusin, Birin e Hyjit i cili i ka përshkuar qiejt - të jemi të palëkundshëm në dëshmimin e fesë! Sepse, nuk kemi Kryeprift që nuk mund të ketë dhimbje për dobësitë tona, mbasi ai vetë i ka sprovuar të gjitha sikurse ne, me përjashtim vetëm të mëkatit.
D U dhurua në flijim, sepse vetë dëshiroi:
C dhe nuk e hapi gojën.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër Heb 7, 26-27
Vërtet, një Kryeprift i tillë edhe na lypej ta kishim: i shenjtë, i pafajshëm, i panjollë, i ndarë nga mëkatarët dhe më i madhërueshëm se qiejt - i cili s’ka nevojë, sikurse ata kryepriftërinjtë tjerë, të kushtojë si një ditë për ditë fli më parë për faje të veta dhe pastaj për faje të popullit. Këtë Ai e bëri njëherë e përgjithmonë kur e flijoi vetveten, Jezu Krishti Zoti ynë.
D Ai e mori mbi vete dobësinë tonë,
C u vesh me padrejtësinë tonë.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër Heb 9, 11-12
Erdhi Krishti, Kryeprifti i të mirave që do të vijnë. Dhe, nëpër një tendë më të madhe dhe më të përsosur, të punuar jo me dorë - d.m.th. jo të kësaj krijese dhe nëpër gjak jo të cjepve dhe të mëzetërve, por nëpër gjak të vet, hyri njëherë e përgjithmonë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve dhe fitoi shpërblimin përfundimtar.
D E nderojmë kryqin që u ngrit për ne:
C e adhurojmë shenjën e shëlbimit tonë.
Lutja
O Zot, jeta dhe shpëtimi i atyre që të duan, na bëj të pasur me dhuratat e tua: kryej në ne çka shpresojmë me anë të vdekjes së Birit tënd, dhe bën që të marrim pjesë në lavdinë e ringjalljes. Ai që është Zot.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.