Ora e mesme

Java e madhe – E Premtja e mundimit të Zotit

 

Ora e mesme

 

Ora e tretë

 

   Himni

 

   Shpëto, o Shëlbues, veprën tënde fisnike,

   shkruar me dritë të shenjtë t’fytyrës sate,

   mos lër të prishet nga mashtrimi i djajve,

   për të cilën çmimin e vdekjes Ti lave.

 

   Ki dhimbje, shërbëtorët e tu rob të mos bëhen,

   fali fajtorët, prangat robërve zgjidhja,

   e ata që me gjakun tënd shpërbleve,

   o mbret i mirë, me ty në amshim gëzofshin. Amen.

 

Ora e gjashtë

 

   Himni

 

   O Kryq, që i jep botës bekimin,

   ti je shpresa e shpërblimi,

   dikur ti e mbartje ferrin,

   tash je derë plot dritë e qiellit.

 

   Në ty po ngrihet flija

   që çdo gjë mbi vete mori,

   që i rëndoi princi i botës

   dhe asgjë të veten s’gjeti.

 

   Atit, Ty, e Shpirtit Shenjtë

   lavdi e njëjtë, o Jezus, qoftë

   që me fitore të kryqit

   gjithmonë na jep të gëzojmë. Amen.

 

Ora e nëntë

 

   Himni

 

   Krisht, për mes Kryqit, lutemi,

   na ço në shpërblim të jetës

   që në dru të shenjtë mbërthyer

   të na shëlbosh u denjove.

 

   Neni i ligjit tënd

   e thyen ligjin e vjetër;

   vdes skllavëria e hershme,

   liria e vërtetë kthehet.

 

   Atit, Ty e Shpirtit Shenjt

   lavdi e njëjtë, o Jezus, qoftë

   që me fitore të kryqit

   na bën gjithmonë të fitojmë. Amen.

 

   (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Në njërën prej tri orëve thuhen psalmet që vijojnë:

 

Ant. Ishte ora tre kur e kryqëzuan Jezusin.

 

   Psalmi 40 /39/ I (2-14. 17-18)

 

Me shpresë të gjallë shpresova në Zotin †

   dhe ai u prir drejt meje, *

   e vështroi britmën time.

 

Ai më nxori nga gropa e mjerimit, *

   nga gropa plot baltë,

këmbët m’i qiti mbi shkëmb *

   dhe m’i bëri të fortë hapat.

 

Në gojë më vuri një këngë të re, *

   himnin e Zotit, Hyjit tonë.

 

Shumë do të shohin e do të druajnë *

   dhe do të shpresojnë në Zotin.

 

I lumi ai që shpresën e vet e vë në Zotin *

   që nuk i nderon krenarët e ata që i mbështeten rrenës.

 

Shumë mrekulli bëre, o Zot, Hyji ynë, †

   të mrekullueshme janë qëllimet e tua me ne: *

   nuk gjendet një tjetër i ngjashëm me ty!

 

Nëse dua t’i shpall e t’i tregoj, *

   janë aq shumë, saqë s’mund t’i numëroj.

 

Fli e dhurata ti nuk do, *

   vetë ma zbulove vullnetin tënd:

fli shkrumbimi e pendestare nuk kërkon, *

   atëherë thashë: “Ja, po vij unë.

 

Në Librin e Ligjit shkruan për mua: †

   Të kryej vullnetin tënd, Hyji im, dëshiroj, *

   Ligji yt është në thellësinë e zemrës sime.”

 

Drejtësinë tënde e shpalla në kuvendin e dheut, *

   shih, nuk i mbaj të mbyllura buzët, o Zot, ti e di.

 

Nuk e fsheha drejtësinë tënde në zemrën time, *

   do ta kumtoj të vërtetën tënde dhe shpëtimin tënd,

kurrë s’e mohova mirësinë tënde *

   e të vërtetën tënde në kuvendin e dheut.

 

E ti, o Zot, mos m’i moho përdëllimet e tua, *

   dashuria jote dhe e vërteta jote më ruajtshin vazhdimisht,

 

sepse më rrethuan të këqija të panumërta, *

   më pushtuan fajet e mia e nuk më lënë të shoh:

 

më shumë janë se fijet e flokëve të kresë, *

   kështu që edhe zemra po më lëshon.

 

Denjo, o Zot, të më shpëtosh, *

   o Zot, nxito të më ndihmosh!

 

Kurse le të gëzohen e le të galdojnë me ty, *

   të gjithë ata që të kërkojnë ty

e të thonë vazhdimisht: “I madhërishëm është Zoti!”, *

   të gjithë ata që e duan shëlbimin tënd.

 

Njëmend jam skamnor e i vobektë *

   porse Zoti kujdeset për mua.

Ti je ndihma ime dhe shpëtimi im: *

   Hyji im, deh, mos vono.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ishte ora tre kur e kryqëzuan Jezusin.

 

Ant. Prej orës gjashtë e deri në orën nëntë terri e mbështolli mbarë tokën.

 

   Psalmi 54 /53/ (3-6. 8-9)

 

Më shpëto, o Hyj, pashë Emrin tënd, *

   me fuqinë tënde mbroje të drejtën time.

O Hyj, vështroje lutjen time, *

   prire veshin nga fjalët e gojës sime!

 

Sepse krenarët u çuan kundër meje, †

   mizorët kërkojnë të ma marrin shpirtin: *

   për Hyjin ata s’kanë kujdes.

 

Por, ja, Hyji po më vjen në ndihmë, *

   shpirtin tim ai po e merr ndore.

 

E unë me ëndje do të të kushtoj fli, *

   do ta lavdëroj Emrin tënd, o Zot, sepse është i mirë,

sepse ti më shpëtove nga çdo vështirësi, *

   me përbuzje syri im i shikon armiqtë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Prej orës gjashtë e deri në orën nëntë terri e mbështolli mbarë tokën.

 

Ant. Në orën nëntë Jezusi lëshoi një gjëmë të madhe: “Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje?”

 

   Psalmi 88 /87/ (2-19)

 

O Zot, Hyji i shpëtimit tim, *

   ditë e natë hedh kushtrim para teje.

Le të mbërrijë tek ti urata ime, *

   vëru vesh dënesave të mia.

 

Sepse shpirti im është plot me vuajtje, *

   jeta ime është në grykën e varrit;

po më mbajnë me ata që zbresin në gropë, *

   jam porsi ai për të cilin s’ka më ndihmë:

 

i lirë si ata që vdiqën, *

   porsi të vrarët që pushojnë në varre,

të cilët ti më nuk i kujton, *

   që janë shkëputur nga dora jote.

 

Më plandose në shpellë pa fund, *

   në errësirë e në hijen e vdekjes.

Felgrimi yt rëndon mbi mua, *

   valët e tua i hodhe mbi mua.

 

Prej meje i largove të njohurit e mi, *

   për ta më bëre të jem i neveritshëm,

jam i mbyllur, jashtë s’mund të dal, *

   prej mjerimit sytë e mi po shteren.

 

Gjithë ditën në ndihmë të thërras, o Zot, *

   duart e mia drejt teje i shtrij.

Vallë për të vdekur bën ti mrekulli? *

   A thua hijet ngrihen për të lëvduar?

 

Flet ndokush për mirësinë tënde në varr, *

   për besën tënde në vendin e shkatërrimit?

Në errësirë njihen mrekullitë e tua, *

   në vend të harresës drejtësia jote?

 

E unë, o Zot, prej teje kërkoj ndihmë, *

   urata ime në mëngjes mbërrin para teje.

Pse, o Zot, e përbuz shpirtin tim? *

   Përse fytyrën tënde e fsheh para meje?

 

I mjerë jam dhe vdes që prej fëmijërisë sime, *

   më këputi barra e tmerrimeve të tua.

Përmbi mua kaluan hidhërimet e tua, *

   përdhe më shtruan provat e tua!

 

Më kanë rrethuar pa pushim si uji, *

   grumbullohen mbi mua njëherësh.

M’i largove mik e të afërm, *

   bëj shoqëri veç me errësirën.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Në orën nëntë Jezusi lëshoi një gjëmë të madhe: “Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje?”

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër Is 53, 2-3

 

   Para Tij u rrit porsi pinjolli, porsi rrënja nga toka e thatë. S'kishte bukuri as hijeshi, që të mund të vërejmë në të, as pashi që të mund të na pëlqente. Ishte i përbuzur, më i sprasmi ndër njerëz, njeri dhimbjesh, i regjur me vuajtje, si ai, para të cilit mbulohet fytyra, i përbuzur, këndej as s'e bënim për send!

 

   D Ne të adhurojmë dhe të bekojmë, o Krisht:

   C sepse me kryqin tënd e shëlbove botën.

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër Is 53, 4-5

 

   Ai i mori mbi vete vuajtjet tona, mbi shpatulla të veta i ngarkoi dhimbjet tona! E ne ishim të bindur se ishte i ndëshkuar, i munduar prej Hyjit e i nënçmuar! Kurse Ai ishte i plagosur për shkak të paudhësive tona, i ndrydhur për shkak të fajeve tona; ndëshkimi, peng paqeje për ne, peshoi mbi Të: me vërragën e tij ne u shëruam.

 

   D Le të bie ndër mend për mua, o Zot,

   C kur të jesh në mbretërinë tënde.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër Is 53, 6-7

 

   Të gjithë ne endeshim si berret e humbura, secili udhën e vet ndiqte e Zoti e ngarkoi mbi Të paudhësinë e të gjithë neve. I marrë me të keq, lejoi të përulet, nuk e çeli gojën e vet; porsi qengji që e çojnë për ta therur, porsi delja e pazë para qethtarëve, nuk e çeli gojën e vet.

 

   D Bëre që të hy në errësirë

   C sikur ata që kanë vdekur shumë kohë më parë.

 

   Lutja

 

   O Hyj, shikoje me dashuri familjen tënde për të cilën Zoti ynë Jezu Krishti nuk ngurroi të dorëzohej në duart e armiqve dhe të pësonte vuajtjen e kryqit. Ai që është Zot.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.