Ora e mesme
Java e madhe – E shtunë
Ora e mesme
Ora e tretë
Himni
Shpëto, o Shëlbues, veprën tënde fisnike,
shkruar me dritë të shenjtë t’fytyrës sate,
mos lër të prishet nga mashtrimi i djajve,
për të cilën çmimin e vdekjes Ti lave.
Ki dhimbje, shërbëtorët e tu rob të mos bëhen,
fali fajtorët, prangat robërve zgjidhja,
e ata që me gjakun tënd shpërbleve,
o mbret i mirë, me ty në amshim gëzofshin. Amen.
Ora e gjashtë
Himni
O Kryq, që i jep botës bekimin,
ti je shpresa e shpërblimi,
dikur ti e mbartje ferrin,
tash je derë plot dritë e qiellit.
Në ty po ngrihet flija
që çdo gjë mbi vete mori,
që i rëndoi princi i botës
dhe asgjë të veten s’gjeti.
Atit, Ty, e Shpirtit Shenjt
lavdi e njëjtë, o Jezus, qoftë
që me fitore të kryqit
gjithmonë na jep të gëzojmë. Amen.
Ora e nëntë
Himni
Krisht, për mes Kryqit, lutemi,
na ço në shpërblim të jetës
që në dru të shenjtë mbërthyer
të na shëlbosh u denjove.
Neni i ligjit tënd
e thyen ligjin e vjetër;
vdes skllavëria e hershme,
liria e vërtetë kthehet.
Atit, Ty e Shpirtit Shenjtë
lavdi e njëjtë, o Jezus, qoftë
që me fitore të kryqit
na bën gjithmonë të fitojmë. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Në njërën prej tri orëve thuhen psalmet që vijojnë:
Ant. Do ta shoh mirësinë e Zotit në tokën e të gjallëve.
Psalmi 27 /26/ (1-14)
Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, *
kë do të kem frikë?
† Zoti është mbrojtësi i jetës sime, *
para kujt do të dridhem?
Kur më sulen keqbërësit *
për të më ngrënë gjallë,
kundërshtarëve e armiqve të mi, *
ora u liget dhe rrëzohen.
Le të çohet, në dashtë, edhe një ushtri e tërë *
kundër meje: zemra nuk më trembet,
le të shpërthejë, në dashtë, edhe lufta kundër meje; *
edhe atëherë jam plot shpresë.
Për një gjë të vetme i lutem Zotit, *
vetëm atë ia kërkoj
që të jetoj në Shtëpinë e Zotit *
të gjitha ditët e jetës sime,
që ta shijoj kënaqësinë e Zotit *
e ta vërej Shtëpinë e Zotit.
Zoti më fsheh në tendën e vet †
në ditë të vështirë, *
më strehon në vend të fshehtë.
E tani e lartësoj kryet *
mbi armiqtë e mi që më rrethojnë,
në tendën e tij do të kushtoj fli gëzimi, *
do t’i këndoj Zotit këngë hareje.
Dëgjoje, o Zot, zërin e britmës sime, *
ki mëshirë për mua dhe më dëgjo!
Për ty tha zemra ime: “Kërkojeni fytyrën time!” *
“Fytyrën tënde, o Zot, po kërkoj.”
Mos e fsheh fytyrën tënde prej meje, *
mos e dëbo me felgrim shërbëtorin tënd!
Ti je ndihmëtari im, mos më përbuz, *
mos hiq dorë prej meje, Hyji i shpëtimit tim!
Im atë e nëna ime hoqën dorë prej meje, *
por Zoti më mori ndore.
Ma trego, o Zot, udhën tënde †
dhe më drejto shtegut të drejtë *
për shkak të armiqve të mi!
Mos më lësho në pamëshirën e kundërshtarëve të mi, †
sepse u ngritën kundër meje dëshmitarë të rrejshëm, *
të cilët shfryjnë dhunë.
Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit *
në tokën e të gjallëve.
Shpreso në Zotin: bëhu burrë! *
Ji zemërfortë e prite Zotin!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Do ta shoh mirësinë e Zotit në tokën e të gjallëve.
Ant. Ti, o Zot, më ngrite prej mbretërisë së të vdekurve.
Psalmi 30 /29/ (2-13)
Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove *
e nuk lejove të ngihen armiqtë e mi mbi mua.
O Zot, Hyji im, *
unë të thirra e ti më shërove,
ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga Nëntoka, *
më ktheve në jetë që të mos zbres në varr.
Këndoni Zotit ju, o besimtarët e tij, *
falënderojeni Emrin e shenjtë të tij!
Sepse një çast zgjat hidhërimi i tij *
e tërë jetën dashamirësia e tij!
Mbrëmja vjen me lot, *
e mëngjesi plot hare!
Kur nuk më mungonte gjë, thosha: *
“Askurrë s’do të trandem!”
Më ke vënë, o Zot, në majën e malit të sigurt, *
porse, posa ma fsheh fytyrën tënde, frikësohem.
Atëherë ty, o Zot, të lëshoja kushtrimin, *
i lutesha Hyjit tim.
Ç’dobi nga gjaku im *
në qoftë se zbres në shkatërrim?
A thua do të të lavdërojë pluhuri, *
e do ta kumtojë besnikërinë tënde?
Më dëgjoi Zoti e pati mëshirë për mua, *
Zoti u bë ndihmëtari im.
Ti vajin ma ktheve në valle, *
ma zhgjeshe grathoren time e më ngjeshe me hare,
që shpirti im të të këndojë e të mos pushojë: *
“O Zot, Hyji im, do të të lavdëroj për amshim!”
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ti, o Zot, më ngrite prej mbretërisë së të vdekurve.
Ant. Në paqe është vendbanimi i tij, në Sion banesa e tij.
Psalmi 76 /75/ I (2-13)
I njohur është Hyji në Jude, *
i madh është Emri i tij në Izrael.
Në Salem është tenda e tij, *
vendbanimi i tij në Sion.
Atje ai i theu shigjetat e harkut, *
shqytin, shpatën e luftën.
Shkëlqen, o i Madhërishëm, *
mbi malet e presë!
Qenë rrëmbyer të fortët, gjumi i kapi, *
asnjë trim s’diti t’i përdorë duart e veta
nga kërcënimi yt, Hyji i Jakobit, *
shtang mbetën qerre e kalë!
Ti je i tmerrshëm e kush mund të të bëjë ballë? *
Atëherë kur shfrenohet felgrimi yt!
Nga qielli e jep vendimin gjykatës; *
Toka u trand dhe heshti,
kur të ngrihet Hyji në gjyq *
për t’i shpëtuar të përvujtët e dheut.
Të goditurit nga felgrimi yt të lavdërojnë, *
të shpëtuarit nga felgrimi do të të bëjnë festë.
Bëni kushte dhe plotësojani Zotit, Hyjit tuaj, *
të gjithë ju përreth tij jepni dhurata të Tmerrshmit,
Atij që ua merr frymën princave, *
që është tmerr për mbretërit e tokës.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Në paqe është vendbanimi i tij, në Sion banesa e tij.
Ora e tretë
Leximi i shkurtër 1 Gjn 1, 8-9
Po nëse themi: “Ne nuk kemi mëkat”, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne. Por, nëse i pranojmë mëkatet tona, Ai është besnik dhe i drejtë: do të na i falë mëkatet dhe do të na pastrojë nga çdo padrejtësi.
D Mos më braktis në varr, o Zot;
C mos lejo që shenjti yt ta shohë shkatërrimin.
Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër 1 Gjn 2, 1b-2
E kemi Mbrojtësin te Ati - Jezu Krishtin, Të Drejtin. Ai është flija pajtuese për mëkatet tona, dhe jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për të mbarë botës.
D Zoti bën që të jetojmë dhe të vdesim,
C Ai bën që të zbresim në ferr e të ngjitemi lart.
Ora e nëntë
Leximi i shkurtër 1 Gjn 2, 8b-10
Errësira po kalon e drita, ajo e vërteta, po ndriçon. Kush thotë: “Jam në dritë”, por e urren vëllain, ai mbetet deri tani në errësirë. Kush e do vëllain e vet, ai është vazhdimisht në dritë, në të s’ka asgjë që ta bëjë të gabojë.
D E vunë Zotërinë brenda dhe e vulosen varrin,
C i vunë ushtarët që ta ruanin varrin.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti që na e jep hirin të kremtojmë misteret e të Njëlindurit Birit tënd, të zbritur prej qiellit në thellësinë e tokës, bëj që, të varrosur me të në pagëzim, të ringjallemi së bashku me të në lavdinë e ringjalljes. Ai që është Zot.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.