Ora e mesme

E Diela e Pashkëve - Ngjallja e Zotit

 

Ora e mesme

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Himni

 

Ora e tretë

 

   Ja po vjen ora e tretë,

   kur Krishti i ngjitet kryqit;

   për keq mos të shkojë mendja,

   të shtojë dashurinë e lutjes.

 

   Kush e merr në zemër Krishtin,

   fiton ndjenja frytdhënëse,

   me kushte të zellshme bëhet

   i përshtatshëm për Shpirtin Shenjt.

 

   Kjo është ora që i dha fundin

   letargjisë së krimit t’egër,

   nga kjo fill kohë të lume

   nisën nga hiri i Krishtit.

 

   Jezus, që ndër të gjithë shekujt

   shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   e Shenjtë të qoftë lavdia. Amen.

 

Ora e gjashtë

 

   Eni, o ju skllevër, që luteni,

   me mendje e gojë madhëroni

   emrin e lumë të Hyjit

   me këngë e lavde të denja.

 

   Sepse kjo është koha,

   kur me vendim të padrejtë

   ia dorëzoi vdekjes së njerëzve

   gjykatësin e të gjithë shekujve.

 

   E shtyrë nga dashuria,

   nga frika e drejtë të nënshtruar,

   kundër të gjitha sulmeve

   që na shtie armiku i egër.

 

   Të vetmin Zot ta adhurojmë,

   Hyjin Atë e Birin e tij

   së bashku me Shpirtin Shenjt,

   një Zot të vetëm në Trini. Amen.

 

Ora e nëntë

 

   Kjo është ora, që shkëlqeu

   edhe hoqi retë nga kryqi,

   botës duke i zhveshur terrin,

   i dha dritat e kthjellëta.

 

   Kjo orë që duke i ngjallur

   Jezusi prej varresh trupat,

   me shpirt të gjerë u dha urdhër

   të kthehen në jetë pas vdekjes.

 

   Zgjidhur ligjet e vdekjes

   besojmë shekuj të përtërirë,

   ndjekin rrjedhë të përjetshme

   dhuntitë e jetës së lume.

 

   Jezus, ty të qoftë lavdia,

   që shndrit me mposhtje të vdekjes,

   bashkë me Atin dhe me Shpirtin

   në gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

   (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Ant. Krishti u ngjall prej të vdekurve, dhe jeton në jetën e pavdekshme, aleluja.

 

   Në njërën prej tri orëve thuhet psalmi që vijon:

 

   Psalmi 118 /117/ (1-29) I (1-9)

 

Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *

   sepse e amshuar është dashuria e tij!

 

Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *

   e amshuar është dashuria e tij!

 

Le të thotë tani shtëpia e Aronit, *

   e amshuar është dashuria e tij!

 

Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, *

   e amshuar është dashuria e tij!

 

Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, *

   Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.

 

Zoti është me mua, *

   s’druaj se ka ç’më bën njeriu.

Me mua është Zoti, ndihmëtari im, *

   për asgjë i bëj armiqtë e mi.

 

Më mirë është të strehohesh te Zoti *

   se të kesh besim në njerëz.

Më mirë është të strehohesh te Zoti, *

   se të kesh besim në princa.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Krishti u ngjall prej të vdekurve, dhe jeton në jetën e pavdekshme, aleluja.

 

Ant. Krishti, i dorëzuar në vdekje për mëkatet tona, u ringjall, që të na bëjë të drejtë, aleluja.

 

   II (10-18)

 

Më rrethuan të gjithë paganët, *

   i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit.

Rreth e përqark më rrethuan, *

   por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.

 

Më rrethuan porsi bletët, †

   porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, *

   por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.

 

Më shtynë, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, *

   Por Zoti qe ndihma ime.

Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, *

   ai është shpëtimtari im.

 

Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi, *

   në tendat e të drejtëve:

 

»E djathta e Zotit u madhërua! †

   E djathta e Zotit më lartësoi! *

   E djathta e Zotit u madhërua!«

 

S’do të vdes, të jetoj dua, *

   do t’i kumtoj veprat e Zotit!

Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, *

   por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Krishti, i dorëzuar në vdekje për mëkatet tona, u ringjall, që të na bëjë të drejtë, aleluja.

 

Ant. Ju u ringjallët së bashku me Krishtin: kërkoni gjërat që vijnë prej së larti, aleluja.

 

   III (19-29)

 

M’i hapni dyert e drejtësisë, *

   dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.

Ja, këtu është dera e Zotit; *

   nëpër të do të hyjnë të drejtët.

 

Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, *

   dhe u bëre Shpëtimtari im.

 

Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *

   erdhi e u bë guri i këndit;

Zoti e bëri këtë gjë: *

   sa mrekulli për sytë tanë!

 

Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: *

   të galdojmë e të gëzojmë në të!

 

Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, *

   deh, o Zot, jep të mbarën!

 

Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! *

   Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.

 

Hyji është Zot, ai na ndriçoi: †

   rendituni të gëzuar në reshtin kremtor *

   me rrema në dorë deri në ballë të lterit!

 

Ti je Hyji im, ty të falënderoj, *

   Ti je Hyji im, unë të madhëroj!

 

Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *

   sepse e amshuar është dashuria e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ju u ringjallët së bashku me Krishtin: kërkoni gjërat që vijnë prej së larti, aleluja.

 

   Në orët tjera përdoren Psalmet plotësuese (fq. 1354).

 

Ora e tretë

 

   Leximi i shkurtër Krh. 1 Kor 15, 3b-5

 

   Krishti vdiq për mëkatet tona sikurse e paralajmëroi Shkrimi shenjt. Qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri si u tha në Shkrimin shenjt. Iu duk Kefës e pastaj të Dymbëdhjetëve.

 

   D Kjo është dita që na e dhuroi Zoti, aleluja:

   C të gëzohemi dhe të galdojmë, aleluja.\

 

Ora e gjashtë

 

   Leximi i shkurtër Ef 2, 4-6

 

   Hyji, i pasur me mëshirë, në saje të dashurisë së madhe, me të cilën na deshi, ne që ishim të vdekur për shkak të fajeve, na ngjalli bashkë me Krishtin ‑ ju jeni të shëlbuar me hir ‑ dhe, bashkë me të na ngjalli dhe na vendosi në qiell në Krishtin Jezus.

 

   D Kjo është dita që na e dhuroi Zoti, aleluja:

   C të gëzohemi dhe të galdojmë, aleluja.

 

Ora e nëntë

 

   Leximi i shkurtër Rom 6, 4

 

   Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re.

 

   D Kjo është dita që na e dhuroi Zoti, aleluja:

   C të gëzohemi dhe të galdojmë, aleluja.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti në ditën e sotme na e hape derën e jetës së pasosur në saje të fitores së Birit tënd mbi vdekjen, bëj, po të lutemi, që ne, të cilët po e kremtojmë ngjalljen e Krishtit, të na përtërijë Shpirti Shenjt, e të ngjallemi bashkë me Krishtin në dritën e jetës së pasosur. Ai që është Zot.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.